Shërbimet bashkiake, marrëveshje bashkëpunimi me Barcelonën
Shërbimet që ofrohen nga Bashkia e Tiranës do të shkojnë drejt përmirësimit. Premtimi është bërë nga drejtuesit e Bashkisë gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës dhe Nënkryetarit të Bashkisë së Barcelonës Carles Marti. Përmirësimi i shërbimeve kryesore publike dhe zhvillimi teknologjik në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Tiranës, kanë qenë qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes.
Nënkryetari i Barcelonës, Carles Marti theksoi më fjalën e tij se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës do të shtrihet dhe me tej. Ndërkohë që planifikimi urban do të jetë prioritar. Sipas nënkryetarit të bashkisë së Barcelonës, urbanizimi është në shërbim të njerëzve për të ndërtuar qytete, apo për të ndërtuar një projekt kolektiv mirëqenie. Delegacioni spanjoll që përbëhet nga dy grupe do të zhvillojë një seminar dy ditor në ambientet e bashkisë së kryeqytetit.
25 Maj 2009