Studimet ne Itali, përcaktohet afati për dorëzimin e Dëftesës së Pjekurisë
Përcaktohet afati i dorëzimit të Dëftesës së Pjekurisë, për ndjekjen e studimeve të larta në Itali, pranë Ambasadës Italiane. Kjo e fundit, bën të ditur se aplikantët që duan të ndjekin studimet e larta në një nga universitetet italiane, duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, jo më vonë se data 10 gusht. Ora 12.00 e kësaj date, është afati i fundit që një aplikant të paraqesë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, certifikatën e Maturës, e cila duhet të dorëzohet e mbyllur në zarf. Për të evituar ndonjë problem në paraqitjen e dokumenteve, gjë që mund rrezikojë edhe të drejtën e tyre për studim jashtë vendit, aplikantët duhet të tregohen shumë korrekt në zbatimin e rregullave që ka vendosur kjo Ambasadë për këtë aplikim. Ambasada Italiane është e vetmja nga të gjitha shtetet e tjera që kërkon certifikatën e Maturës Shtetërore, si dokument kryesor për maturantët që duan të konkurrojnë për në universitetet italiane. Gjithashtu, kusht kryesor për të ndjekur studimet në një nga universitetet italiane është që duhet të kalohen të dyja provimet me zgjedhje, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare. Sipas rregullave të përcaktuara nga Ambasada Italiane, Dëftesa e Pjekurisë duhet të jetë në origjinal, e firmosur dhe vulosur nga Drejtoria Arsimore e Rrethit dhe nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, ajo duhet përkthyer në italisht në çdo pjesë të saj, noterizuar tek noteri dhe në fund legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Vetëm pasi ky origjinal të jetë vulosur e firmosur në Drejtorinë Arsimore të Rrethit dhe në Ministrinë e Arsimit, të jetë përkthyer, të jetë noterizuar dhe në fund të jetë legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare, asaj duhet t’i bëhen dhe dy fotokopje, të panoterizuara, por të kapura veç e veç, me pincetë kancelerie, të të gjitha fletëve, përfshirë: vulat e institucioneve shqiptare, përkthimin, noterizimin dhe legalizim në Ministrinë e Jashtme që i keni bërë origjinalit.
Të njëjtin afat për dorëzimin e Dëftesës së Pjekurisë kanë edhe aplikantët, të cilët e kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e mëparshme, por provimeve të Maturës Shtetërore do t’i nënshtrohen këtë verë. Këta aplikantë duhet të paraqesin pranë Ambasadës Italiane certifikatën e Maturës Shtetërore në origjinal, lëshuar këtë vit nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Vetëm pasi ky origjinal të jetë përkthyer, noterizuar dhe në fund legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare duhet t’i bëhen dhe dy fotokopje, të panoterizuara, por edhe të gjitha fletëve, përfshirë, përkthimin e noterizimin dhe legalizimin në Ministrinë e Jashtme që i keni bërë origjinalit. Ndërsa studentët që e kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Dëftesa e Pjekurisë në origjinal dhe certifikata e Maturës Shtetërore në origjinal, të përkthyera, noterizuara dhe legalizuara, që do të dorëzoni në fazat përkatëse, do iu rikthehen në fund, përpara nisjes, nëpërmjet postës së union express-it, në mënyrë që t’i dorëzoni personalisht pranë sekretarive të universiteteve përkatëse, për të mbyllur regjistrimin, së bashku me origjinalin e certifikatës së “Celi 3”. J.Tashi
25 Maj 2009