E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalor i ri i një gjuhe të lashtë

Mbi përmbajtësin dhe konteksin shoqëror të «Fjalorit të gjuhës shqipe» të Mehmet Elezit

Histori e shkurtër e një historie të madhe gjuhësore - Leksikologjia, dega më e hershme e gjuhësisë shqipe fillet e para i ka tek Frank Bardhi dhe libri “Fjalori Latinisht-Shqip” i botuar në vitin 1635. 1635 është edhe viti i njejtë kur në Francë krijohet Akademia franceze nga Richelieu. U desh të pritet Konstandin Kristoforidhi që në gjysmën e dytë të shekullit XIX të bëjë hapin e parë për një fjalor tjetër të gjuhës shqipe të botuar në vitin 1904, të cilin fjalor më vonë e përpunoi Aleksandër Gjuvani. Në vitin 1954, u botua fjalori i gjuhës shqipe, më i pasuri gjer në atë kohë. “Kongresi i drejtshkrimit” në vitin 1972 dhe «Fjalori i gjuhës shqipe» i përpiluar nga Akademia e Shkencave në 1973 me 150 mijë fjalë të shkruara dhe të folura i vënë themelet e forta standartizimit të gjuhës shqipe.
Gjuhë e lashtë, fjalor risi/ “Fjalori i gjuhës shqipe” i autorit Mehmet Elezi përmban 41'000 fjalë të reja që nuk janë përfshirë në fjalorët e sipërpërmendur. Këtu nuk ka neologjizma por fjalë të burimit shqip dhe indo-evropian. Nuk është fjalor krahinor e as fjalor alternativ por fjalor në shërbim të plotë të gjuhës shqipe, me 41 mijë fjalë të reja, me 5300 shprehje frazeologjike, me 54 mijë kuptime dhe me një pasuri sinonimike. Ky fjalor ka 3 risi në: - Etiomologji. - Përdorim të paskajores me një fuqi shprehëse dhe - Ilustrim të fjalëve me 40 autorë të njohur si Fishta, Konica, Pashku, Camaj, Kadare, Mjeda, me vepra të kulturës popullore dhe me Kanun. “Në fjalorët e mëdhenj, të dhënat pajisen me ilustrime nga shembuj letrarë” shkruan James Murray në parathënien e “New Oxford Dictionnary”. Mehmet Elezi i ilustron fjalët me autorë, me situata reale, për t’ju dhënë jetë dhe kontekst fjalëve. Fjalët “in vitro”, i shndërron në fjalë “in vivo”, në fjalë të gjalla, duke i shoqëruar: - Me veprat ku janë gjetur - Me zonën ku janë folur - Me fjalët e urta ku janë përdorur dhe me - Me prejardhjen historike të tyre. Ky fjalor, sipas gjuhëtarëve e pasuron “leksikologjinë, onomastikën, dramatiken, etimologjinë dhe sintaksën” dhe është hapsirë për studime dhe kritika për «leksikografin, frazeografin, morfologun, dialektologun, sintaksologun, sociolinguistin dhe etnologun». Ky fjalor i jep shumëkuptime fjalëve, ashtu sikur melodia i jep muzikës ritëm. Shkrimtari Ramuz thotë: «Populli është rezervë e shpirtdlirësisë» («Le peuple est une réserve d’innocence»). Për autorin Elezi, populli është një rezervë shpirtdlirësie sintaksore.
