E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri bën gati kopjen e çelësit

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje Flamuri ishte i trishtuar. Për herë të parë pas tri vitesh doktori nuk e mori në telefon dhe nuk i tha të përgatiste takimin e radhës. E kishte me Genc Pollon, se do shkrihej PDR. I mërzitur doli në kafe dhe s’kishte me kë të qante hallin.

Kur mbaroi takimi, mori në telefon Ridvan Boden.

- Çfarë do bëhet me zyrat tani? - i tha. - Ku do ta fusim atë Kuqon?

- Kë Kuqo, bre byrazer, se s’e kam idenë ç’thua?

- Po atë Genc Pollon, kë tjetër?

- Hajt mos u mërzit, se s’ka lidhje me zyrat ai. Deri në Kuvend do rrijë nga zyra e vet. Pastaj, nëse vjen, le të rrijë në kat të dytë, ku e ka pasur zyrën. Katin e tretë e kemi bërë vetë, nuk lëmë njeri të ngjitet sipër.

- Mirë mo mirë, po ky punonjësi i lavazhit që kemi ç’do bëjë, se ky thotë: “Po do vijë Genc Pollo, do ta vras, se ka tradhtu doktorin”?

- Hajt se zbuten ata, mos ça kokë. Ja, shikojnë doktorin në lajme dhe zbuten. Aq e kanë ata. Ti sillu mirë për vete. Po kërkoi zyrë, jepi një në kat të dytë. Ai nuk të bezdis. Dhe po erdhi, mbyllet brenda, se e-mail-e shkruan gjithë ditën. Tani s’ka as kujt t’i raportojë, se një parti jemi.

- Po këtij Lul Bashës si t’ia bëj mor burrë, se më kërkon dhe ky pra zyrën e KOP-it? I kam thënë, s’ka zyrë KOP-i më, por jo, ngul këmbë, ka. Thashë t’i thoja njëherë rregulloje me Gazmend Dibrën të të rregullojë ndonjë qeli të mirë, por kam frikë se ia tregon atij burrit dhe ai nuk duron dot fare aty.

- Po ç’ke o ty mbylltë që zihesh me të gjithë? Bëji një kopje çelësi derës, jepja Pollos dhe Lulit dhe aq. Katin e tretë e kemi vetë, se mezi e kemi bërë me kontribut vullnetar.

- Po mirë, këtë selinë e partisë së Pollos kush do ta marrë tani? Ta mbajmë të çojmë degën e Tiranës atje që mos t’i kemi më nëpër këmbë.

- Ajo i duhet dorëzuar shtetit, se shteti ia ka dhënë. Dhe them ta kalojmë në privatizim, po s’ka pronarë.

- Po këto dosjet që kemi këtu ne, që Pollo ka shitur “Tajvanin” për 6 mijë dollarë te miku i tij më 1997, do t’i mbajmë apo t’i hedhim?

- Mbaji njëherë t’i kemi, që po e drodhi prapë, t’ia përdorim. Por tani kanë kaluar mbi dhjetë vjet dhe s’i dënojmë dot më duket.

- Nuk e di, po ai burri atëherë, kur m’i dha, më tha: “Mbaji këto, se do na duhen. Kur të marrim pushtetin, - tha, - do ta fusim në burg.” Se “Tajvani” ka qenë pronë e PD dhe ai ia ka shitur një biznesmeni 6 mijë dollarë që dhe ato s’na i ka dhënë. Erdhëm në pushtet, dhe ai jo vetëm që s’e dënoi, po e la të bënte aq shumë pará, sa ato lekët e “Tajvanit” duken si pará xhepi.

- Të drejtë ke, po s’ke ç’i bën tani. Fushata elektorale i ka këto. Më mirë të dalë në krye të fushatës, se për të humbur kemi. Të paktën të kemi kujt t’ia faturojmë, mos të na ngelet ne. Ne, sa ishim, bëmë ndonjë punë. Ky vetëm për prishje është.

- Mirë, o mirë. Tani prit kur të vijë dhe Fatmir Mediu dhe atë kemi mangut. Të na vijnë korridoret e PD era barut.

- Do vijnë ata të gjithë. Arian Starova ishte regjistruar te seksioni i lagjes bashkë më Ekrem Spahiun. Artur Roshi kishte kërkuar vetëm të ishte kryetar seksioni te lagjja e vet, kurse Alimadhi kishte kërkuar ta lejojnë të mbajë qeleshe nga të Ballit në mbledhje. Kushte të lehta kishin. Vetëm ky Kuqua do nënkryetar. Po një m… ka për t’u bërë. Prit se ia tregojmë qejfin tani që u shkri. Tani do ta fusim në proces legalizimi te Shabani dhe s’dihet si del.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›