Kriza? Është momenti për reflektim
Lëvizja “Mjaft!” ka konstatuar se pjesa më e rëndësishme e institucioneve qeverisëse të vendit kanë reshtur së funksionuari. “Parlamenti shqiptar, nga ngrehina më e lartë e përfaqësimit të qytetarëve, është shndërruar në një klub privat të mazhorancës qeverisëse. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e institucioneve qeveritare kanë braktisur funksionin e tyre publik dhe janë shndërruar në komitete paszgjedhore që organizojnë antimitingje”, thuhet në deklaratë. Duke pasur në themel të punës së saj mbikëqyrjen e standardeve demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, lëvizja “Mjaft!” ka vërejtur një rënie drastike të standardit të transparencës nga ekzekutivi. “Duke marrë parasysh se liderët e dy partive kryesore të vendit arritën të gjejnë dialog para zgjedhjeve, ne besuam se diçka e tillë do të ishte mundësuar edhe pas tyre. Por sot, pas 9 muajsh paralizë, është e domosdoshme të reagohet dhe tani është momenti që të ketë një reflektim të vërtetë dhe rrugëdalje reale për krizën që ka pllakosur vendin”, vijon deklarata. “Mjaft!” vlerëson se greva është një instrument demokratik dhe shumica e kërkesave të grevistëve janë racionale përtej çdo dyshimi. “Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit të vendit që minimalisht të tregojë respekt dhe seriozitet ndaj grevistëve dhe kërkesave të tyre e të mos i kufizojë përgjigjet në gjuhën e batutave të ulëta”, thuhet në deklaratë.
#