Teleprotestuesit
Kështjellat mbrojtëse, në përfytyrim të vonët, janë të largëta, diku mbi maja malesh, gjysmë të rrënuara apo mbetur në copëza muranash. Në këtë vend, me sigurinë e përllogaritur, qenë ndërtuar edhe kështjellat e tmerrit - Burgjet, që komunizmi i mbiu si kërpudha. Gjithkush ua dinte vendemrat rrënqethës, si ta zëmë, burgu më vrastar, ai i Burrelit, për të cilin thuhej, “Burrel, hyn e nuk del”, Spaç, Qafë - Bari, ShënVasi, Bulqizë, Torovicë, etj., e plot kampe internimi si, në Jubë, Beden, Tërbuf e deri pafund. Por, në biseda, përmendeshin rrallë e asfare, thua se nuk ishin kurrkund. Shtypi nuk botonte asgjë. Më shumë rrinte varur ideja e një frike të hamendësuar, sepse nuk mund të dije mbi çka ndodhte atje brenda, një botë e poshtme, por që mund të mbërrihej, e bëhej e jotja, fort lehtë.
Pabesueshëm u gjet një kasetë me filmime VHS. As nuk mund të dyshohej se ishin të kryera nga Sigurimi i Shtetit. Kush tjetër mund të futej në atë Ferr të thellë, dhe cili mund të kishte të drejtën e përdorimit të një kamere brenda në Ferr? Peizazhi i maleve rrethues ishte një copë Sahara. Ngado kuq, si përgjakje e patharë. Diku, te goja e vdekjes, e galerisë së krimit, ishte ajo, dera e Spaçit. E madhe për të hyrë, e vogël për të dalë. Rretherrotull një thurje e përzier, shtylla betoni të larta e tela me gjemba, pa kursim. Aty-këtu, edhe më sipër, renditeshin me rregull vendrojet, me ushtri të urdhëruara për të qëlluar pa paralajmërim. Bujtina ishte mëse e rëndomtë, një stërgjatëshe tullash, në muret e së cilës, coptuar nga dritaret, qenë shkruar parulla për partinë. Përpara shtrihej një sheshtinë, si padokët e stallave të koperativave bujqësore, për nxjerrjen, shmpirjen e rrezitjen e kafshëve. Të burgosurit zhytur brenda uniformave të dokut në ngjyrë dheu, në një kuadraturë të shformuar, ecnin varavingo, ashtu, kokëqethur e syzgurdulluar. Qënie të vështira për t’u përcaktuar: Njerëz a skllevër? Frymorë a zgrabull? Sepse, mbi ta, përshembull, plumbi mund të lëshohej për hiçgjë. Mund të vriteshin paparalajmërim, nëse dikujt i shkrepte t’i ikte ferrit. Ato qenë gjallesa sociale që llogariteshin për kriminelë politikë. Vuajtja e tyre ishte tragjedi në një dekor cinik: sa herë hapi mbërrinte kufizimin e duhet të prapaktheheshin për kah bujtina, sytë u përplaseshin në citate të kuqe të diktatorit, vulosur mbi tullat e pasuvatuara, ku qe mbërthyer e valëvitej flamuri kombëtar. Më 22 maj 1973, aty, në Spaç, të burgosurit trima ia hoqën flamurit yllin, sepse ishte shtesë e përdhunshme mbi të. Nuk përbënte diçka kombëtare, ngaqë ylli i përkiste komunizmit dhe ata vuanin aty pikërisht si kundërshtarë të sistemit. Ajo revoltë, prijësve të saj, u kushtoi jetën.
Ato filmime të pazakonshme, duhet t’i kishte kryer Sigurimi i Shtetit, ndoshta pas revoltës, për t’i sjellë dëshmi pamore udhëheqjes, se rebelimi qe shtypur, se diktatura e proletariatit kishte rënë fuqishëm mbi kriminelët, se armiqtë e popullit u qenë kthyer varavingove të heshtura, ashtu siç shiheshin në filmimet, në VHS. Televizioni Shqiptar, me to përgatiti një dokumentar për burgjet politike të Shqipërisë, për kampet e internimit, përfshirë varrezat e tyre, që gjindeshin diku, në afërsi dhe askund. Ato sheshtina të vdekurish pa emra, përbënin një kujtesë, për këdo që fuste kokën brenda qerthullit të televe me gjemba se, shumëkush fatin e kishte të paracaktuar: dihej dita e burgosjes, nuk dihej dita e varrosjes. Vetëm kur ajo mbërrinte, do të kishte dalje nga burgu, një rrugëtim i shkurtër, deri te hyrja, ku hapej gropa për të kallur brenda një armik.Vitet e dënimit duhej të vijonin edhe nën dhe, pa kurrfarë shenje përsipër, thjeshtë varr pa emër, pa të drejtë për zhvarrosje nga të afërmit. Dënimi politik ishte kryekrim dhe kryeturp, çka ndalonte kthimin në vendlindje, për një varr mes të vdekurve.
Televizioni dha filmime nga ato strofka çnjerëzore të urryera. Por teleprotestat mbërritën qysh atë natë. Nga shpejtësia për të telefonuar, fjalori i përzgjedhur, egërsia e shprehjes dhe mbeteja anonimë, nuk kishte kurrfarë vështirësie për ta marrë me mend se protestonin persekutorët duke thënë se, “Ata që dha Televizioni janë Armiq të Popullit. Dënimi i tyre ka qenë i drejtë. Televizioni Shqiptar të ketë turp, se është vënë në shpërbim të reaksionarëve”.