Zbulohet dhe prangoset superhajduti i kartave celulare në Shkodër
Shkodër – Një lezhjan, i cili nuk reshtte së vjedhuri bizneset e vogla duke u rënë më qafë sistematikisht, më në fund ka rënë në prangat e policisë dhe ca kohë do ta çlirojë qytetin nga seriali i vjedhjeve. Uniformat blu kanë mundur të zbulojnë edhe mekanizmin e vjedhjes. 51-vjeçari Hile Gjokehilaj i ka realizuar këto vjedhje duke hyrë në dyqane, duke bërë porosi për shumë mallra dhe pasi i vendoste pranë vetes ato mallra, i kërkonte shitësve apo shitëseve sende të cilat ndodheshin larg banakut të dyqanit, duke krijuar kështu mundësinë që të largonte shitësit nga banaku dhe të ikte pa u vënë re. Arrestimi i 51-vjeçarit Hilë Gjokëhilaj, lindur e banues në fshatin Kodhel, Komuna Blinisht, Lezhë, është bërë mëngjesin e ditës së shtunë. “Ndalimi i tij u bë i mundur në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i një operacioni të mirorganizuar nga Drejtoria e Policisë Shkodër”, -pohuan zyrtarët vendorë të policisë.
I arrestuari i djeshëm është provuar se ka kryer një sërë vjedhjesh në disa njësi tregtare të qytetit të Shkodrës, duke u kthyer kështu në tmerr i bizneseve. Policia ka dokumentuar vjedhjet e të panjohurit në Shkodër dhe sipas informacioneve është krijuar identikiti i tij dhe më pas agjentët e kanë pasur të lehtë vënien në pranga. Nisur nga denoncimet e të dëmtuarve polici a tha se më 15 mars 2009, në lagjen “Skënderbeg” të qytetit Shkodër, në një dyqan, Gjokëhilaj ka vjedhur 12 karta rimbushëse AMC dhe Vodafon. Vjedhja e dytë e tij daton më 10 prill 2009, në lagjen “Liria”, ku ka marrë në një dyqan 24 karta rimbushëse AMC dhe Vodafon dhe sende të tjera. Burime policore thanë se më 12 prill, po në lagjen “Liria”, 51-vjeçari ka vjedhur në një dyqan 66 paketa cigare të markave të ndryshme dhe 7 karta rimbushëse AMC dhe Vodafon.
Sherri për parking makinash, masakrohet me levë në qendër të Tiranës
Tiranë – Një sherr për parkingun e makinave për pak i ka kushtuar jetën një personi, i cili u masakrua me levë mesditën e djeshme në qendër të kryeqytetit. Dy persona, të identifikuar nga policia, që për arsye hetimi nuk bëhen të ditur, kanë qëlluar me levë qytetarin Xhemal Domi. Ngjarja ndodhi pranë pallatit ku banon Domi, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, kur ai ka debatuar me dy persona. Pas fjalëve të ndërsjella dy autorët e kanë goditur disa herë me levë Domin, duke e lënë të plagosur në mes të rrugës. Forcat e policisë, të sinjalizuara për ngjarjen, mbërritën menjëherë për të zbuluar autorët dhe motivin e plagosjes, ndërsa e transportuan të dëmtuarin në spital. Mësohet se pas ndërhyrjes mjekësore i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia e kryeqytetit bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes tyre për parkingun e makinave.
27 Prill 2009