Flamur Hida nuk pranon vrasjen e biznesmenit italian
Luan Kondi
TIRANË - Flamur Hida nuk ka pranuar para hetuesve veprën penale për të cilën akuzohet, grabitjen dhe më pas vrasjen e biznesmenit italian. Ai ka mohuar faktin të ketë qënë prezent në këtë ngjarje duke hedhur poshtë gjithçka edhe pse hetuesit i ndërhynin me pyetje “provokative”. I kërkuari për 11 vjet me radhë për krimin e grabitjen me armë me pasojë vdekjen ndaj një shtetasi italian nuk pranoi gjithashtu të ishte as vrasës me pagesë edhe pse atij iu sekuestruan tri pistoleta me silenciator në cilësinë e provës materiale. Një nga provat që m,und ta mbajë në burg është fakti që Hida njihet si anëtari i bandës së Yzberishtit dhe mik i vëllezërve Avdillari. Burime policore thanë për gazetën se ai ka qenë fjalëpakë dhe i rezervuar në përgjigjet që jepte. Ngjarja e janarit të vitit 1998 duket se do të ketë vështiorësi në zbardhe. Hetuesit shpresojnë tashmë në dëshminë e Fiqiri Avdillarit, i cili është vënë në pranga për një tjetër vrasje atë të pak kohëve më parë për hakmarrje ndaj personit që e mendonte si ekzekutor të të vëllait në Greqi. Ajo që po mundohen të arrijnë hetuesit është statusi “i të penduarit” për Avdillarin që mendohet të ketë dijeni për mjaft ngjarje që mendohet të kenë autor Flamur Hidën.
Operacioni
Flamur Hida, banues në Tiranë në rrugën “Komuna e Parisit”, i njohur nga policia si një nga elementët më të rrezikshëm me tendencë grabitjen me armë dhe krimet kundër pronës, u arrestua dje në mesditë. Hida ishte në kërkim prej 27 janarit 1998, kur me dy vëllezërit, Fatmir dhe Fiqiri Avdillari, akuzohet të ketë grabitur dhe vrarë biznesmenin italian Stefano Rossi. Aktualisht, dy miqtë e tij, Fatmiri është vrarë në Greqi, kurse Fiqiriu është në burg për vrasje si hakmarrje për ekzekutimin e të vëllait. Arrestimi është kryer nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2 të Policisë së Tiranës. Dyshohet se Hida ka punuar si vrasës me pagesë. Gjatë kontrollit të banesës së kryer nga efektivët e policisë janë zbuluar tri pistoleta të llojeve të ndryshme, dy granata, silenciatorë dhe sende të tjera të ndaluara. Më pas, i kërkuari është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndaj tij ka nisur një procedurë hetimore, duke e pyetur për veprimtarinë e tij, ndërsa po verifikoheshin lidhjet e tij shoqërore. Hida dyshohet të jetë aktivizuar sërish në grabitje e vrasje me pagesë. Policia ka dërguar për ekspertizë tri pistoletat me silenciator, të cilat iu bllokuan. Lindur më 16 gusht 1980, “Lenci”, nofka me të cilën njihej Hida, ishte person i shpallur në qysh në vitin 1998, ndërsa qëndronte i fshehur në kryeqytet dhe në rrethinat e saj. Policia pranoi se i shumëkërkuari e kishte vështirësuar shumë kapjen e tij, për shkak të përdorimit të identitetit të rremë. Për më tepër, policia nuk posedonte asnjë fotografi të tij të azhurnuar, sepse në kohën kur ky person ka qenë fillimisht i shpallur në kërkim, ishte i mitur.
Dënimet
I kërkuari Flamur Hida, në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 13 tetor 1998, është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale te “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen” si dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Pas trazirave të vitit 1997, kur krimi mori pushtet të mirëfilltë, atëherë 17-18 -vjeçar, Flamur Hida, në bashkëpunim me Avdillarin kryen vjedhjen me pasojë vdekjen të shtetasit italian Stefano Rossi. Hida fillimisht mori dënimin me 12.5 vjet burgim, por më tej ai është dënuar sërish. Këtë herë, me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, ka marrë 20 vjet burgim, për veprat penale të “vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, ndaj qytetarëve Bedri dhe Agim Ago. Po ashtu, me vendimin e datës 18 Korrik 2007, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, Hida është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Plagosjes me dashje” dhe të “armëmbajtje pa leje” ndaj Aqif Lamit. Në operacionin e koduar “I harruari”, u sekuestruan përveç një arsenali të tërë armësh dhe një certifikatë personale e falsifikuar që përdorte Flamur Hida si mjet identifikimi, me identitet tjetër, të rremë.
Operacioni “I harruari”, armatimet e sekuestruara
- Një armë zjarri automatike tip “Scorpions”
- Një pistoletë model 54, me një krehër me 7 fishekë
- Dy silenciatorë
- Një pistoletë “Belgium” me një krehër me 11 fishekë
- Një pistoletë “Bereta”, me një krehër me 4 fishekë
- Një pistoletë elektrike (paralizues elektrik)
- Dy krehër pistolete me 8 fishekë
- 106 copë fishekë pistolete, të kalibrave të ndryshëm
- Një kallëp tritoli së bashku me kapsollën elektrike
25 Maj 2009