Fjalori Enciklopedik shqiptar me pasaktësi, gabime dhe harresa
Në vitin 1985 Akademia e Shkencave e Republikës Socialiste të Shqipërisë botoi Fjalorin enciklopedik shqiptar, që në atë kohë u quajt arritje e madhe e shkencës dhe e kulturës shqiptare. Që ky Fjalor shumë shpejt do të dilte jashtë përdorimi, nuk ishte aspak e vështirë ta mendoje, sepse në Parathënie shkruhej: “Përgatitja e kësaj vepre është mbështetur në orientimet e dhëna prej shokut Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH më 26 shtator 1980 me diskutimin e tij ‘Të hartojmë një vepër të përpiktë shkencore’ …”
Fjalori enciklopedik i sipërpërmendur ishte kaq shumë i politizuar e me shtrembërime të qëllimshme, me mangësi të mëdha e me përzgjedhje të gabuara, sa e bëri atë të papërdorshëm.
23 vjet më vonë Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi përsëri një”Fjalor enciklopedik shqiptar”, me të njëjtën emblemë e me të njëjtën faqosje. Vetëm shënimi Botim i ri, shkruar me shkronja të vogla, të bënte të mendoje se kjo vepër nuk ishte ribotim i të parit. Mirëpo, sa lexon Parathënien, bindesh se asgjë nuk ka ndryshuar në thelbin e këtij botimi. Sepse aty thuhet qartë e shkoqur: ”Vepra e pranishme vijon rrugën e çelur nga ‘Fjalori enciklopedik shqiptar’ i botuar në vitin 1985, i cili, si vepra e parë enciklopedike në gjuhën shqipe, shënon një arritje të rëndësishme të shkencës e të kulturës shqiptare”.
Ideja e vazhdimësisë në këtë botim të ri është kudo e pranishme, duke nisur nga redaksia e përgjithshme e duke vazhduar me redaksitë e fushave të veçanta, ku rreshtohet një numër emrash, që sot nuk jetojnë më (khs. Selim Islami, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Bedri Dedja, Dalan Shapllo, Besim Daja, Teki Tartari, Bajram Preza etj. etj.). Do të ishte e domosdoshme që këta persona të dalloheshin, duke u futur, sipas praktikës së zakonshme, në një kornizë të zezë.
Duke hedhur një vështrim mbi redaksitë përkatëse të të dyja Enciklopedive, vihet re se shumica e anëtarëve të tyre janë po të njëjtët persona. (Khs. redaksinë e Arkeologjisë dhe të Historisë së Lashtë, atë të Arsimit, të Kulturës Popullore etj.). Disa prej tyre kanë edhe përgjegjës të njëjtë (Khs. p. sh. redaksinë e Arkeologjisë me përgjegjës Selim Islamin, vdekur më 2001; redaksia e Arsimit me përgjegjës B. Deden, vdekur më 2004; redaksia e Kulturës Popullore me përgjegjës Alfred Uçin etj.)
Fjalori enciklopedik i vitit 1985 ka 5000 zëra (prej të cilëve 700 emra personash). Ky i vitit 2008 përmban 7200 zëra (prej të cilëve 2300 emra personash). Pra, rreth 70% e Fjalorit të vitit 2008 është përsëritje e atij të vitit 1985. Ndër 2300 zërat shtesë, 1600 janë emra personash. Ndër këta të fundit, siç do ta shohim në vazhdim, përfshihen kryesisht profesorët e rinj në moshë dhe ata që ishin lënë jashtë qëllimisht nga regjimi komunist, sepse ishin kundërshtarë të tij. Gjithashtu edhe figurat politike të kohëve të ndryshme, kundërshtarë të atij sistemi.