Polifoni dhe orkestër gjuhësore - Më këtë pasurim sintaksor, Mehmet Elezi i del krah, e pasuron kongresin e vitit 1972 dhe botimin e vitit 1973. Me gjithëpërfshirjen sintaksore të të gjitha trevave shqiptare, kompleksi i inferioritetit të atyre që nuk i kishin fjalët e tyre në fjalorë të mëhershëm, shndërrohet në krenari të përkatësisë së plotë. Ky fjalor e pasuron polifoninë e bukur ashtu si janë të bukura këngët polifonike të Jugut. Kështu gjuha nuk mbetet vetëm shprehje muzikore e një instrumenti por një ansambël apo tërësi instrumentesh për t’u bërë kështu orkestër. «Janë vetëm të huajt që e flasin frëngjishten pa theks» shkruan autori zviceran Ramuz në «Paris». Gjuha shqipe nuk është një gjuhë e robotizuar, pa theksa dialektore, krahinore apo edhe individuale, por një gjuhë e pasuruar nga shtrirja e gjerë ballkanike, nga diaspora dhe nga vetë historia. Kjo gjuhë e një vendi të tkurrur me shekuj nuk pranoi të bëhet e tkurrur por është bërë e ngjeshur, e thellë dhe e pasur. Por edhe një gjuhë e kristalizuar, e standardizuar, me rregulla drejtshkrimi e me shprehje të qarta mendimi. Rregullat e një shkrimi mund të mësohen, por ndjenjat e një gjuhe munden vetëm të përjetohen. Fjalët e ndjenjave të përfshira në rregullat drejtshkrimore bëjnë që gjuha të mësohet me ndjenja. Madhështia e një shkrimtari është shprehja, burimi i shprehjes është fjala e fjalori është brumi i fjalëve. «Shkrimet e mija nuk janë fjalët e mija por fjalët e të tjerëve që i kombinoj në mënyrën time» thotë një shkrimtar. Si mund të shkruan një romansier kur i bën të flasë personazhet e tij nga Tirana, Shkodra , Vlora, Drenasi, Shpati, Plava, Presheva, Tetova, Janina, Izmiri, Zara apo Hora e Arbëreshëve pa u shprehur me shprehjet e tyre reale, me fjalët e tyre, me leksikun e tyre ? Ky fjalor ju jep edhe më shumë jetë personazheve të romaneve, i jep hapësirë njeriut tonë, i jep edhe më tej brumë fjalëve.
«Kur flet tradita, hesht plagjiati» - “Nëse teknokratët e marrin drejtimin e shkretëtirës Sahara, vetëm pas tri viteve do të blejnë rërë» thotë humoristi Coluche. Disa teknokratë tanë në politikë, administrata dhe media edhe në Amazoni do të blejnë drunj pas tri vitesh, ashtu sikur po blejnë falas fjalë për gjuhën shqipe që pastaj nuk e dinë ku ti përdorin. Këta neo-kreolistë duke e bërë ngjarjen-eveniment, befasinë-surprizë, ngurrimin-hezitim apo shërbimin-servirim i sfidojnë edhe ish-kolonitë në Karaibe apo Antile ku krijoheshin dikur gjuhë të reja kreole me leksik të skllevërve afrikanë dhe të pushtuesve të tyre. Këta nuk arrijnë t’i lakojnë në rasa këto fjalë se si shkruan Adorno në Les mots venus d’ailleurs, «Fjalët e ardhura nga gjetiu»: «Shpresëhumbur (…) fjalët e huaja presin të zgjohen në një rend më të mirë». Thuhet se «origjinaliteti është para së gjithash kthimi në origjinë» dhe «ajo që nuk është traditë është plagjiat». Elezi e bën të flasë traditën, e bën të hesht plagjiatin, i bën të jetojnë fjalët. Vetëm një gjuhe e strukturuar dhe me leksik të pasur i jep shprehje kuptimplote fjalëve të huaja, të domosdoshme për çdo gjuhë që donë të ecë e të komunikojë me të arriturat shkencore, teknike e artistike. Kështu prania e fjalëve teknike dhe shkencore bëhet fisnike dhe ndjenjë e mirëfilltë e komunikimit kozmopolit. Duke krijuar harmoni me vetveten, gjuha shqipe që sipas ca gjuhëtarëve i ka dhënë emrin Gjenevës, por edhe Bukureshtit të Rumanisë mike të Elena Gjikës, me kënaqësi merr fjalë e komunikon në harmoni me botën. Harmonia gjuhësore e një kombi e bën më të harmonishëm komunikimin me kombe të tjera.
