“Fjalori i Drejtësisë”, Uka: Ndihmesë për jurisprudencën
Fjalori i Drejtësisë do të jetë një ndihmesë edhe për ekspertët e drejtësisë. Autori i këtij fjalori, Njazi Uka i ftuar në studion e “Ora News”, e ka konsideruar këtë libër të rëndësishëm për faktin se në faqet e tij janë vet fjalët e profesorëve, që kanë përkufizuar termat. “Fjalori është ndihmesë më e madhe jo vetëm për studentët e drejtësisë por dhe për ekspertët e të drejtës, si të atyre të profesioneve të lira, avokatëve, noterëve, prokurorëve, gjyqtarëve, sipërmarrësve privatë, pasi janë vet fjalët e profesorëve, që kanë përkufizuar këto terma. Puna jonë është mbledhja e tyre dhe krahasimi me fletoren zyrtare”, u shpreh Uka.
Sipas tij, puna për realizimin e këtij fjalori të përbërë nga 900 faqe, ësthë ndarë në dy faza. Ky libër i referohet korpusit të drejtësisë dhe në të pasqyrohen termat e drejtësisë.
“Faza e parë është përzgjedhja e termave të leksikut. Faza e dytë, e cila ishte më e vështirë se e para, ka të bëjë me ballafaqimin e materialit që ne kishim mbledhur, dhe me atë çfarë duhet t`i jepnim lexuesit”, nënvizoi autori i fjalorit.