Filmohet duke marrë ryshfet drejtori i Metrologjisë
Gazetari i “Fiks Fare” u paraqit në Drejtorinë e Metrologjisë Ligjore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, si punonjës i një kompanie që importon karburant dhe duhet të kalibrojë kontralitrin e depozitave. Sapo shkon në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë për të kërkuar një shërbim të tillë, të gjithë e adresojnë te drejtori Hoxha. Gazetari i “Fiks”-it takon drejtorin e Metrologjisë Ligjore dhe i thotë se ka nevojë që të kryejë matjen e kontralitrit. Ai pranon që ta kryejë këtë shërbim kundrejt një “kafeje” të majme, edhe pse është një detyrim ligjor, që kjo drejtori duhet ta kryejë një herë në 6 muaj për të gjitha depozitat e karburanteve. Takimin e dytë, drejtori i Metrologjisë Ligjore e lë pas disa ditësh. Takimi kryhet përpara ndërtesës së institucionit të Metrologjisë. Menjëherë pasi merr konfirmimin nga gazetari i “Fiks”-it se ryshfetin do ta marrë, drejtori i Metrologjisë Ligjore pranon që ta çojë enën e kalibrimit në objekt. Shumën prej 50 mijë lekësh drejtori Hoxha e merr në rrugë, pa u merakosur për kalimtarët rreth e rrotull. I fut në xhep dhe menjëherë urdhëron vartësit e tij që të nesërmen në shkojnë në Shijak, për të bërë kalibrimin e dy depozitave, për të cilat u kërkua ndihmë. Ditën kur do të bëhej matja, drejtori Lulëzim Hoxha merr edhe 46500 lekë të tjera nga gazetari i “Fiks Fare” për të kryer pagesat e faturave shtetërore, ndërkohë që nuk i jep asnjë faturë në këmbim gazetarit. Gjatë këtyre bisedave, drejtori i Metrologjisë Ligjore merr përsipër që të lerë edhe toleranca në kontralitër. Gjithçka do ta bëjnë njerëzit e tij. Ena e matjes, e shoqëruar nga dy punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, niset drejt Shijakut. Njëri prej punonjësve që do të kryente kalibrimin prezantohet si vëllai dhe shoferi personal i drejtoreshës së përgjithshme të Metrologjisë. Ata marrin përsipër që të zgjidhin çdo problem me depozitat, për të cilat kërkon ndihmë gazetari, për sa kohë ai “ka votuar te shefi”. Ena matëse niset drejt Shijakut, por “Fiks Fare” nuk kishte asnjë depozitë karburanti ku do të bëheshin matjet. Për këtë arsye, në momentin kur punonjësit e DPM-së, së bashku me enën mbërrijnë në kryqëzimin e katër rrugëve të Shijakut, gazetari i “Fiks Fare” u telefonon dhe u kërkon që të kthehen mbrapsht, duke u nxjerrë një justifikim.
Biseda me drejtorin e Metrologjisë Ligjore në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, Lulëzim Hoxha
Fiksi - Do pimë kafe.
Drejtori - Jo, jo, do lëviz. Shkurt e shkurt, çfarë do?
Fiksi - Desha të bënim matjen e kontralitrit.
Drejtori - Ku e ke kontralitrin?
Fiksi - Në Shijak. Ka ardhur italiani.
Drejtori - Sa copë janë?
Fiksi - 6-7 copë më duket...
Drejtori - Unë jam drejtori ore.
Drejtori - Ti bëj tënden, unë të bëj timen.
Fiksi - Më thuaj tani çfarë duhet të bëj unë?
Drejtori - Tani ti ke 6 copë, ato bëjnë nja 200 mijë lekë, nja 200 e ca mijë lekë. Pjesën tjetër e kupton vetë ti, shefi.
Fiksi - Po më thuaj sa shkon, që ta di t’i them, se e kam kushëri pronarin e asaj. 6 copë, 200 mijë lekë t'i them.
Drejtori - 200-250 mijë, se është edhe fatura e shtetit që bëhet 1 herë në 6 muaj.
Drejtori - Mirë bos, do flasim edhe për pjesën tjetër...
Fiksi - Ditën e diel do të marr në telefon
.....
Fiksi - Tani më thuaj mua sa të...
Drejtori - Tani një 500 mijë lekësh kafe, hajd mo. Kafja shkon më shumë.
Fiksi - Ta nismi enën nesër ne?...
Fiksi - Tani këto që kam, t’i jap nesër unë ty?
Drejtori - Nesër mo. Ose mi jep sot, s'është problem, e mbyllim.
Fiksi - Po na. T’i nxjerr këtu?
Drejtori – Nxirri, nuk po çan… njeri.
Fiksi - Tani këtu i ke 500.