«Ballafaqim» i gjuhës me pasurinë e saj - Mehmet Elezi nuk e vë përballë gegërishten me toskërishten, nuk i ballafaqon as veriun e jugun, as lindjen e perëndimin por e vë në qendër dhe e ballafaqon gjuhën shqipe me gjuhën shqipe, me pasurinë e saj sintaksore. Ky fjalor nuk është zëdhënës i një apo disa krahinave por është zëdhënës sintaksor i një gjuhe të tërë. Një leksik gjithëpërfshirës, i pasur, i plotësuar në mënyrë të rregullt është garantuesi më i mirë i një gjuhe të gjallë, e cila përkon me kohën, e respekton të kaluarën dhe e garanton të ardhmen. Nismat nga disa individë, aty e këtu, që të ballafaqojnë të të folurat lokale, krahinat e dialektet me gjuhën standarde, duke u kufizuar kështu në kufij e tyre politikë e regjional me këtë fjalor, e kanë dëshminë e shembullit gjithëpërfshirës të një gjuhe e cila i merr në konsideratë të gjithë bashkëfolësit e saj për t’i bërë bashkëbisedues.
Gjuhë e standartizuar, shoqëri e kristalizuar - Standardizimi i një gjuhe është një element i domosdoshëm për kristalizimin e shprehjes së mendimit, për fuqizimin e dialogut shoqëror dhe për strukturimin e komunikimit. Sa më i thellë të jetë lumi, ma i qetë asht thonë andej apo këndej. Gjithëpërfshiria e leksikut të një gjuhe i qetëson shpirtrat e të gjithë folësve të saj. Puna e madhe e rilindësve dhe rezultatet monumentale të viteve 1972 dhe 1973, më këtë fjalor shkojnë një hap para duke u pasuruar me 41'000 fjalë të reja. Bota kritike dhe studimore mund të ngrejë edhe më lart thellësitë gjuhësore. Procesi i standardizimit sintaksor dhe morfologjik po plotësohet edhe me atë leksikor për të përmbyllur një kapitull dhe për t’i lënë hapësirë rishikimeve, plotësimeve dhe rrezatimeve të reja. Fjalorët e gjuhëve rishikohen, plotësohen dhe ribotohen rregullisht. Në botimin e vitit 2008, për krahasim, fjalori i ri francez Petit Robert ka futur 400 fjalë të reja. Petit Robert dhe Larousse botohen çdo vit me fjalë të reja. Ne e kemi një botim të ri me 41 mijë fjalë të reja. Botimet e ardhshme të fjalorëve të gjuhës shqipe do ta kenë më lehtë me risi sintaksore. Mehmet Elezi, simbolikisht, bën njëjtë sikur edhe CERN (Qendra Evropiane e Kërkimeve Nukleare) këtu në Gjenevë që po provon të vë në lëvizje grimcat për ta tejkaluar shpejtësinë e dritës për të pasur elemente që të kuptohet kështu më mirë prejardhja e gjithësisë. Mehmet Elezi e ka përshpejtuar lëvizjen e fjalëve drejt një fjalori për të kuptuar më mirë rruzullimin gjuhësor, duke marrur fjalë të krijuara në të kaluarën për t’i vënë në shërbim të ardhmërisë gjuhësore.
Fjalor me një forcë të qetë gjuhësore - Gjuha e evropianëve është përkthimi, thotë shkrimtari dhe semiologu italian Umberto Eco. Me një fjalor të tillë thellohet edhe më tej komunikimi i gjuhës shqipe me botën, me gjuhët e saja. Një gjuhë e pasur sintaksore, një gjuhë e standartizuar është një nga standardet më të fuqishme për të komunikuar me Evropën, me botën, për të qenë pjesë integruese e familjes tonë. Mehmet Elezi e rreh borën për të hapur shtigje të reja komunikimi me botën duke vënë në qykë elemente të mjaftueshme leksikore për përkthyesit. Ky fjalor i jep fjalë të reja administratave që të kenë gjykime më të drejta e veprime më të qarta dhe i lë më pak hapësirë moskuptimeve, burim i largimit të ndërsjellë. Elezi e pasuron leksikun e një gjuhe në veçanti, e pasuron leksikun e gjuhëve në përgjithësi. Mehmet Elezi, ambasador i gjuhës shqipe pranë gjuhëve gjermanike, latine, sllave, perse, greke dhe armene, ambasador në familjen gjuhësore indo-evropiane.

Autori është mësimdhënës në kolegjin “Léon-Michaud” në Zvicër
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›