Në Parathënie të Fjalorit (2008) thuhet: “Në hartimin e kësaj vepre me karakter kombëtar kërkesë themelore ka qenë trajtimi i zërave me vërtetësi e saktësi shkencore. Është synuar të paraqitet mendimi më i ri i shkencës shqiptare …”
Po a mund të realizohej ky “mendimi më i ri” me po ata njerëz që përfaqësonin “mendimin më të vjetër”, me metodën më të vjetër, me përzgjedhjen e vjetër e, vetëm, me një arnim të ri?! Ky “arnim” i ri tani kryhej me një mënyrë vërtet për t’u pasur zili. Krahas një të riu, si autor i një zëri përkatës, vihej tani edhe ai i vjetri (i vitit 1985) si shtyllë mbështetëse. Ky kombinim mbulon një pjesë të madhe të zërave përkatës. Unë po jap këtu tre shembuj sinjifikativë. Te zëri Komisia Letrare e Shkodrës krahas T. Osmanit, vihet A. Kostallari (vdekur më 1992). Natyrisht, prof. Osmani nuk ka patur ku ta takojë prof. Kostallarin që të bisedojë për Komisinë. Te zëri Dukagjini krahas Gj. Grudës, vihet A. Buda (vdekur më 1993). Te zëri Noli Fan Stilian krahas Stefanaq Pollos (vdekur më1997) e Vehbi Balës (vdekur më 1990), vihet edhe Jorgo Bulo. E shembujt si këta të sipërmit vazhdojnë pambarim. Nuk kemi këtu rastësi, po bazën mbi të cilën autorët e Fjalorit kanë përpunuar parimet dhe kanë vendosur kriteret me të cilat do të punohej.
Nuk flas këtu për pasaktësitë, gabimet, harresat etj., të cilat janë të pashmangshme në një vepër madhore me tre vëllime e me 3000 faqe. Flas këtu, së pari, për konceptimin e këtij Fjalori, se pikërisht këtu zënë fill të gjitha të këqijat. Autorët e këtij Fjalori nuk janë nisur të hartojnë një vepër të re, po të shartojnë të vjetrën me elemente të reja. Mirëpo, pikërisht këtu nis edhe e keqja. Sepse nuk mund të shartohen lloje të ndryshme. Tashmë dihet e stërdihet se Enciklopedia e vitit 1985 është hartuar gjithsesi mbi bazat e filozofisë marksiste-leniniste, duke shtuar këtu edhe praktikat e Partisë së Punës. Gjithçka ka qenë paracaktuar qartë nga Enver Hoxha, që shkruante: “Aktualisht kemi grupe të forta shkencëtarësh e studiuesish me kulturë të thellë, të gjerë, me specifika të veçanta e sidomos me koncepte të drejta marksiste-leniniste. Kjo do të bëjë që të gjitha problemet në këtë fjalor të trajtohen në prizmin e ideologjisë sonë marksiste-leniniste dhe me objektivitet shkencor”.
Duke mbartur rreth 5000 zëra nga Fjalori i vjetër tek i riu (së bashku me autorët përkatës), pa asnjë dyshim është mbartur edhe mendimi filozofik i tyre, mentaliteti i kohës dhe veçanërisht zbatimi i porosive të Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës. Kjo tani pasqyrohet qartë te shembujt e sjellë më lart. Për fat të keq, krasitjet e bëra nuk e kanë përmirësuar aspak lëndën përkatëse. Mjafton të përmendim këtu se zërat që trajtojnë institucione, parti, personalitete apo nocione politike, janë hartuar nga ish-komunistë, drejtues institucionesh apo “beniaminë” të regjimit. Khs. këtu zërin Alia Ramiz, Partia e Punës dhe Hoxha Enver, që mbajnë emrin e Xhelal Gjeçovit, e që janë paraqitur thua se janë figura pozitive. Dhe këtu nxjerr kokën menjëherë paradoksi. Ramiz Alia përshkruhet si “burrë i mirë”, sepse: “… u përpoq që kalimi në sistemin demokratik të bëhej duke shmangur rrezikun e përplasjeve të ashpra të forcave politike”, përfundim që ende nuk është vërtetuar historikisht. Sepse shumë fakte e ngjarje, që po dalin tash së fundi, vërtetojnë të kundërtën. Pra, sipas Xh. Gjeçovit, sistemi, që udhëhiqej nga Ramiz Alia, na paska qenë i keq, ndërsa udhëheqësi i saj “i mirë”! Tingëllon ky përfundim si të thuash “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”
Për gazetën “Rilindja demokratike” shkruhen vetëm 10 rreshta, ndërsa për “Zërin e popullit” plot 50 rreshta. Po ajo që të bën përshtypje të madhe është pohimi se “Z.P. pasqyroi edhe hapat e parë të pluralizmit politik në Shqipëri …”
Për J. V. Stalinin (nuk e marr vesh përse u dashka të përfshihet në Fjalorin enciklopedik shqiptar), shkruhen 50 rreshta, ndërsa për Sali Berishën 45.
