Mashtrimet që s’e lënë Edi Ramën të përshëndesë firmën e presidentit Bush
- Kryetari i opozitës po mundohet të qendrojë besnik i trashëgimisë antiamerikane të partisë ish-komuniste që drejton.
- Ai shkeli protokollin e nxori dje një vartëse të nivelit të dytë, për të thënë disa fraza që binin ndesh me vlerësimet e presidentit Bush për reformat e Shqipërisë.
- Kurba antiamerikane po rritet me personalizimin e opozitës nga Edi Rama, por ajo do të kulmojë me braktisjen historike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Është e disata herë që kryetari i Partisë Socialiste po na ndihmon me veprimet e mosveprimet e veta, për të kuptuar se sa antiamerikane, sa antireformatore e sa i rrezikshëm është aksioni politik i opozitës zyrtare. Edi Rama pati frikë të dalë vetë pardje për të përshëndetur aktin historik të firmosjes së protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërkohë që një ditë më vonë e vijoi spekullimin e vet, duke nxjerrë Arta Daden për të thënë do fjalë, në përfundim të një fjalimi antiqeveritar. Kjo sjellje ishte krejt shkelje e protokollit dhe e reciprocitetit, pasi për një akt të tillë madhor, duhej niveli më i lartë i përfaqësimit politik të opozitës.
Këtë gjë, nuk është se Edi Rama nuk e di, por e gjithë historia e tij politike, por edhe trashëgimia e partisë që ai drejton, nuk e lë që të dalë e të thotë ato që me të vërtetë mendon për NATO-n e për SHBA-të. Edi Rama është nga ata politikanë që qendron në zemër të fabrikimit të spekullimit për të ashtuquajturën “vjedhje të orës së Bushit”, është nga ata që s’përtuan të veshin kostumin ceremonial e të zbresin në rrugë në një protestë të turpshme mortore e antiqeveritare, duke përdhosur Kodin e Vdekjes e duke rivrarë të ndjerin Trebicka, por dy ditët e fundit, ai s’guxoi të dilte të përshëndeste aktin historik të presidentit Bush.
Pinjoll i vërtetë i ish-nomenklaturës më staliniste që ka njohur Evropa e trashëgimtar i partisë më staliniste në Evropë, ai ndan pak gjë me aspiratën tonë të përbashkët për riintegrimin në familjen euroatlantike. Prej kësaj trashëgimie buron mungesa e prononcimit, por edhe fjalia aspak e gjetur që përdori zonja Dade, se “firmosja nuk është një moment për eufori”. Realizimi i një ëndrre është padyshim një rast për gëzim, edhe për eufori pse jo, por kjo ndjesi nuk bashkëndahet nga drejtuesit në selinë e PS-së, të cilët e kanë tjetërkund mendjen e zemrën. Ata mbërrijnë deri atje sa të mos lexojnë si duhet as vlerësimet eksplicite të presidentit Bush për performancën e reformave dhe cilësinë e demokracisë në Shqipëri. Me mendjelehtësi dhe provincializëm, Edi Rama duket se është ndikuar shumë nga sondazhet mediatike, lidhur me zgjedhjet presidenciale në SHBA, çka po e shtyjnë të neglizhojë aksionin madhor që konfirmon aleancën shqiptaro-amerikane.
Është krejt mendjelehtësi në fakt, pasi për çdo shqiptar që arsyeton sadopak, merret vesh se kjo aleancë do të jetë njëlloj e rëndësishme e jetike për ne, pavarësisht nga emri i presidentit të SHBA-ve, cilidoqoftë ai; Bush, McCain, Obama... Klinton, Regan, Kenedi apo Uillson. Aspirata jonë euroatlantike dhe qendrimi i SHBA-ve si avokat në llogoren e lirisë e ka çuar aleancën tonë përtej emrave, por trashëgimia antiamerikane dhe qendrimi prej llogaritari dite, e çojnë Edi Ramën në pozicionin e intrigantit, antireformatorit dhe politikanit që po i bën dëm vendit. Aksioni politik i opozitës po përqendrohet tek cicmicet e mbrojtjes së disa të korruptuarve në gjykata e prokurori, tek mbrojtja e monopoleve dhe keqpërdorimi i parave publike në rrugët e Tiranës. Identifikimi i opozitës me interesat provinciale të Edi Ramës po kthehet përherë e më tepër në një zhvillim politik që po na kushton të gjithëve. Pamë një opozitë që kërcëlliste dhëmbët kur morëm ftesën për anëtarësim në NATO e një ditë më vonë mbushi sheshet me protesta antiamerikane, pamë rreshtime të turpshme opozitare pranë një piramide korrupsioni tek Zogu i Zi, pamë fabrikime të turpshme lidhur me vjedhjen e orës së presidentit amerikan, që ishte mik në Shqipëri, pamë unifikimin e opozitës tek kriza e Edvinit, kur dolën rrugëve, duke klithur për vrasje, veç pak orë pas aksidentit që i mori jetën Kosta Trebickës.
Është kjo kurbë mashtrimesh e interesash personale, që s’e lënë kryetarin e opozitës as të luajë fasadën e të dalë sa për sytë e botës që të përshëndesë aktin më madhor në historinë e Shqipërisë, që nga pavarësimi i saj. Ai ka shkuar aq larg me personalizimin e opozitës, saqë mendja e tij nuk e lejon më që opozita të luajë ndonjëherë edhe rolin që asaj i ka dhënë kushtetuta. Janë këto mashtrime që do ta detyrojnë më vonë Edi Ramën të mbajë qendrime edhe më penguese, por njëkohësisht edhe do të rrisin rreth tij vetminë dhe braktisjen, për të kulmuar me një mbështetje historike minimale, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
...