Studentët e juridikut mbeten dy javë pa mësim
Prej dy javësh pa mësim. Studentët e Juridikut dhe të Shkencave Sociale vijojnë të jenë në "rrugë". Shkolla 9-vjeçare "Migjeni", të cilën Ministria e Arsimit ua vuri në dispozicion, rezultoi të ishte vetëm një "mashtrim" i vogël. Kjo pasi në ambientet e kësaj shkolle ende nuk kanë përfunduar punimet dhe është e pamundur të bëhet mësim. Në ajër mbeten edhe zërat për transferimin e studentëve të Shkencave Sociale në disa prej auditorëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Konkretisht nuk u ndërmor asnjë masë. Ndonëse nuk po mbrojnë një kauzë, por jetën e tyre, të cilëve pasojat e pezullimit të mësimit do t'u bien në kurriz. Kjo pasi këto orë leksionesh që po humbin përditë nuk dihet kur dhe si do t'i zëvendësojnë. Nuk është ngritur ende grupi i ekspertëve që do të vlerësojnë kushtet teknike të godinës së Juridikut, e cila rrezikon të shembet. MASH shkel në këtë mënyrë edhe premtimin për një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi. Përballë kësaj situatë studentët mbeten të vendosur. Bojkot mësimit, deri sa të kenë auditorë për të qenë e jo t'u rrezikohet jeta në godina të plasaritura që rrezikojnë të bien.