E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillen për në banesën e fundit vëlla e motër

Krujë Policia kontrollon mbi 50 banesa, por pa mundur të gjejë vendndodhjen e autorit të krimit

Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga vrasja e Xhevrie Stafës dhe Qemal çepanit, vëlla e motër, policia e Krujës ende vazhdon kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e vrasësit. Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në banesën e Gëzim Zenelit, 31-vjeçarit që dyshohet si autor i vrasjes së ndodhur në Fushë-Thumanë të Krujës, mesditën e së mërkurës. Burime zyrtare të policisë së Krujës bëjnë të ditur se vazhdojnë të jenë të ngritura postblloqet në të gjitha akset rrugore që lidhin këtë rreth me rrethet e tjera, për të mos lejuar largimin e autorit të krimit. Ndërsa mësohet se janë përdorur edhe metoda speciale të mjeteve të komunikimit, për të përcaktuar afërsisht vendndodhjen e 30-vjeçarit Gëzim Zeneli, por deri tani akoma nuk është bërë e mundur gjetja dhe arrestimi i tij. Nga ana e policisë së Krujës janë shoqëruar të afërmit e 30-vjeçarit, për t’u marrë në pyetje për ngjarjen. Por, sipas deponimeve të familjarëve, Gëzimi ka qenë natyrë e mbyllur dhe ata nuk kanë pasur kurrfarë ideje për krimin që do të kryente. Ndërsa policia e Krujës ka siguruar edhe dëshmitarë okularë për ngjarjen, si dhe përgjimet me metoda speciale, duke kryer edhe dokumentimin e plotë të autorit të krimit. Deri dje policia ka kryer mbi 50 kontrolle nëpër banesat e të afërmve të tij, por pa mundur ta arrestojë. Ndërsa fotografia e tij është dërguar edhe në pikat doganore, për të bërë të mundur ndalimin e tij në rast tentative për t’u larguar jashtë vendit. Akuzat e ngritura ndaj Gëzim Zenelit sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës janë dy: “vrasje e kryer në rrethana të cilësuara” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Ndërkaq dje, vëlla e motër janë përcjellë për në banesën e fundit. Ceremonia mortore për 50-vjeçaren Xhevrie Stafa, nënë e katër fëmijëve, është kryer në fshatin Bushnesh të Krujës. Ndërsa për vëllain e saj, 41-vjeçarin Qemal çepanin, ceremonia mortore është kryer në Tiranë, ku edhe banonte.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›