E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa mbyll Sinodin me kremtimin e Meshës solemne shumëgjuhëshe në Vatikan

Me kremtimin solemn të Eukaristisë shenjte të kryesuar nga Benedikti XVI në Bazilikën e Vatikanit në bashkëkremtim me 326 kardinalë e ipeshkvij, janë mbyllur punimet e Sinodit të Ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit. Në qendër të homelisë së Papës Racinger, një mendim i veçantë për ipeshkvijtë e Kinës kontinentale e lajmërimi i udhëtimit apostolik në Afrikë në mars të vitit 2009. Pas Meshe, gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në mesditë, Ati i Shenjtë Benedikti XVI bëri thirrje për paqen e të krishterëve në Indi e në Irak si dhe për respektimin e lirisë fetare në mbarë botën. Dje paradite, në Kongregacionin e 23-të të përgjithshëm, Etërit sidonalë miratuan 55 propozime përfundimtare. Dokumenti, hartuar në gjuhën latine, iu dorëzua Atit të Shenjtë, i cili do ta përdorë për hartimin e Këshillimeve pas-sinodale. Gjithsesi, Papa autorizoi botimin në gjuhën italiane të bocës së përkohshme të propozimeve. Ndërmjet 55 propozimeve, vendin kryesor e zë domosdoshmëria e përhapjes edhe inkulturimit të Biblës ndërmjet mbarë popujve të tokës. Një detyrë kjo, për realizimin e së cilës mund të ndihmojnë fuqimisht familjet, misionarët e mjetet e komunikimit shoqëror, pa harruar edhe përkthimet, gjithnjë më të nevojshme, të Biblës, në gjuhët vendase. U ripohua lidhja e Fjalës së Zoti me liturgjinë, rëndësia e homelive të frymëzuara nga Fjala hyjnore; u fol për hartimin e një ‘Drejtuesi për homelitë’, që t’i ndihmojë predikatarët; për aktivizimin e grave në katekizëm; për rëndësinë e Liturgjisë së orëve; për kapërcimin e dualizmit ndërmjet ekzegjetëve e teologëve; për të rinjtë, meshtarët e baritorinë e shëndetit. U theksua posaçërisht se kumtimi i Lajmit të mirë është detyrë e gjithë të pagëzuarve, ndërsa ripohohet lidhja ndërmjet Fjalës së Hyjit e Artit liturgjik, sidomos në kisha, si dhe lidhja e Fjalës së Hyjit me kulturën, duke pasur parasysh se Fjala hyjnore mund ta ndihmojë shumë shkencën në zbulimet e saj. Pastaj, Missio ad gentes – misioni ndërmjet popujve, me pohimin se Kisha duhet të takohet me të gjithë e të vijojë të mbrojë të drejtën e lirisë së njerëzve për të dëgjuar fjalën e Zotit, edhe me rrezikun e persekutimit. Pastaj tema e dialogut me hebrenjtë, me myslimanët e me fetë e tjera, dialog që duhet mbështetur mbi platformën e përbashkët të Biblës e duhet radhitur në kontekstin e lirisë fetare e të respektimit të të drejtave të burrit e të gruas.Shumë propozime edhe për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, duke falënderuar Patrikun Ekumenik, Bartolomeun I për praninë e tij në Sinod, si dhe një thirrje për mbrojtjen e gjithësisë.
Të premten e kaluar u miratua Mesazhi përfundimtar i Sinodit. I ndarë në katër pjesë, teksti flet, ndërmjet tjerash, edhe për dialogun ndërfetar e për rrugën ekumenike.
