E Diel, 1 Nëntor 2026

“Stuhia” bllokon 340 kg marijuanë, prangoset trafikanti



GJIROKASTËR - Një operacion antidrogë, i koduar me emrin “Stuhia”, ka përfunduar me sekuestrimin e 340 kilogramëve marijuanë dhe me arrestimin në flagrancë të shtetasit që po transportonte lëndën narkotike. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër realizoi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:40, një aksion duke bllokuar një sasi e madhe lënde narkotike që po transportohej me një automjet furgon me targa GJ 1341 B, nga Lazarati në drejtim të Sarandës. Ndjekja e automjetit që drejtohej nga shtetasi Niko Fuqi ka vazhduar deri në vendin e quajtur Ura e Gajdarit, në hyrje të qytetit të Sarandës, pasi drejtuesi e ka kuptuar që po e ndiqte policia. Sipas zëdhënësit të Policisë, 26-vjeçari Fuqi ka mundur të largohej me shpejtësi për t’i shpëtuar policisë.
Arrestimi
Specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Gjirokastër bënë të mundur bllokimin e automjetit të drejtuar nga Niko Fuqi, lindur dhe banues në fshatin Andon Poçi të komunës Odrie të rrethit Gjirokastër. Nga kontrolli dhe këqyrja e bërë nga grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, automjetit të bllokuar iu gjetën dhe sekuestruan 10 çanta shpine me ngjyrë të zezë dhe 13 thasë plasmani që ndodheshin brenda. Pas verifikimeve të para rezultoi se pako në formë cilindrike të mbështjella me natriban ishin të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuanë. “Pas peshimit të lëndës narkotike rezultoi se pesha e saktë ishte 340 kilogramë marijuanë e presuar”, - thotë zëdhënësi i Policisë, Gentain Mullai.
Hetimi
Burime për gazetën pohojnë se droga kishte destinacion Greqinë fqinje. 26-vjeçari Fuqi e ka marrë ngarkesën në zonën e Lazaratit dhe më pas ka tentuar që ta nxjerrë jashtë. Por, tentativa për trafik ka dështuar, pasi policia arriti të marrë informacion në kohë dhe ta ndjekë deri në bllokimin e lëndës së ndaluar. Burimet zyrtare pohojnë se po punohet për zbulimin e personave të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës. “Nga ana jonë u kryen të gjitha veprimet procedurale si sekuestrimi i lëndës narkotike, automjeti në cilësinë e provës materiale, si dhe arrestimi në flagrancë i Niko Fuqit, i cili pritet të përballet me veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike”, - thonë burimet zyrtare. Pas përfundimit të periudhës së vjeljes së marijuanës, tashmë bëhen tentativa për ta trafikuar atë jashtë vendit, ku destinacioni kryesor është Greqia.

5 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›