E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, atentat fierakut në autostradë

Policia, hetime për aktivitetin e 23-vjeçarit. Po punohet për identifikimin e dy autorëve

Një 23-vjeçar fierak është bërë objekt i një atentati paraditen e së enjtes. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij personal në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, kur në drejtim të tij është qëlluar dy herë me armë zjarri nga një makinë tjetër. Policia është njoftuar menjëherë për ngjarjen, por ajo ende nuk ka dalë në deklaratë zyrtare lidhur me ndonjë autor të dyshuar. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier bëjnë të ditur se në orën 11:00 të së enjtes, në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë dhe pikërisht në vendin e quajtur “Rotondua e Grabianit”, 23-vjeçarit Arben K., ka rënë pre e një atentati. Sipas të njëjtave burime mësohet se 23-vjeçari nga Fieri ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Tiranës. “Ai po drejtonte automjetin e tij personal të tipit ‘Volsvagen’, me targa FR1497B, kur pranë rotondos është parakaluar nga një makinë ‘Mercedez Benz’ pa targa, nga ku është qëlluar dy herë me armë zjarri”, pohojnë për “Shqip” burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Ndërkohë, burimet e Komisariatit të Lushnjës, ku po hetohet atentati, pohojnë për “Shqip” se në makinën pa targa nga ku është qëlluar kanë qenë dy persona. Këta të fundit dyshohet se e kanë ndjekur Arben. K. që nga Fieri dhe kur kanë parë momentin e volitshëm, kanë qëlluar në drejtim të tij. Nga këqyrja e makinës së fierakut është konstatuar se makina e tij është qëlluar dy herë me armë zjarri. “Makina e 23-vjeçarit ka pasur dy vrima, një te parakolpi dhe një te prapakolpi”, kanë thënë burimet e grupit të hetimit në Komisariatin e Lushnjës. Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve. Për të arritur deri këtu, policisë i është dashur që “të zbardhë” aktivitetin e personit që ishte objekt i atentatit që fatmirësisht dështoi. Ende nuk ka një motiv zyrtar, edhe pse pohohet se shumë shpejt autorët do të jenë në pranga. Për këtë ngjarje ka nisur procedimi penal për veprën “kanosje e mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 84 dhe 278/2 të Kodit Penal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›