E Diel, 1 Nëntor 2026

Flakët e zjarrit djegin në gjumë endacakun 45-vjeçar

Zjarrfikësit kanë gjetur pasditen e djeshme trupin e shkrumbuar të endacakut, teksa kanë qenë duke shuar një zjarr në afërsi të stadiumit të qytetit të Vlorës

Vlorë Trupi i pajetë i një 45-vjeçari është gjetur ditën e djeshme nga zjarrfikësit e qytetit të Vlorës. Ata nuk kanë mundur dot që ta shpëtonin endacakun, pasi në momentin kur e kanë parë mes flakëve trupi i tij ka qenë i djegur në masën 70 për qind. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se trupi i përket 45-vjeçarit A. Baboçi, i cili njihet si endacak dhe nuk kishte një banesë fikse.

Zbulimi

Sipas burimeve zyrtare nga policia, mësohet se “rreth orës 14.00 forcat e zjarrfikëses kanë marrë një njoftim se ka pasur zjarr pranë banesave në lagjen ‘Pavarësia’, në afërsi të aneksit të stadiumit Flamurtari.” Menjëherë zjarrfikësit kanë nisur shuarjen e flakëve dhe në afërsi të disa shkurreve pranë një banese kanë vënë re trupin e një njeriu që ishte duke u djegur. “Erdhëm për zjarrin dhe në mes të zjarrit pamë trupin, trupi ishte shkrumbuar. Ne e njihnim se ishte një endacak”, ka pohuar njëri prej zjarrfikësve që mori pjesë në operacionin e shuarjes së zjarrit. Pas këtij konstatimi ata kanë bërë të mundur njoftimin e policisë së Vlorës, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Uniformat blu të qytetit të Vlorës kanë qenë të shoqëruar edhe nga ekspertët, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur hetimet paraprake.

Identifikimi

Nga informacionet paraprake të policisë, trupi i gjetur i përkiste një personi të seksit mashkull, rreth 45 vjeç, por si pasojë e djegies së fytyrës ishte i vështirë identifikimi.

“Trupi i pajetë kishte djegie të shkallës së lartë në fytyrë, pjesën e kraharorit dhe gjymtyrët e poshtme. Plagët e marra si pasojë e djegies në një shkallë të lartë nuk e kanë lejuar atë që të mbijetonte”, saktësuan ekspertët. Më pas trupi i pajetë i 45-vjeçarit Baboçi është dërguar për në morgun e qytetit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizave mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Policia ka nisur marrjen në pyetje të personave që banojnë pranë vendit ku u gjet trupi i pajetë. Fqinjët kanë pohuar se ai qëndronte aty në një banesë të braktisur, ndërsa pranë trupit të tij janë gjetur disa shishe pijesh alkoolike.

Shkak i vdekjes janë përcaktuar plagët e marra si pasojë e djegies. Ndërkohë, policia ka hedhur dy versione që mund të kenë çuar në vdekjen. E para mund të jetë ajo e vetëdjegies në një moment depresioni, ndërsa versioni i dytë është që 45-vjeçari mund të ketë qenë në gjumë në momentin e rënies së zjarrit dhe nuk ka ndjerë. Ndërkohë, pritet interesimi i të afërmve të tij që të përkujdesen për ceremoninë mortore.

E.Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›