E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi, duhanpirja në moshat shkollore më e predispozuar



Duhanpirja në moshat shkollore po shënon një rritje gjithmonë e më të lartë. Sipas një studimi të kryer nga autoritetet shëndetësore, në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të kryeqytetit duhanpirja ka arritur në shifrat 16 për qind të duhanpirësve. Të gjithë këta të rinj janë duhanpirës, ndërsa rreth 16.8 për qind e tyre kanë ndërmend që ta fillojnë cigaren. Shtimi i fëmijëve që pinë duhan vjen si rezultat e rritjes në ambiente duhanpirëse, në familje apo në ambiente të konsumimit të duhanit. Nga të dhënat e studimit del se mbi 8 në 10 nxënës jetojnë në shtëpi ku të tjerët pinë duhan në praninë e tyre; mbi 9 në 10 janë të ekspozuar nga duhanpirja në vendet publike, ndërsa pothuajse gjysma e nxënësve kanë prindër duhanpirës. Ndërkohë, të rinjtë dhe adoleshentët mendojnë se duhani është më pak i dëmshëm se veset e tjera dhe se një paketë cigare nuk sjell ndonjë dëm të madh. Pjesa më e madhe e njerëzve në të gjithë botën e fillojnë duhanin para moshës 18 vjeç dhe afërsisht një e katërta e tyre fillojnë të pinë duhan para moshës 10 vjeç. Sa më të vegjël të jenë në moshë, kur fillojnë të provojnë duhan, aq më shumë mundësi ka që të kthehen në duhanpirës të rregullt dhe kanë shume pak mundësi që ta lënë duhanin. Ministria e Shëndetësisë ka kryer përllogaritjet, ku rezulton se duhanpirja në vendin tonë llogaritet të jetë në nivele më të larta se në vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që shqetësues është numri në rritje i të rinjve që pinë duhan. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, duhanpirja në vendin tonë vlerësohet në masën 39% kundrejt 28.6 % në vendet e Bashkimit Europian. Duhanpirja është më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat, përkatësisht 60 %, kundrejt 18%.

Ditët e nxehta, qytetarët u rikthehen pishinave

Ditët e nxehta që sapo kanë nisur, i kanë drejtuar qytetarët për në pishina. Jo të gjithë qytetarët i drejtohen bregdetit për shkak të pamundësisë për të shkuar në një nga vendet bregdetare. Por, ata kanë filluar sezonin veror, duke u freskuar në ujin e pishinave. Vitin e kaluar uji i pishinave ka rezultuar problematik për shkak të ndotjes dhe masës së tepruar të klorit që gjendje në të. Aktualisht problemet ende nuk kanë filluar pasi, sezoni sapo ka filluar dhe fluksi i qytetarëve është ende i ulët. Pushimet e qytetarëve në pishina nuk kanë filluar ende të jenë të përvitshme për shkak të angazhimeve të qytetarëve, pasi periudha e marrjes së lejeve verore nuk ka filluar ende. Ndërkohë, që ISHP-ja do të angazhohet në ekzaminimet e përhershme për kryerjen e analizave të ujit dhe marrjen e masave parandaluese për rrezikun që u kanoset qytetarëve në rast të shfaqjes së problemeve.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›