E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi recidivist që mban peng edvinizmin

Nëse ka një njeri që nuk mëson nga gabimet, ai quhet Edi Rama. Në mënyrë recidive, Kryetari i Partisë Socialiste paralajmëroi rinisjen e protestave në çdo fshat të Shqipërisë për t’i hapur kutitë, edhe në mënyrë brutale. Avazi i kutive është bërë obsesioni brutal i kësaj politike të re, një matricë infantile. Javën e ardhshme pritet të mblidhet grupi parlamentar i PS-së për përcaktimin e hapave të mëtejshme të opozitës. është e qartë ashiqare se Shoferi i autobusit rozë Rama, po e përdor partinë si një traktor që ka ndalur në një stacion për ta furnizuar me karburant e energji të reja për rrugën e saj drejt të panjohurës elektorale të 2011-s. Bile ka vendosur me të nisur nga ky stacion të shkelë të gjithë rregullat e qarkullimit të lirë të shqiptarëve në BE. Këtë e ka pohuar haptazi në konferencë për shtyp ku është shprehur se “Jam i bindur që do të jetë një reagim i fortë dhe i barasvlershëm me aktin brutal…”. Faktet po e tregojnë se ai ka nevojë të mbajë gjallë zjarrin e protestave duke gërryer Qeverinë në moçale “kutiste” për dobësuar përpara zgjidhjes finale në zgjedhjet lokale të 2011. Ky është synimi i liderit të opozitës, i cili i ka bërë llogaritë pa marrë parasysh kostot dhe energjitë që do të shpenzohen në këtë betejë vjeshtore, pasi jo të gjithë në Partinë Socialiste ndaj filozofinë e brutalitetit dhe kauzave të humbura qysh në fillim. Urrejtja militante nuk shkon larg. E vetmja krizë që gjallon në reaminacion është në selinë rozë, krerët e së cilës do t’u duhet të justifikojnë para elektoratit të tyre energjitë e harxhuara për muaj me radhë duke mbajtur gjallë shpresën e militantëve për rrëzimin e qeverisë me anë të protestave në rrugë, grevës së urisë, bojkotit të Parlamentit dhe bllokimit të akseve nacionale si një shenjë e
mosbindjes civile. Edvin Rama po përpiqet të ndërtojë një skenar të ri, pra një rinisje e ekskursioneve e protestave lokale, një grevë urie e dytë (me Ramën apo pa Ramën), një bojkot i ri i Parlamentit nga ana e opozitës. Një skenar i pamundur dhe i paarsyeshëm në një kohë kur premtimi parësor i socialistëve “do hapen kutitë ose do largohet qeveria Berisha”, i bërë nga lidershipi i opozitës ndaj militantëve të saj, nuk është realizuar. Perceptimi dhe vlera e kauzës së kutive u zhvlerësua në bursën e opinionit publik pas eksperimentit të grevës dhe darkës në Strasburg. E majta, sado e kamufluar, nuk mund të okupojë sistemin politik dhe të cenojë integritetin kushtetues.
Ndërkaq vetëm dy ditë më parë Partitë Popullore Europiane kanë vënë në dukje se “qeveria shqiptare ka bërë lëshime të shumta në mënyrë që të plotësojë kërkesat e opozitës, duke i ofruar asaj edhe shumicën dhe kryesinë e komisionit hetimor, por Edi Rama dhe opozita kanë bërë në vazhdimësi kërkesa të reja në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin elektoral dhe vendimet e mëhershme të gjykatave”. Ekstaza antikushtetuese që përjeton lidershipi socialist nuk ka lidhje me transparencën e pretenduar të zgjedhjeve. çka ka detyruar PPE të arrijë në konkluzionin se “zoti Rama nuk është aspak i interesuar në gjetjen e një marrëveshje politike në përputhje me rendin ligjor dhe Kushtetutën”. Sekuenca e mistifikimeve nuk do të ndalen as në vapë dhe as në shi sepse interesat e ngushta të lobit të betonarmesë në Partinë socialistë janë më të forta sesa interesat dhe aspirata legjitime të shqiptarëve të ndershëm. Opozita, sikundër ndodh në vendet europiane demokratike duhet të ketë një predispozicion më të madh dhe më shumë vëmendje ndaj asaj çka është publike dhe e përbashkët, sesa ndaj asaj çka është private dhe individuale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›