Një lexim simfonik me shumë zëra: kështu u cilësua në Sallën e Sinodit, ky mesazh përfundimtar i Asamblesë XII të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve. Teksti u paraqit nga imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Komisionit për mesazhin e takimit, që e lexoi dukumentin, i pasuar nga katër Etër të tjerë sinodalë. Është një mesazh me karakter formues, një thirrje e ngrohtë, që Bibla të përvetësohet jo vetëm me përpikmërinë e ekzegjezës, por edhe me zemër: kështu u shpreh imzot Ravazi, duke paraqitur mesazhin. Teksti ndahet në katër pjesë që, në përkim me Fjalën e Zotit, titullohen: Zëri i tij ose Zbulesa; fytyra e Tij, ose Jezu Krishti; shtëpia e tij, ose Kisha; udhët e tij, ose misioni. Katër etapa - tha prelati - të cilat nga amshimi e pafundësia, na çojnë në shtëpitë tona, në qytetet tona. Nga tribuna e Sinodit, Papa dhe ipeshkvijtë lindorë bënë thirrje të fuqishme për paqen, drejtësinë dhe lirinë fetare, posaçërisht në Tokën Shenjte, në Liban, Irak e Indi. “Drejtësia e liria fetare garantojnë paqen” – theksohet në një mesazh kushtuar shqetësimeve, që burojnë nga realiteti dramatik i bashkësive të krishtera në zona të ndryshme të Botës.Këtij realiteti ia kushton sot reflektimin e funbdjavës, drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, duke vënë në qëndër të vemendjes të krishterët e dëbuar të Irakut e të Indisë e duke u bërë thirrje gjithë njerëzve vullnetmirë të rikujtojnë një të vërtetë sa hyjnore, aq edhe njerëzore: “Në emër të Zotit nuk duhet vrarë as urryer, por duhet dashur e respektuar çdo njeri”.
Papa: Fjala e Zotit dialog me kulturat e kohës tonë e jo në shërbim të idelogjive aktuale/Në përputhje me atë që është caktuar nga Koncili i Vatikanit II nevojitet që t’ju garantohet besimtarëve një hyrje të gjërë në Shkrime dhe një një njohje të vërtetë të tyre në mënyrë që Fjala e Zotit të mund të dialogojë me kulturat e kohës tonë pa rënë në ndikime dhe në interpretime subjektive e pa u vënë në shërbim të ideologjive aktuale. Me këto fjalë është shprehur Papa Benedikti XVI duke kremtuar meshën për përfundimin e Asamblesë XII të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkëvinjve kushtuar Fjalës së Zotit në jetën e Kishës. “Koncili i Vatikanit II pohon - ka shpjeguar Papa Benedikti XVI - është e nevojshme që besimtarët të kenë afrim sa më të gjërë me Shkrimin Shenjt, Biblën, sepse personat duke takuar të vërtetën, mund të rriten në dashuri autentike”. “Bëhet fjalë për një kërkesë sot të domosdoshme për ungjillizimin. Pasi jo rrallë takimi me Biblën rrezikon të mos jetë ‘një fakt’ i Kishës, por ti ekspozohet subjektivizmit e arbitraritetit, bëhet një nxitje e domosdoshme baritore dhe e besueshme e njohjes së Shkrimit Shenjt, për të shpallur, kremtuar e jetuar Fjalën në bashkësinë e krishterë, duke dialoguar me kulturat e kohës tonë, duke i vënë në shërbim të së vërtetës dhe jo të ideologjive të reja e duke zhvilluar dialogun që Zoti don të ketë me të gjithë njerëzit”. “Për këtë qëllim – ka shtuar Papa – duhet kujdesur në mënyrë veçantë për përgatitjen e barinjëve, që janë të paracktuar pastaj për përhapjen e Biblës me mjete të përshtatshme. Duhet inkurajuar nismat e përpjekjet në veprim për të nxitur lëvizjen biblike ndërmjet besimtarëve laikë, formimin e veprimtarë gjallërues të grupeve të ndryshme me një kujdes të veçantë për të rinjtë”. “E për të mbështetur përpjekjen –tha më tutje Papa –të bëjm ë të njihet feja përmes Fjalës së Zotit edhe për ata që janë larg fesë së Krishterë e Kishës e në mënyrë të veçantë atyre që janë në kërkim të sinçertë të kuptimit të jetës”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›