Arsimi i lartë, platforma “kosovare” e UET
Pas pjesëmarrjes në Panairin e Edukimit dhe Karrierës, që u zhvillua në Prishtinë nga data 6-8 prill, presidentja e Universitetit Europian të Tiranës, dr. Teuta Dobi, zbulon atmosferën që gjeti atje, interesimin e jashtëzakonshëm të të rinjve kosovarë për t’u informuar rreth degëve dhe programeve të ofruara nga UET-i, si edhe dëshirën që shprehën shumë prej syresh për të studiuar në këtë Universitet, nënshkrimin e disa marrëveshjeve me disa prej universiteteve private në Prishtinë, që i hap rrugë një bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes universiteteve dhe studentëve në rajon, si edhe synimin për ta shndërruar UET-in një alternativë të arsimit të lartë në Kosovë.
Çfarë përshtypjesh patët nga Panairi i Edukimit dhe Karrierës, që u zhvillua në Prishtinë?
Në zbatim të Strategjisë së Partneriteteve, të ndërmarrë nga Universiteti Europian i Tiranës (UET), është në fokus të aktivitetit tonë krijimi i një bashkëpunimi intensiv rajonal, me qëllim shkëmbimin e vlerave të ndërsjella me institucione universitare simotra në fushën akademike dhe të kërkimit shkencor, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte kërkimi e programe zhvillimi ndërkombëtare. Është e natyrshme që vendin kryesor në këtë marrëdhënie rajonale ta zënë universitetet e Kosovës, si dhe ato me bazë studentore shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi. Për t’u prezantuar me realitetin e edukimit në Kosovë, si dhe për të shpalosur para studentit kosovar të gjitha ofertat në fushën e edukimit që ofron UET, ne morëm pjesë në Panairin e Edukimit dhe Karrierës, që u zhvillua në Prishtinë në datat 6-8 prill.
Cila ishte atmosfera që gjetët atje?
Panairi i Edukimit dhe Karrierës u hap njëkohësisht me Panairin e Turizmit, i cili zhvillohej në krahun tjetër të së njëjtës godinë, Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Vihej re i njëjti entuziazëm, seriozitet dhe organizim i mirë në të dy panairet. Ndryshimi qëndronte në një pjesëmarrje të rëndësishme zyrtare shqiptare në Panairin e Turizmit, ndërkohë që nuk vihej re e njëjta gjë në Panairin e Edukimit. Prezenca e faktorit shqiptar privat qe e pakët, e krahasueshme me prezencën e operatorëve grekë etj., ndërsa faktori zyrtar e publik mungonte. Për të realizuar plotësisht qëllimin e tij, Panairit të Edukimit e Karrierës i mungonte dimensioni i karrierës, i cili gjithsesi është kompleks për t’u adresuar. Si konkluzion, mund të shprehem se panairi ishte një eksperiencë njohëse, jo vetëm për interes të detyrës, pasi në të gjatë ditëve u ndje dhe shkëmbye interes dhe ngrohtësi njerëzore, u mor informacion mbi nevojat më të spikatura për edukim dhe interesat e rinisë kosovare dhe u shfaq ndaj UET-it një vëmendje e madhe nga ana e mediave të Kosovës. Mund të deklaroj se UET-i do të jetë prezent në të gjitha edicionet në vijim të këtij panairi, si edhe në panairin e librit në Prishtinë, i cili hapet së shpejti.
Sa të interesuar dukeshin të rinjtë e Kosovës për të studiuar në UET?
