Serbët: Refuzimi i prokurorisë shqiptare ndaj hetimeve për trafik organesh, politik
Tri ditës pas vizitës së tij në Tiranë, prokurori serb per krime lufte, Vladimir Vukçeviç, e ka cilësuar refuzimin e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj hetimeve për trafikun e organeve, si politik. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e cila është shprehur se vendimi për mosnisjen e hetimeve për dyshimet e serbëve, se në zonën e Matit janë trafikuar organe të ushtarëve serbë gjatë luftës me Kosovën, është në përputhje me ligjet e shtetit tonë. Përveç kësaj, kryeprokurorja është shprehur se hetimet e Tribunalit të Hagës, bërë në vitin 2005, kanë konkluduar se pretendimet për trafikim organesh nuk janë të vërteta. Për këtë arsye, sipas Ramës, nuk ka asnjë motiv që të kryhen sërish hetime për dyshimet e serbëve. Pretendimet e këtyre të fundit kanë për bazë librin e ish-kryeprokuroren e Hagës, Karla Del Ponte, “Gjuetia”. Në librin e saj, Del Ponte flet për ekzistencën e një klinike në Gurrë të rrethit të Matit, ku anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës grumbullonin ushtarë serbe, duke iu hequr organet, të cilat i përdornin për transplant.
Pretendimi serb
Gjatë ditës së djeshme, prokurori serb per krime lufte, Vladimir Vukçeviç, e ka cilësuar si vendim të motivuar politikisht refuzimin e Tiranës, që prokuroria serbe të zhvillojë hetime në Shqipëri, mbi dyshimet për trafikim organesh të serbëve gjatë luftës me Kosovën. Deklarata e kryeprokurorit serb është bërë vetëm tri ditës pas vizitës së tij në Tiranë, ku edhe u takua me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Kjo e fundit, i deklaroi Vukçeviçit se prokuroria jonë nuk do të ndihmojë prokurorinë serbe, por vetëm Tribunalin e Hagës, nëse ky tribunal vendos të rihapë hetimet. “Prokuroria shqiptare ka marrë një vendim të shpejtë, qartazi nën presion të madh politik, për të mos marrë në konsideratë evidencat tona”, - ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, Bruno Vekariç. Prokurori serb, Vukçeviç, deklaroi dje për mediat e vendit të tij, se ka informacion për mbi 300 persona të zhdukur gjatë luftës me Kosovën, për të cilët, ai dyshon se janë përdorur për transplant organesh. Për këtë arsye, Vukçeviç është shprehur se duhet që të nisin hetimet nga ana e prokurorisë shqiptare, ose nga institucione të tjera ndërkombëtare. “Por, Prokuroria e Përgjithshme shqiptare refuzoi kërkesën e ngritur nga Serbia për të hetuar pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte”, - u shpreh Vukçeviç.
Reagimi i Ramës
“Vendimi i prokurorisë shqiptare nuk është aspak i nxituar, por është marrë në përputhje me të gjitha normat ligjore të shtetit shqiptar”. Ky është reagimi zyrtar i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ndaj deklaratave të prokurorit serb, Vladimir Vukçeviç. Kryeprokurorja, Ina Rama, është shprehur se vendimi për mosnisjen e hetimeve për dyshimet e serbëve, se në zonën e Matit janë trafikuar organe të ushtarëve serbë gjatë luftës me Kosovën, është në përputhje me ligjet e shtetit tonë. Në një deklaratë të mëparshme, pak ditë pas botimit të librit “Gjuetia”, me autore ish-kryeprokuroren e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla Del Ponte, Prokuroria e Përgjithshme pati deklaruar se një hetim ndërkombëtar ishte kryer për këtë çështje në vitin 2005. Veprimet hetimore ishin realizuar nga prokuroria shqiptare, bashkë me hetuesit e Hagës, të cilët kishin arritur në përfundimin se të dhënat për trafik organesh në zonën e Burrelit, nuk rezultonin të vërteta. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës, për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk ishin të vërteta”.