E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Diverolit: Historia e patreguar e tim biri me drogën dhe alkoolin

Efraim Diveroli refuzon intervistën speciale për producentët e filmit që Hollivudi do të bëjë për jetën e tij, por rrëfehet nëna Ateret Diveroli. Pasurimi i shpejtë solli një sërë problemesh me drogën, kumarin dhe alkoolin. E dërgova tek i vëllai, ku mësoi hiletë e tregtisë së municioneve

Kur Efraim Diveroli ishte vetëm 21 vjeç, edhe pse nuk gëzonte ndonjë vlerësim për kontratat e mëparshme, fitoi prej ushtrisë amerikane një kontratë të majme prej 298 milionë dollarësh, për t’u siguruar municione trupave amerikane në Afganistan. Ishte një marrëveshje që la gjurmë të theksuara në jetën e djaloshit. Ai u deh nga paratë që vinin lumë. Më pas, ai u angazhua në disa marrëveshje problematike biznesi, ngarkoi anijet me municione të skaduara apo të pamjaftueshme për trupat amerikane në Afganistan. Për rrjedhojë, ai u bë shënjestra e disa hetimeve federale. Një komision hetimor i Kongresit që hetoi kontratën e tij me Pentagonit e quajti Diverolin: “një rast ekzemplar për t’u studiuar”, me qëllim zbardhjen e motiveve që çuan në dështimin total të agjencive të prokurimit qeveritar. Së fundmi, kjo marrëveshje u bë shkak që Diveroli të shkonte pas hekurave të burgut. Tashmë që ndodhet në burgun Semienole dhe ndërsa pret një dënim nga gjykata federale e Orlandos, edhe Hollivudi s’mund të rrijë indiferent ndaj odisesë së tij. Revista “Variety” së fundmi bëri me dije se producenti Tod Filips do të investojë në realizimin e një filmi mbi Diverolin, bazuar te një dosier special i shkruar nga revista “Rolling Stone” për të. Efraim Diveroli refuzoi një intervistë speciale për realizimin e këtij filmi dhe avokati i tij nuk donte të komentonte mbi filmin në fjalë. Por nëna e 21-vjeçarit, Ateret Diveroli, thotë se historia e djalit të saj është ende një histori e patreguar. Pasurimi i tij i shpejtë i solli një zinxhir problemesh me drogën, kumarin dhe sidomos me alkoolin. “Po është njësoj sikur dikush fiton lotarinë në një moshë fare të re…ja, kjo ka ndodhur me Efraimin”, - thotë ajo. “Ai hodhi gjithçka në lojë dhe nuk mori asgjë në këmbim”,- shprehet e ëma e Diverolit. Ateret Diveroli thotë se djali i saj u rrit në një familje solide ortodokso-hebreje në Floridën e Jugut, që i mësoi atij se jeta në komunitet dhe feja janë gjërat më të rëndësishme. Pra, në një familje ku dinjiteti dhe respekti janë mbi gjithçka. “Pra ai u rrit duke u mësuar se fjala e dhënë është gjithçka dhe se duhet jetuar në respekt të ligjeve”- thotë Ateret Diveroli, e cila tashmë jeton në Miami Beach. Por Efraimi zgjodhi një tjetër mënyrë jetese. Nëna e tij thotë se ai nisi përdorimin e drogës qëkur ishte një adoleshtent dhe, kur mbushi 16 vjeç, ajo e dërgoi atë në Los Anxhelos, që të niste punën nën vëzhgimin e vëllait të vet, i cili punonte prej kohësh në biznesin e municioneve. “Ai u tregua një djalë i zgjuar. E kuptoi menjëherë sesi funksiononin punët në këtë biznes”,- thotë më tej nëna e Diverolit. Në fakt, rezultoi vërtet i zgjuar, pasi lidhi kontratën e parë në moshën 18-vjeçare. Më pas, duke u angazhuar në biznes, Diveroli erdhi te skandali i madh që angazhoi dhe strukturat hetimore të Kongresit, ndër të tjera dhe pak e nga pak doli në dritë gjithë lëmshi që kishte gatuar Diveroli me kontratën e fituar, ku si bashkëpunëtor kryesor kishte Dejvid Pakauzin, një ish-masazhator të licencuar nga Majemi. Në seancat dëgjimore të komisionit hetimor të Kongresit në muajin janar, xhaxhai i tij, Rabi Shmuel Botek, deklaroi se “Askush nuk mund ta ndalte ngjitjen dhe lakminë e tij: ai kishte një raketë të ngjitur pas kurrizit dhe, përveç saj, ishte i pajisur dhe me një mungesë totale morali”. Xhaxhai i djaloshit të shumëpërfolur, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në deklarimet e tij para gjykatës të Majemit, ku muaj më parë deklaroi se Efraimin e mbante mend milioner, që kur ishte 18 vjeç. Përgatiti: H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›