E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: “Pagova 440 mijë dollarë për “MEICO”-n dy ditë pas shpërthimit”

Ekonomistja e kompanisë “Albademil” Valbona Llohja rrëfen veprimet financiare. Telefonata e Delijorgjit për të shoqen: Jam në mes të shpërthimit, amanet gocën

Gazeta Albania boton sot dëshminë e Valbona Llohjas, ekonomistes së firmës “Albademil” e cila e ka dhënë këtë dëshmi dy ditë pas shpërthimit në Gërdec, më 17 mars 2008. Zonja Llohja është pyetur menjëherë pasi ka kryer disa veprime financiare në bankë ndërsa prokurorët u njohën për këto veprime falë përgjimit të telefonatave. Në tentativë për të kapur diçka në flagrancë prokurorët mirën ekonomisten në pyetje menjëherë porsa e kjo e fundit kreu veprimet në bankë. Më poshtë dëshmia e plotë e ekonomistes së firmës “Albademil”.

Deklaratë:

Quhem Valbona Llohja e datëlindjes, 20.04.1969, jam me punë ekonomiste në firmën “Park Konstruksion Albania” me seli në Rrugën e “Kavajës”, ish Parku, që prej vitit 2006 dhe në firmën “Albademil shpk” me seli në Gërdec në Vorë që nga krijimi i saj në muajin maj 2007, me president Mihal Delijorgji. Shoqëria “Albademil” është krijuar në vitin 2007 me dy ortakë, Mihal Delijorgji dhe Patrick Henry, me kontratë themelimi nr. 2074 regjistruar si person juridik në Gjykatën e Tiranës. Unë në këto kompani punoj e punësuar pa kontratë pune si ekonomiste kontabël për të dy këto shoqëri. Shoqëria “Albademil” ka llogari bankare në bankat “Popullore”, “Amerikane” “Tirana Bank” dhe “Alfa Bank”. Në këtë shoqëri janë të punësuar në Gërdec përafërsisht 120 punëtorë. Personi i ngarkuar direkt për menaxhimin e punës në gërdec është Dritan Minxolli. Ky person harton dhe listë-pagesat. Të dhënat për personelin kanë qenë në Gërdec.

Pyetje: Kur e morët vesh për shpërthimin në Gërdec, nga kush dhe çfarë ju tha?

Përgjigje: Jam njoftuar për ngjarjen nga një amerikan i cili merret me eksportet e baruteve. Emrin e ka Rodi, mbiemrin nuk ia di. Ai më mori në telefon disa kohë pas shpërthimit. Unë isha në zyrë. Unë e fika telefonin se nuk po e kuptoja çfarë po thoshte, se nuk e di shumë mirë anglishten. Ndërkohë dëgjoj që Mihali po telefononte me një person tjetër dhe i thoshte “mos qaj, mos qaj, vetëm nxirr punëtorët jashtë, largoi sa më larg” dhe më pas Mihali iku direkt atje në Gërdec. Pas një gjysmë ore dëgjova që Mihali mori në telefon të shoqen dhe i tha amanet gocën.

Pyetje: Punëtorët e punësuar në firmën “Albademil” a ishin të paisur me kontrata pune?

Përgjigje: Nuk kam dijeni për këtë problem. Por di që punonjësit ishin nga krahinat përreth dhe me sa di unë ata kanë punuar me ditë pune. Disave që nuk iu pëlqente puna e linin. Puna ishte e organizuar me normë. Normën nuk e di se sa ishte pasi ishte e ndryshme sipas pozicioneve të punës. Zakonisht pagat e personelit shkonin sipas realizimit të normës dhe procesit të punës dhe varionin nga 1 mijë lekë deri në 2 mijë e 500 lekë në ditë. Sigurimet shoqërore për një pjesë të punonjësve janë paguar deri në muajin dhjetëra 2007.

Pyetje: A keni informacion si ekonomiste se sa nga punëtorët e fabrikës gjendeshin aty në momentin e shpërthimit?

Përgjigje: Nuk kam asnjë informacion se sa nga të punësuarit gjendeshin në momentin e shpërthimit në fabrikë. Jam përpjekur të lidhem me Endri Dvoranin i cili punonte aty si magazinier i firmës për nuk më është përgjigjur. Kam mësuar se momenti i shpërthimit përkoi me momentin e pushimit të drekës dhe shumë nga punëtorët kanë ikur për të ngrënë drekën.

Pyetje: Çfarë veprimesh financiare keni kryer sot në Banka për llogari të kompanisë dhe çfarë dispononi në këtë moment me vete?

