Hapet Ambasada Irlandeze?

Më 28 shkurt të vitit 2008, Irlanda njoftoi se e njoh Kosovën si shtet të pavarur. Dy vjet pas kësaj date, Irlanda po hap ambasadën e saj në shtetin tonë. Flamuri i Irlandës po valëvitet lart çdo ditë, ndërsa në mbrëmje ulet. E ku ka vend më të mirë ta hapësh një ambasadë sesa në lagjen Arbëria në Prishtinë dhe atë mu përballë ambasadës së Britanisë së Madhe.
Këto dy shtete, dikur në konflikt janë komshinj dhe si duket kështu kanë vendosur të jenë edhe në Kosovë.
Tashmë dihet se kush janë ambasadorët e këtij shteti në Kosovë, ekselenca e tij Steve Ryan dhe zëvendësi i tij Conor Creighton.
E tash po flasim pak më seriozisht, kjo nuk është Ambasada Zyrtare e shtetit të Irlandës por është fjala për Ambasadën Jo-zyrtare të Irlandeze, një projekt krejtësisht i pavarur nga dy djemtë të quajtur Steve dhe Conor.
Steve dhe Conor janë gazetarë të pavarur Irlandez të cilët një vjet më parë kishin vizituar Kosovën.
Asokohe patën shkruar për muzikën elektronike në Kosovë ndërsa artikulli ishte botuar në gazetën prestigjioze britanike “The Guardian”. Ideja e projektit të tyre nuk është politike por krejtësisht kulturore. Në Ambasadën Jo-zyrtare të Irlandeze nuk mund të aplikoni për viza por mund ta pini një qaj të nxehtë irlandez, derisa edhe dëgjoni muzikë irlandeze.
“Kemi dashur me të vërtetë të kthehemi dhe kur ishim gjatë viti të kaluar i kemi vërejtur disa ambasada, mirëpo jo edhe Ambasadën Irlandeze. Irlanda ishte njëri ndër vendet e para që ka njohur Kosovën kështu që jemi befasuar pse nuk ka ambasadë dhe kemi menduar që kur të kthehemi edhe një herë në Kosovë, shtëpinë tonë do ta quajmë ambasadë”, tregon Steve Ryan, ambasador.
Projekti i Steve dhe Ryan nuk do të zgjatë me vite edhe pse kjo do të ishte perfekte, porse e gjitha do të përfundojë brenda muajit shkurt. Tashmë kanë filluar të shtrohen darka në objektin e kësaj Ambasade jo – oficiale Irlandeze. Ndërkohë, të hënë planifikohet që të pritet edhe shiriti.
Steve rrëfen se “kjo ka qenë një mënyrë e mirë ku njerëzit do të ishin të mirëseardhur të vinë dhe të kenë një përvojë të kulturës Irlandeze, ushqimit, çajit, muzikës apo edhe filmave irlandez”.
Ditë më parë kjo ambasadë kishte organizuar një ndejë e quajtur “Kuzhina e nënës”. Më shumë se 50 persona kishin marrë pjesë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre kishin sjellë ushqim tradicional kosovar që ishte edhe qëllimi.
Projekti i dy irlandezëve është i financuar krejtësisht nga ta ndërsa nëse ky projekt do të shndërrohet në një Qendër Kulturore kjo nuk dihet edhe pse Steve dhe Conor do ta dëshironin. Mirëpo një ndihmë tashmë ka ardhur nga brendi i njohur i çajit i quajtur “Barrys Tea” dhe nga kompania e njohur e prodhimit të birrës “Guiness”.
“Ideja nuk është politike dhe qëllimi i jonë është që ta sjellim një copë të Irlandës në Kosovë si një përshëndetje në rrugën e saj për në Evropë”, shpjegon Steve.
Për pak ditë në këtë ambasadë do të mbahet një ekspozitë me disa fotografi në të cilat paraqitet Irlanda. Mirëpo, Steve thotë se do të ishte mirë që e njëjta të ndodhë në Irlandë, ku do të hapej një ekspozitë për Kosovën. Për çdo informatë rreth aktiviteteve të Ambasadës Jo-zyrtare Irlandeze mund të klikoni në http://www.facebook.com/event.php?eid=285576518766&ref=ts dhe http://theunofficialembassyofireland.wordpress.com/