Të rinjtë kosovarë që vizituan panairin shfaqën një interes të lartë për programet e formimit në UET, në të tria fushat, atë të shkencave sociale, ekonomike e të informatikës së aplikuar, si dhe juridike. Na rezultoi që UET-i njihej në Kosovë si institucion me vlerë i arsimit të lartë, dhe ky imazh ishte krijuar kryesisht nga të rinj kosovarë që janë diplomuar në universitetin tonë apo janë në vijim të studimeve. Është fakt i mirënjohur se “fjala gojë më gojë” është marketingu më i mirë që mund t’i bëhet shërbimeve në arsimin e lartë. Po ashtu, fakti që profesorati i UET-it, përveç se kryen me nivel mjaft të lartë detyrën e mësimdhënies, është shumë aktiv edhe në analizat politike e sociale të Shqipërisë, Kosovës e rajonit, me një prezencë cilësore e intensive në mediat shqiptare të ndjekura edhe në Kosovë, rrit interesin e rinisë kosovare ndaj UET-it. Si shembull mundem t’ju them se ndërsa pedagogia e UET-it, doktorante Ermira Danaj, po përfaqësonte UET-in në panair, rreth saj mblidheshin të rinj, disa prej tyre duke i shprehur konsiderata të larta për paraqitjen e saj një të diel më parë në një emision televiziv prestigjioz.
Dukej që jo vetëm të rinjtë, por edhe të rritur, të diplomuar në Kosovë e gjetkë, interesoheshin për programet Master që ofron UET. Pse mendoni se vinte ky interesim?
Në drejtimet e shkencave sociale, ekonomike e të informatikës së aplikuar si dhe juridike, UET-i ofron 45 programe dhe 58 profile, të gjitha të akredituara. Kjo shumëllojshmëri formimesh, praktikisht mbulon çdo preferencë të të rinjve për formim në këto fusha, që realizohet në përputhje me ligjin shqiptar, duke ofruar lëndët e detyrueshme si dhe një shumëllojshmëri lëndësh me zgjedhje, të cilat realizojnë profilin e dëshiruar. Ofrimi i një numri të madh lëndësh me zgjedhje është një ngarkesë e konsiderueshme financiare dhe administrative për institucionin, por UET-i e konsideron formimin e studentëve në përputhje me nevojat e tregut të punës si misionin e tij dhe është i përkushtuar ta realizojë atë. Sigurisht, kjo qasje gjen pëlqimin e studentëve të interesuar për formim të konsoliduar akademik, por njëkohësisht të vlefshëm për të ardhmen e tyre. Për më tepër, në vitin e ri akademik 2011-2012, UET-i do të ofrojë programe në gjuhën angleze, përkatësisht tre programe Bachelor si dhe pesë programe MASTER në: Qeverisje Korporatash, Këshillim Psikologjik dhe Psikoterapi Pozitive, E Drejta e Biznesit, Administrim Biznesi (MBA) dhe Marrëdhënie me Publikun e Marketing, ku do të kontribuojnë në mësimdhënie përveç pedagogëve të UET-it, të formuar në universitetet më të mira angleze dhe amerikane, edhe një numër i madh pedagogësh të huaj nga universitetet më prestigjioze në botë. Gjithashtu, pati një interesim të madh në Kosovë për programet e formimit në Doktoraturë, për të cilat UET-i ka aplikuar për licencim.
Ju thatë që synimi i UET- edhe me paraqitjen në këtë panair- është të thyejë barrierat për një bashkëpunim e ndërveprim mes Shqipërisë, Kosovës e në të gjithë rajonin. Si mund të arrihet kjo?
Historia konfliktuale e pjesës më të madhe të shteteve të Ballkanit ndërmjet tyre gjatë historisë edhe të re, si dhe problemet e vështirësitë me të cilat është përballuar secili prej tyre, ka bërë që të ekzistojnë barriera komunikimi ndërmjet shoqërive respektive të këtyre vendeve, edhe në nivel komunikimi universitar, të kërkimit shkencor etj. Janë universitetet, institucionet që duhet të ndërmarrin nismat e bashkëpunimit dhe t’i thyejnë këto barriera në të ardhmen, duke i shërbyer njëkohësisht shoqërive përkatëse por edhe rajonit si një i tërë. Këto nisma, kanë shumë shanse të mbështeten nga programet e donatorëve të fuqishëm si BE, USAID etj. UET është i përkushtuar të kryejë rolin që i takon në këtë aspekt, dhe natyrshëm Kosova është destinacioni i parë që duhet eksploruar me sinqeritet e konsekuencë.