Përmendet Pirro Dodbiba (kandidat i byrosën politike), por nuk zihet në gojë e shoqja, Liri Belishova (anëtare e kësaj byroje), për shkak të së cilës u dënua.
Mbartet zëri Harapi Zef nga Enciklopedia e vjetër në këtë të renë dhe shtohet, s’di sepse: “Shkrimtar, klerik i Urdhrit Jezuit. Lindi në Shkodër ku studioi në Kolegjën Saveriane …”, kur ai nuk ka qenë aspak klerik. E këtë e di mirë, sepse e kam pasur mësues dhe banor të lagjes.
Përmendet si zë më vete Gjyqi special, që brenda një muaji ka dënuar 60 vetë, po nuk thuhet asnjë fjalë se ky qe një gjyq politik fals, zhvilluar pa mbrojtje e me gjykatës “të dalë nga radhët e partizanëve” etj. etj.
Zërat e rinj, të shtuar në Fjalorin 2008 (veçanërisht emrat e njerëzve, rreth 1600), duken si “enklava”, si oaze, që janë vënë aty për të krijuar iluzionin se në këtë shkretëtirë ka edhe vende me ujë e bimësi.
Problemet që dalin për t’u shqyrtuar në Fjalorin 2008 janë të shumta e të shumëllojshme. Ndërkaq, unë do të ndalem te njëri prej tyre, te përzgjedhja e zërave (përkat. figurave) dhe veçanërisht te mënyra e trajtimit të tyre.
Personalisht kam qenë e vazhdoj të jem kundër përfshirjes në një Enciklopedi të njerëzve që janë ende gjallë (duke ndërkallur këtu edhe veten time). Së pari, duke qenë se një pjesë vazhdojnë veprimtarinë në ato fusha ku punojnë, bile disa në kulmin e prodhimtarisë, ndihmesa e tyre në shkencën e në kulturën shqiptare do të paraqitej e mangët dhe e papërfunduar. Mund të përfshiheshin këtu vetëm personalitetet e fushave të ndryshme me moshë tejet të madhe si prof. Sh. Demiraj (sot 91 vjeç), prof. Idriz Ajeti (sot 94 vjeç) e ndonjë tjetër; gjithashtu edhe ndonjë prej shkrimtarëve të njohur, që ka bërë emër brenda e jashtë vendi, si I. Kadare (sot 75 vjeç).
Së dyti, këto figura të përfshira në Fjalor (kryesisht ata me titull “profesor”, që kanë një kontribut me vlerë në fushat e tyre), duhet të trajtoheshin të gjithë njëlloj, e jo sipas një klasifikimi krejtësisht subjektiv “zëra të vegjël”, “zëra të mesëm” e “zëra të mëdhenj”. Unë nuk e di se cili ka qenë kriteri i vendosur për këtë klasifikim, sepse ata që arrijnë të futen në Enciklopedi, janë në njëfarë mase përfaqësues të kulturës shqiptare. Njësia e matjes së punës së tyre janë veprat, prandaj edhe baza e klasifikimit duhej bërë pikërisht nëpërmjet veprave e jo pozitave që zënë në hierarkinë politike të sotme. Për këtë po marr si shembull veten time. Në Fjalor thuhet: “Studimet e tij për probleme të ndryshme të etimologjisë, të fonetikës historike, të leksikut, të shqipes standarde etj. i ka përmbledhur në serinë “Studime gjuhësore” I-XI”. Mirëpo, ende pa kaluar një vit nga botimi i Enciklopedisë, ata janë bërë XII vëllime, përfshirë këtu edhe tjetrin “Studime për historinë e gjuhës shqipe”, botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2010, f. 552 (pa përmendur këtu artikujt e botuar brenda e jashtë vendi që kanë arritur numrin 121). Në këtë rast duhej përmendur lënda e secilit vëllim. Sepse vetëm për etimologjinë janë shkruar 4 vëllime me 1700 faqe e me katër mijë fjalë të trajtuara. Po kështu vëllimi V i kushtohet krejtësisht problemeve të fonetikës historike; i gjashti onomastikës e kështu me radhë. Pra, ndërkohë që te zëri Luka David, puna e tij shkencore me 15 vëllime të botuara me më shumë se 4500 faqe, përmendet shkarazi, te një tjetër, i cili nuk ka vepra, i përmenden edhe artikujt e