E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të gjithë shqiptarët janë gëzuar që unë u bashkova me Pollon

Nga Armand Maho

Pas më shumë se nëntë vjetësh, Berisha dhe Pollo do të jenë sërish në krah të njëri-tjetrit. Dy partitë e tyre duket se s’do kenë më sigla të veçanta, por do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme nën një sigël të vetme. Genc Pollo, i cili në vitin 1999 u largua nga Partia Demokratike, pasi nuk arriti të merrte vendin e kryetarit, dje ka firmosur marrëveshjen e bashkimit të tyre me ish-rivalin e tij të vjetër, Sali Berisha. Vetë Pollo është shprehur se divergjencat e vitit 1999-2001 janë tashmë një kapitull i mbyllur dhe synimi kryesor i dy partive është fitorja e zgjedhjeve të vitit 2009

Shkrirja

Duket se i këtij mendimi është dhe kryeministri, Sali Berisha, i cili në këto tre vite te Pollo ka parë bashkëpunëtorin e tij besnik dhe të bindur, me të cilin sipas tij kanë pasur një vizion të përbashkët për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. “Bashkimi ynë bazohet në kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët, i cili në Shqipëri faktohet si një vizion i madh social me hapat e hedhur në drejtim të integrimit të vendit në NATO e BE, si dhe me arritjet e mëdha në konsolidimin e standardeve demokratike”, - tha Berisha. Sipas tij, këtë lajm e mirëpresin anembanë shqiptarët në të gjithë vendin, e mirëpresin dhe Partitë Popullore Evropiane. “E mirëpresin jo vetëm e djathta dhe qendra e djathtë shqiptare, por mbarë shqiptarët. Ky lajm është i mirëpritur edhe nga kryesia e Partisë Popullore Evropiane”, - tha Berisha.

Historia

Historia e ndarjes së ish-nënkryetarit të PD, Pollo, daton në vitin 1999, kur Pollo, pasi humbu në kongres përballë Berishës dhe pasi hodhi një mori akuzash ndaj tij, vendosi të ndahej nga PD, duke marrë me vete dhe të pakënaqurit e asaj kohe. Në zgjedhjet e vitit 2001 arriti që duke manipuluar siglën e PD të merrte një sasi të konsiderueshme votash, duke arritur të fusë gjashtë deputetë në Kuvend. Berisha asokohe e akuzoi si “patericë të PS”, pasi dha një kontribut negativ me anë të siglës. Pollo e kishte dhënë dhe në vitin 2000 me zgjedhjet lokale, duke bërë dhe një fushatë denigruese për PD. Përgjatë gjithë viteve deri në vitin 2005, megjithëse nuk ishte vetë në Kuvend, qëndrimet e tij ndaj PD, asokohe në opozitë, kanë qenë kundërshtuese. Në vitin 2005, PDR do të afrohej me PD dhe për gati tre vjet Pollo do të kishte një histori afrimi me Berishën, duke mbajtur dhe postin e ministrit të Arsimit. Përpara disa muajsh, pak kohë pas ngjarjes së Gërdecit, me ndryshimet në qeveri Pollo do të zinte vendin e zëvendëskryeministrit të lënë bosh nga ish-zëvendëskryeministri, Gazmend Oketa, që mori postin e ministrit të Mbrojtjes.

Si do realizohet shkrirja

Procesi i unifikimit të dy partive parashikon të shtrihet në të gjitha strukturat partiake, që nga degët, organizatat mbështetëse, (forumet rinore dhe forumet e gruas) e deri në forumet qendrore drejtuese.

Anëtarësisë së dy partive iu njihet automatikisht vjetërsia e jetës së mëparshme në formacionet politike respektive.

Procesi i bashkimit në të gjitha nivelet quhet i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, që parashikohen të kryhen brenda tremujorit të parë të vitit 2009.

Gjatë kësaj periudhe, deri në bashkimin e plotë, të gjitha strukturat e dy partive do të bashkëpunojnë ngushtësisht për realizimin e kësaj nisme dhe për të gjitha aktivitetet e tjera partiake. Ky proces do të ndiqet nga një grup pune i përbashkët, i drejtuar nga nënkryetarët dhe njëkohësisht kryetarë të grupeve parlamentare të PD dhe PDR, përkatësisht, Astrit Patozi dhe Tritan Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›