Olldashi: Ja kur do japim ‘OK’ për plani rregullues të Tiranës
Nëse plani rregullues i Tiranës është një eveniment pozitiv, për kryeqytetin do të marrë 'ok' nga qeveria. Por e kundërta do të ndodhë nëse ky plan do të shërbejë për klientelizmin e bashkisë. Në një deklaratë për mediat, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, u shpreh se "është ende për t'u parë, por është pozitive që më në fund kemi një dokument, megjithëse me shumë vonesë, pasi duhet të kishte përfunduar më shumë se 1 vit e gjysmë me vonesë, por më mirë vonë se kurrë. Duhet të shohim se çfarë cilësie ka ky dokument, në është vërtet një plan rregullues për Tiranën, apo është një plan që rrit problemet e klientelizmit të Bashkisë. Megjithatë nuk dua të paragjykoj. Nëse është një plan që rregullon Tiranën, do të thosha që ky është një eveniment pozitiv dhe që ministria do të angazhohet të përshpejtojë të gjitha procedurat për miratimin e tij në të gjithë shkallët. Nëse jo, sigurisht që ne do të mbajmë qëndrimin që duhet të mbajmë, që të rikthehet e të rishqyrtohet nga e para", ka thënë ministri. Po dje, Olldashi ka firmosur kontratat për planet rregullues të katër qyteteve. "Ky është një moment mjaft pozitiv për faktin që kemi të bëjmë me qytete të mëdha, si Shkodrën, Durrësin, bashkinë e Kamzës dhe Vlorën për përfshirjen në paketën e parë, të cilat brenda dhjetorit të vitit tjetër do të kenë planet e tyre rregulluese", tha ministri. Sipas tij, në vazhdën e kësaj pakete ne kemi paketën e dytë, e cila do të nënshkruhet së shpejti edhe për katër qytete të tjera dhe shpresoj që në këtë mënyrë komponenti shkon drejt realizimit tërësor të vetin, për t'i dhënë disa prej qendrave urbane më të mëdha të vendit planet e përgjithshme rregulluese dhe një zhvillim urban të planifikuar, të kontrolluar dhe të orientuar drejt zhvillimeve që janë paraparë për këto qendra urbane. "Vlera e kontratës për hartimin e planeve rregulluese të këtyre katër qyteteve është rreth 1 milion euro, të cilat do të përfundojnë brenda një afati kohor deri në 31 dhjetor 2009", u shpreh ministri Olldashi.