gazetave. Shembujt për sa më lart janë të shumtë. Po unë dëshiroj të trajtoj edhe punën që figurat shkencore “profesorë” nuk maten me vendin që zënë në institucionet tona administrative. Si shembull po marr zërin Tafaj Myqerem, sot ministër i Arsimit e Shkencës. Në kurikulën e tij shkencore dallohen së pari: anëtar i Shoqatës …, ka qenë anëtar i Komitetit të Shkencës …, drejtor i drejtorisë së përgjithshme …, ministër i Arsimit … në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, ekspert për politikat e arsimit …, këshilltar i Kryeministrit …, sot edhe ministër i …”. Asnjëra nga pozicionet e mësipërme nuk të japin të drejtën për titullin “profesor”. Ndërkaq, pjesa shkencore: monografia me titull “Shfrytëzimi i aftësive prodhuese për mish të gjedhit në zonën kodrinore malore, mbi bazën e ushqimeve vëllimore dhe kullosave natyrore” (1988), bashkautor i tekstit “Të ushqyerit e kafshëve …” (vëllimi i dytë), një varg artikujsh në revista shkencore. Tani më jepet të pyes: A do t’i jepej titulli profesor z. Tafaj po të mos ishte këshilltar i Kryeministrit dhe, a do të përfshihej në Enciklopedi po të mos ishte ministër i Arsimit e Shkencës? Dhe shembullin më tipik e paraqet kryetari i Akademisë sonë të Shkencave, akad. Gudar Beqiraj, që nuk ka asnjë vepër. Përveç “një vargu (?!) artikujsh shkencorë” është: “… gjyqtar i kategorisë ndërkombëtare në peshëngritje, president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, zv.president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar …”
Në trajtimin e figurave shkencore të përfshira në Fjalorin enciklopedik (1985) nuk është mbajtur i njëjti qëndrim. Sjell këta shembuj. Për zërin Berisha Sali (që trajtohet si “zë i mesëm”), ndërmjet tjerash, thuhet (jo pa qëllim): “U pranua anëtar i PPSh-së në vitin 1971”. Ndërkaq për zërin Thomai Jani nuk përmendet gjëkundi që ka qenë kandidat i KQ të PPSh-së. Po kështu edhe te zëri tjetër Puka Llukan, gjithashtu nuk përmendet se ka qenë deri vonë punonjës në aparatin e KQ të PPSh-së. Nga Enciklopedia (1985) mbartet në të renë e vitit 2008 (bile si “zë i mesëm”), pra me gjithë figurë, Ingrizi Shtjefën. Siç e kemi parashtruar edhe në një shkrim tjetër (botuar në MAPO), ai është vënë atje vetëm si “ateist”, gjithsesi rast i përdorur nga regjimi komunist i atëhershëm për të luftuar fenë. Kjo vendosje nuk është bërë pa qëllim. Po të tregoheshin të paanshëm autorët e Enciklopedisë, duhet të vinin pranë tij edhe atë Pjetër Meshkallën, i cili ka qenë e mbetet përfaqësuesi më tipik i klerit katolik, një hero i paepur i qëndresës kundër komunizmit. Edhe vetë Mehmet Shehu nuk mundi as ta thyente e as ta përkulte dhe u detyrue të pohonte se “Çdo ideologji ka heronjtë e vet”. Tregojnë shokët e tij se kur e liruan nga burgu (kushedi për të satën herë), ai u mërzit shumë, sepse në burg nuk kishte mbetur më asnjë prift që të kryente shërbesat fetare. Nuk përmendet gjëkundi si zë i veçantë Bibla, as përkthyesi i saj, dom Simon Filipaj. Po, ja, dikush kujtohet dhe e përfshin këtë të fundit në Shtesat e vëllimit të tretë. Autorët e këtij shkrimi paraqesin një simbiozë të gjallë për të vërtetuar sa kam thënë më sipër për konceptet e parimet nga të cilat janë udhëhequr hartuesit e Enciklopedisë. Kemi këtu një shartim interesant të një prifti (Dom Nikë Ukgjini), me një laik (J. Bulon). Shkaku “Mbrojtja e standardit”. Dihet që S. Filipaj e përktheu Biblën në