Flakët shkrumbojnë dhjetra hektarë pyje në Spanjë, në rrezik banorët
Spanjë- Me qindra forca zjarrfikëse në Spanjë janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishujt Kanarie, pasi si pasojë e zjarrit të rënë aty janë djegur me dhjetra hektarë pyje, ndërsa janë vënë në rrezik edhe qindra banesa.
Për ti shpëtuar rrezikut autoritetet kanë evakuuar rreth 5 mijë banorë, ndërsa është ndërprerë energjia elektrike dhe linjat e telefonit.
Në të njëjtën kohë një zjarr i ngjashëm ka rënë në ishullin e La Gomerës, pasi flakët kanë shkatërruar një park natyror, duke shkaktuar dëme të mëdha ekologjike.
Sipas mediave evropiane këto janë zjarret më të këqia në 70 vitet e fundit, pasi disa vatra zjarri janë përhapur edhe në krahinën e Galicisë.
Shuarja e zjarreve është vështirësuar nga temperaturat e larta, ndërsa janë angazhuar me qindra zjarrfikës dhe dhjetra helikopterë për ndërhyrje nga ajri.
/IDEA/