Kryetarja e Kuvendit uron nxënësit e Paskuqanit në ditën e parë të shkollës
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, shoqëruar nga deputeti i zonës Leonard Demi, mori sot pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri shkollor 2008-2009, në shkollën e re 9 Vjecare Vëllazërimi, në komunën e Paskuqanit.
Në përshëndetjen e rastit, Kryetarja e Kuvendit tha se është një kënaqësi e vecantë të urojë nxënësit e kësaj shkolle, në ditën e parë të mësimit, një ditë e paharrueshme në jetën e cdo njeriu.
Një përshëndetje të përzemërt Kryetarja e Kuvendit u drejtoi fëmijëve të klasës së parë.
Ata janë të lumtur se kanë ardhur për herë të parë në bankat e shkollës dhe për të mësuar mbi atë cka është autonomia në jetë, për tu bërë qytetarë të ditur dhe të nderuar tha Kryetarja e Kuvendit,
Ju jetoni në kohën e internetit, të cilin duhet ta bëni prioritet tuajin, ishte porosia që Kryetarja Topalli u dha nxënësve.
Qeveria ka bërë të mundur ndërtimin e kësaj shkolle nëpërmjet një fondi prej 54 milion lekësh, ku do të shkollohen mbi një mijë nxënës. Është një ngjarje e gëzueshme që ju e prisnit prej kohësh dhe e meritonit.
Në këtë shkollë të re, sikur në të gjitha shkollat e tjera të vendit, ka një kabinet me kompjutera, ku ju mund të hyni në internet dhe të kërkoni cfarë të dëshironi.
Duke shprehur respektin dhe vlerësimin për përkushtimin e mësuesve në edukimin e brezit të ri, Kryetarja e Kuvendit tha se rritja e pagave të tyre, mbetet prioritet i qeverisë.
Unë ndjehem mirë që kemi ardhur me rastin e vitit të ri shkollor, në një kohë kur ne kemi rritur rrogat e juaja me 75 %.
Dhe kur të vij në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor pagat tuaja do të jenë rritur dyfish, ashtu sikurse kishim premtuar që në fillim", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.