gegërisht (“gjuha e tribuve”) dhe 10 lektorë kosovarë ia “përkthyen” në toskërisht. Ndërkaq, pllaka përkujtimore, e vënë nga Dom Nika te dera e shtëpisë së Dom Simonit, ka jo një e dy, po plot shtatë gabime drejtshkrimore në shtatë rreshta. Po kjo nuk ka rëndësi. Tani, në qoftë se vihet në Enciklopedi Dom Filipaj, përse harrohet një tjetër klerik tejet erudit, një frat françeskan (At Daniel Gjeçaj), që edhe ky kreu një përkthim integral të Biblës. Apo, sepse e përktheu në gëgërishte?! Dhe çfarë të keqe ka nëse Bibla, e cila është edhe objekt kulture, ka dy përkthime. Anglezët kanë gjashtë të tilla. Ngjan që këto harresa janë vijë latente (në mos po atavizma), trashëguar nga një mendësi që nuk mund ta duronte zhgunin a veladonin, sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet që në këtë Fjalor nuk vihet At Zef Pllumi, tashmë fitues i “Pendës së artë”, autor i shumë librave, “Nderi i Kombit”. Nuk përmendet as At prof. dr. Jakob Marlekaj, historiograf i letërsisë, pedagog, përkthyes etj., autor i 50 punimeve shkencore. Vepra e tij madhore, së cilës i kushtoi gjithë jetën, është “Pietro Bogdani e l’Albania del suo tempo” (“Pjetër Bogdani dhe Shqipëria e kohës së tij”), botuar në gjuhën italiane në Bari më 1989, përkthyer shqip nga Willy Kamsi (Shkodër, 2008). Ndër 728 faqet e kësaj vepre është realizuar një nga studimet më shteruese për figurën prelatit të madh shqiptar, autorit të “Çetës së Profetëve”.
Nuk vihet gjëkundi as piktori Lin Delija (vdekur më 1994), për të cilin Ismail Kadare, shkruan: “Lin Delija shkoi edhe më larg, duke kryer një nga ato mrekullitë që mund të ndodhin vetëm në art. Sepse vetëm në art mund të ndodhë që shqiptarët e tij, fytyrat, vallet, tirqit e xhamadanët e qëndisur, jo vetëm që çliroheshin nga vetmia, por qëllonte të gjendeshin befas midis ngjarjeve planetare, ato që kishin ndryshuar botën, si ajo që jepet në tablonë e famshme “Hyrja e Krishtit në Jerusalem… Tabloja e krijuar më 1987 është profetike”.
Në Fjalorin 2008 (ashtu si edhe në atë të vitit 1985) pjesa më e madhe e zërave janë onomastikë. Mirëpo, për habi tonën, ashtu si në atë të vitit 1985, për këtë degë nuk ka redaksi përgjegjëse. Rrjedhimisht, këto zëra, atëherë dhe sot, dalin me mangësi të theksuara, sepse nuk është shfrytëzuar literatura përkatëse, botuar në libra të veçantë, por edhe në periodikët “Studime filologjike” e “Studime historike” etj. Këtë vërejtje ne ia kemi bërë Xhevat Lloshit (përgjegjës i Sektorit të Enciklopedisë Shqiptare), qysh në vitin 1986, në prani të Mumtaz Shehut (anëtar i këtij Sektori). Nuk janë shfrytëzuar këtu veçanërisht defterët e kadastrës osmane të viteve 1431, 1467 e 1485, ku regjistrohen emrat e fshatrave të vendit tonë. Kemi në këta defterë, pra, daljen për herë të parë në një dokument të shkruar emrin e çdo fshati, të papasqyruar fare në Fjalorin 2008. Nuk do të flas këtu për paraqitjen e jashtme të Fjalorit, as për cilësinë e tij, as për ngatërrimin e fletëve, as për shtesat e zërave të harruar, as për pasqyrën e ndreqjeve të gabimeve, as për gabimet e panumërta drejtshkrimore, as për letrën e keqe, as për faqosjen tejet të keqe, as për ngjyrën e zbetë të shkronjave, as për …?! Më vjen keq të them se në këtë drejtim Fjalori i vitit 1985 ka qenë më në rregull.
Për gabimet e tjera materiale, të cilat, në bisedë me specialistët përkatës, janë të shumta, do të flasin në të ardhmen vetë ato.