Thirrja e fundit
1.
Në librin e tij monumental “Rrno vetëm për me tregue” Atë Zef Pllumi ka botuar faksimilet e dënimeve me vdekje të shpallura nga gjykatat e Shqipërisë komuniste në prag të viteve ‘50. Përmes këtyre letrave zyrtare, të shkruara me një gjuhë teknikisht të ftohtë, instancat më të larta të pushtetit njoftoheshin për arrestimin e “armiqve të popullit”. Fjala është kryesisht për klerikë katolikë, por edhe intelektualë, të cilët kishin studiuar në Perëndim. Këta njerëz zakonisht prangoseshin në terrin e thellë të natës, pastaj atyre iu lexohej vendimi për ekzekutim dhe në orët e hershme të mëngjesit ose gjatë ditës pushkatoheshin. Pas këtij krimi oficerët i hidhnin viktimat në gropa dhe menjëherë shkruanin protokollin. Në secilin protokoll janë shënuar fjalët e fundit të viktimave. Secili klerik, para se të largohej nga kjo botë, citohet të ketë thënë: “Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Jezu Krishti!” Kjo ishte thirrja e tyre e fundit. Ky ishte triumfi i tyre para se t’i godisnin plumbat. Në vitin 2006, një vit para vdekjes, Zef Pllumi, ky kronist i skëterrës komuniste dhe viktimë e regjimit të Enver Hoxhës, u nderua nga presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, me dekoratën “Nderi i Kombit”. Kosova nuk e ka nderuar me asgjë Zef Pllumin. Nuk është kujtuar askush për një gjest të tillë, sepse pushtetarët e Prishtinës i kanë harxhuar të gjitha mirënjohjet, duke i ndarë për pikë politike.
2.
Kur filloi eliminimin e një pjese të madhe të klerikëve në fund të viteve ‘40, Enver Hoxha tashmë ishte dëshmuar si mjeshtër i vdekjes. Të parët që i kishte ekzekutuar apo dënuar me burg ishin familjarët e tij. Në grupin e intelektualëve të pushkatuar në vitin 1945 ishte edhe Bahri Omari, burri i motrës së Enver Hoxhës. Omari akuzohej se kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit. Por, ai kishte besuar se do t’i shpëtonte pushkatimit, sepse e kishte strehuar Hoxhën gjatë luftës. Omari nuk kishte pranuar të arratisej, duke thënë se Enver Hoxha i kishte premtuar siguri. Një viktimë tjetër prominente është Musine Kokalari, shkrimtare dhe intelektuale e njohur e kohës. Ajo u arrestua në vitin 1946. U dënua me 20 vjet burg. Në vitin 1961 internohet. Vdes nga kanceri në vitin 1983. Kokalari ishte kushërirë e Enver Hoxhës. Pas rënies së sistemit komunist u nderua me medaljen “Martir i Demokracisë”.
3.
Shkrimtari polak Andrzej Stasiuk ka shkruar se, “të mendosh për Shqipërinë, domethënë të mendosh për vetminë”. Shqipëria, sipas tij, është një “diçka”, që në kohën e komunizmit i shfaqej Evropës Perëndimore si frikë. Stasiuk nënvizon se “kush i thotë vetes evropian, ai duhet ta vizitojë vendin e shqipeve, sepse ky udhëtim çdokujt do t’i shërbejë si rit për të kuptuar Evropën e sotme”. Me fjalë të tjera: Kontinenti i vjetër ka shumë të meta, por asgjë nuk krahasohet me tmerrin e dikurshëm komunist. Atëherë kur fshatarët gati analfabetë detyroheshin të shkruanin parulla “Mbahu Vietnam”, “Poshtë imperializmi” etj. Trashëgimia më e dukshme e kësaj epoke janë 700 mijë bunkerë, të cilët u ndërtuan nëpër kopshte, plazhe, ullishte, në kodra dhe buzë lumenjve. Në këta bunkerë shqiptarët duhej të mbroheshin nga pushtimi amerikan apo sovjetik. Por, Shqipëria e kuqe u vetëbetonua kot. Askujt nuk iu duk atraktive as për ta pushtuar. Sot bunkerët nëpër fshatra shërbejnë si haur ose për të lënë ushqimin e kafshëve, buzë detit disa biznesmenë kreativë i kanë shndërruar këto relikte të së kaluarës në restorante.
4.
Pasi ishte prishur për arsye ideologjike me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën, Shqipëria në fund të viteve ‘70 mbeti vetëm. Qyqe. Të parët që u përpoqën ta nxirrnin nga izolimi ishin gjermanët. Në vitin 1984, Shqipërinë e vizitoi kryeministri i atëhershëm i landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss. Ai nuk arriti ndonjë sukses, përveç shitjes së disa kamionëve gjermanë. Si një tribun popullor, Straussi i kishte thënë Manush Myftiut, zëvendëskryeministrit të atëhershëm, këtë fjali legjendare: “Edhe pse kam vetëm një orë që po ju njoh, unë ju besoj juve shqiptarëve”. Por, kjo nuk bëri punë, sepse Enver Hoxha nuk i besonte askujt. Duke i raportuar diktatorit për takimin me Straussin, Manush Myftiu thotë: “Për disa çështje ai premtoi se do t’i raportonte edhe Kolit (kancelarit Helmut Kohl), por jo në mënyrë publike. Më tha se do të na dërgonte falënderimin e tij edhe me shkrim, madje edhe ndonjë dhuratë (më duket se tha një kobure)”. Përgjigjja e Enver Hoxhës është edhe më komike: “Po, ne do të presim, kur ai të dërgojë falënderimet dhe koburen”. Nuk dihet, nëse Straussi vërtet e kishte mbajtur premtimin.