Duke qenë se u ndalëm te bashkëpunimet, di se gjatë vizitës suaj në Prishtinë nënshkruat disa marrëveshje bashkëpunimi me disa prej universiteteve atje. Çfarë është ajo që synohet të arrihet me anë të kësaj? A gjetët realisht frymë bashkëpunuese ?
Gjatë vizitës së delegacionit të UET-it në Kosovë, ne takuam të gjitha universitetet e rëndësishme të Kosovës, përfshirë Universitetin e Prishtinës, të vetmin institucion publik të arsimit të lartë në Kosovë, si edhe një numër institucionesh private të arsimit të lartë. Të gjitha universitetet shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushën akademike me shkëmbim programesh, pedagogësh e studentësh, si dhe në fushën e kërkimit shkencor, si me pjesëmarrje në revistat shkencore dhe bashkëpunim të ndërsjellë në aktivitetet shkencore, projekte e programe të përbashkëta etj. Në frymën e Kartës së Bolonjës, u theksua fort nevoja e mobilitetit të studentëve edhe në formën e programeve të përbashkëta të shtrira në shumë vende të rajonit, gjë që përveç përfitimeve akademike do të sjellë si rezultat specialistë me spektër të gjerë njohurish e interesash rajonale, të cilët do t’i shërbenin më mirë të ardhmes së rajonit. Me këtë frymë bashkëpunimi, UET nënshkroi në Prishtinë Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin “AAB RIINVEST”, Kolegjin Universitar “UNIVERSUM” dhe Universitetin “ILIRIA”, si dhe po vijon bisedimet me Universitetin e Prishtinës etj.
Ajo që i shqetëson të rinjtë e sotëm, pasi diplomohen, besoj si brenda Shqipërisë ashtu edhe në Kosovë, është gjetja e një vendi pune në profesion. Ndërsa një prej pikave të rëndësishme të filozofisë së UET-it është edhe kujdesi që tregohet ndaj studentit në përgatitjen e tij për tregun e punës. Thënë më specifikisht...?
Është detyrë e çdo universiteti që të formojë studentë të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës, gjë që do t’i shërbente si studentit me kurorëzimin e investimit të tij njerëzor, por edhe shoqërisë, ku burimet njerëzore të përgatitura duhur do të viheshin në shërbim të zhvillimit të saj. UET e realizon këtë detyrë në disa dimensione: së pari, duke ofruar, siç përmenda më lart, një numër të madh programesh e profilesh formimi, ku secili student mund të gjejë të pasqyruara interesat e tij; gjithashtu, duke i mbajtur këto programe në kontroll e përmirësim të vazhdueshëm, duke i ballafaquar ato me interesat e punëdhënësve potencialë, qofshin ata biznese private, institucione publike etj. Ky ballafaqim ndodh nëpërmjet bordeve të punës, te të cilat bëjnë pjesë persona përfaqësues të punëdhënësve potencialë, të cilët janë organe këshilluese në vijimësi të UET-it. Një tjetër dimension i rëndësishëm për përgatitjen e studentit të diplomuar për punësim, është edhe zyra e kujdesit ndaj studentit në UET, e cila realizon formimin dhe këshillimin e studentit për aplikimin për punë e përfitimin e saj, si dhe organizon e udhëheq studentët në praktikat mësimore, të cilat vlejnë njëkohësisht për njohjen e studentit me punën, por edhe të punëdhënësve me aftësitë e formimin e studentit UET. Aktualisht, studentët e diplomuar në UET janë punësuar nga punëdhënës seriozë, siç janë vetë UET, banka e shoqëri sigurimesh, administrata shtetërorë etj.