Përgjigje: Sot më datë 17 mars 2008, kam qenë tek “Banka Popullore” për të bërë disa veprime, dhe konkretisht: kam derdhur në llogarinë e firmës “Albademil” 442 mijë dollarë dhe më pas i kam transferuar në llogarinë e kompanisë “MEICO”. Paratë mi solli shoferi i firmës “Park Konstruksion” Eduard Kryekurti, i cili më dha gjithsej 250 mijë euro. Kam tërhequr 74 mijë euro nga llogaria e Vjollca Delijorgjit dhe diferencën prej 42 mijë eurosh ja çova Vjollca Delijorgjit në shtëpi. Do të bëja gjithashtu pagesën për punonjësit e shoqërisë “Albademil” në Gërdec, e me vete kam gjithashtu 7 mijë e 700 dollarë, 25 mijë euro dhe dokumentacionin e shoqërisë “Albademil” si më poshtë... (vijon me një listë të gjatë dokumentesh, shën.red)

Pyetje: Çfarë dini tjetër për funksionimin e shoqërisë “Albademil shpk”?

Përgjigje: Unë shkoja vetëm një herë në muaj në Gërdec në kohën që bëja listpagesat në bazë të listpagesave që bënte Dritan Minxolli. Di që materialet ushtarake bliheshin te shoqëria e Ministrisë së Mbrojtjes “MEICO” dhe pastaj përpunoheshin nga shoqëria “Albademil shpk”. Hollësi të tjera nuk di lidhur me këtë problem. Kontratat e shit-blerjes i firmoste dhe i ndiqte Mihal Delijorgji.

Pyetje: Sa kohë ka që ka nisur puna dhe përse nuk janë bërë pagesat për sigurimet shoqërore të punonjësve?

Përgjigje: Puna ka filluar në muajin Maj 2007. Sigurimet shoqërore janë të paguara vetëm për ata punonjës që janë të regjistruar në zyrën e punës. Fillimisht kanë qenë 32 persona pastaj ata janë larguar dhe kanë ardhur të tjerë. Të tjerët nuk janë regjistruar te zyra e punës. Regjistrimi në zyrën e punës bëhet vetëm kur jep urdhër shefi pasi asgjë nuk mund të bëhet pa dhënë urdhër ai. Dje pasdite më thirri bashkëshortja e Mihalit, Vjollca Delijorgji dhe në prani të tyre te shtëpia e tyre më thanë që je në kohë për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe do të paguash gjithë listën e punonjësve të Gërdecit. Ndërsa letrën me shkrim dore ma dha Dritan Minxolli. Ndërsa lekët për pagesën mi dha Vjollca Delijorgji tek shtëpia e tyre. Përveç kësaj ata më thanë të bëj dhe pagesën për firmën “MEICO”, pagesë për të cilën iu fola pak më lart.

Pyetje: Ku ndodhej zyra juaj për llogari të firmës “Albademil shpk” dhe çfarë dokumentesh keni disponuar atje?

Përgjigje: Zyra ime ishte në oborrin e fabrikës në një ndërtesë një katëshe me tre zyra. Aty ishte dhe një kapanon i vogël dhe një kapanon i madh që ishin vendosur makineritë e çmontimit të fishekëve të kalibrave të ndryshëm. Në zyrë unë isha me amerikanët dhe kisha një tavolinë të veçantë pune, kompjuterin tim dhe dokumente të ndryshme. Amerikanëve që punonin bashkë me mua nuk ua mbaj mend emrat. Fillimisht ishin 2 pastaj erdhën 2 të tjerë, si duket alternoheshin. Por deri në dhjetor aty ka pasur vazhdimisht punonjës të firmës amerikane. Unë shkoja vetëm një herë në muaj pasi e kisha të detyrueshme të ndaja pagat sipas listë-pagesave. Listë-pagesat ishin mujore. Veç listë-pagesave unë bëja dhe rakordimet e blerjeve me “MEICO”. Në dy zyrat e tjera të këtij ambienti qëndronte Dritan Minxolli i cili administronte punën, aty qëndronin dhe Endri Dvorani dhe Veiz Muça të cilët mbanin listë-prezencat dhe bënin punë të tjera në fabrikë. Unë paraprakisht shkruaja borderotë në kompjuter, rakordoja me Dritan Minxollin për emrat numrin e punëtorëve dhe pagesat. Më pas filloja shpërndarjen e pagave të punëtorëve. Pagesat ishin sipas punës pasi ishte me normë.

Pyetje: A keni bërë pagesa për trajnimin e punonjësve në ditët para se të fillonin punën rregullisht?

Përgjigje: Jo nuk kam bërë pagesa të tilla. Kam bërë pagesa vetëm siç e shpjegova më sipër. Për këtë punë që unë bëj për llogari të firmës “Albademil” unë paguhem 50 mijë lekë në muaj. Ekspert kontabël i autorizuar i firmës është Leze Abazi. Firma, produktet e përpunuara si barutin, bronzin, skrapin etj, i shiste si brenda dhe jashtë vendit. Brenda vendit i ka shitur kompanisë “Alfa Nikel shpk “, ndërsa jashtë vendit i ka shitur kompanisë “Brammer Venture Cold Liberia” si dhe kompanisë amerikane “Suthern Ammunition”.

Tjetër gjë nuk kam për të deklaruar, procesverbalin e firmos pa vërejtje.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›