Flakë në tregun industrial, digjen 6 njësi shitjeje
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë tregun industrial të qytetit të Sarandës, që ndodhet në afërsi të agjencisë së udhëtarëve. Ka qenë ora 06:40 e ditës së djeshme, kohë kur tregtarët ende përgatiteshin të nisnin nga puna e përditshme, kur në pjesën skajore të tregut industrial të qytetit një shkëndijë është kthyer shpejt në një zjarr të fuqishëm. Tregtarët e pranishëm kanë njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimin zjarrfikës, ndërkohë që zjarri përparonte me shpejtësi dhe shtëllungat e tymit po bëheshin shqetësuese për të gjithë zonën e banuar. Ekipi zjarrfikës ka vepruar me shpejtësi falë edhe afërsisë së qendrës së dislokimit të saj me vatrën e zjarrit, që është më pak se 1 km në vijë ajrore. Operacioni zjarrfikës ka bërë lokalizimin e zjarrit dhe bllokimin e përparimit të tij në të gjithë territorin ku shtrihet tregu industrial. Megjithëkëtë, mësohet se 6 njësi të shitjes së mallrave industriale në këtë treg, kryesisht me artikuj veshjesh, janë djegur plotësisht. Ndërkaq mësohet se është bërë shoqërimi për në komisariat i disa personave të dyshuar, ku kryesori ka qenë roja i turnit të këtij objekti. Sipas tregtarëve mësohet se dëmi llogaritet të jetë rreth 10 milionë lekë.
#