Qytetarët janë të “llastuar”
Qytetarët gjithmonë janë të pakënaqur. Qajnë për rritjen e taksave të ndryshme, hidhërohen për rrogat e mëdha të pushtetarëve, kukasin për hajnitë e politikanëve, tmerrohen për pasigurinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre nëpër rrugët e qyteteve dhe katundeve tona, nuk tregojnë mirëkuptim për takimet dypalëshe e trepalëshe të atyre që sjellin vendime për shtrëngimin e rripit dhe ankohen në kolapsin e herëpashershëm energjitik. Dhe ke parë ti, me sa duket, ata kërkojnë të dalin në rrugë dhe të protestojnë, ku, me sa duket, ata planifikojnë që bilbilat dhe transparentet t’i ndërrojnë me tendencën për fillimin e shkatërrimit të pronës së shenjtë shtetërore… Pra, qytetarët janë të këqij!
Të gjitha këto epitete na dërgojnë si porosi, ne qytetarëve të përvuajtur, kohë pas kohe përmes medieve, qofshin ato elektronike apo të shkruara, të zgjedhurit me votat tona dhe me dekretet partiake, personat e deleguar, të cilët kështu na shpjegojnë situatën alarmante ekonomike në vend.
Si të shpjegohet ndryshe intervista e organizuar javën e kaluar nga TV “Klan” dhe RTK me dy kryeministrat shqiptarë, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, veçse si një shkër… e radhës e qytetarëve shqiptarë nga ana e tyre.
Nuk e kisha ditur dhe u desh që nga ky emision ta kuptoj, se të dy kryeministrat tanë janë edhe ekspertë të psikologjisë sociale, sepse, pasi i dëgjova me vëmendje, e kuptova se te ne çdo gjë, përveç tek-tuk ndonjë imtësi, është perfekte dhe se qytetarët shqiptarë qenkan paksa të llastuar! Kështu që mallkimi i fukarallëkut të përgjithshëm na mbeti vetëm ne qytetarëve të merakosur, sepse, sipas kryeministrit Berisha dhe Thaçi, nuk duhet të qahemi për situatën aktuale ekonomike, sepse paska edhe më keq, mjafton t’i rikujtojmë vitet ‘97 dhe ‘98.
Gjatë intervistës, kryeministrat Berisha dhe Thaçi na dërguan porosinë që është tipar i shenjtë kombëtar i shqiptarëve – durimin, i cili, si duket, sipas inercisë, edhe na mban ende gjallë ne shqiptarëve.
“Kursim Horac, kursim”, - i thotë Hamleti shokut të ngushtë, duke aluduar në kalbjen morale në pallatin danez, ku për të njëjtën faturë i jepeshin nderimet mortore babait të tij të vdekur dhe gjithashtu në të njëjtën kohë ishte organizuar një aheng dasmor në respekt të nënës së tij. M’u kujtua Hamleti, ngaqë të dy kryeministrat kërkuan nga ne që të kursejmë shumë, nga letra higjienike e deri te ushqimi.
Në qoftë se ky propozim, pra, kursimi i propozuar nga kryeministrat tanë, do të përfillet nga qytetarët shqiptarë dhe do të jetësohet, si i tillë në çdo krizë ekonomike imponon parimet e sjelljes, atëherë jetesën e kemi të garantuar edhe kur jemi në gjumë. Eh, sikur të kishim filluar të kursenim më parë, sot do të ishim në kalë, thotë populli. Por, nejse kurrë nuk është vonë! Mirëpo, në qoftë se dëshirojmë që gjërat t’i themi troç e drejt, atëherë do na dilte hesapi, se po të mos vidhej me lopatë gjatë këtyre viteve, sot ndoshta edhe do të ishim në kalë, kush e di!
Më habit fakti dhe në të njëjtën kohë më intereson të di, se a mendojnë për shembull kryeministrat tanë, se qytetarët shqiptarë, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, edhe mund ta humbin vullnetin nga një politikë e tillë e pa perspektivë, ku armatën e të papunëve sot nuk mundet as kompjuteri ta përcaktojë me shifra të sakta, se numri i atyre që jetojnë në varfëri të skajshme ka arritur shifrën e gjysmës së popullsisë dhe se këta qytetarë, të cilët sakrifikuan shumë në ndërtimin e shteteve të tyre, nga kjo situatë e pashpresë mund të planifikojnë të ardhmen jashtë atdheut. Gjatë udhëtimeve të mia në botë edhe para ardhjes së demokracisë në Shqipëri dhe para luftës në Kosovë, kam takuar shumë njerëz, të cilët me mund dhe sakrifica kishin arritur suksese të dukshme në lloj-lloj fushash, ata mezi prisnin që një ditë t’u jepet mundësia që këto suksese t’i realizojnë edhe në atdheun e tyre. Di shumë njerëz që erdhën, në Shqipëri apo në Kosovë, qoftë për të investuar, por edhe të tillë që, pasi kishin kryer shkolla të respektuara në Perëndim, donin të kontribuonin në ndërtimin e institucioneve demokratike. Pas një kohe shumë të shkurtër, kryesisht falë politikës në radhë të parë, e cila po mos të kishte përfitime për vete, as që çante kokën për këta njerëz dhe pasi humbnin një sasi parash apo pasi përjetonin lloj-lloj ofendimesh, ktheheshin të zhgënjyer, aty ku kishin perspektivën e sigurt. Por, fatkeqësisht kjo mungesë perspektive elementare materiale në vendet tona, ku parametrat e zhvillimit të resurseve industriale ka vite që nuk lëvizin nga vendi, ku paratë e taksapaguesve harxhohen kryesisht në investime kapitale, si rrugë shkolla ndonjë objekt shëndetësor (madje në Kosovë), ku nuk ka strategji kombëtare për zhvillim ekonomik dhe industrial, i cili do t’i shfrytëzonte resurset tona ekzistuese, bën që edhe më tej shumica e qytetarëve tanë, duke mos zgjedhur mjete, perspektivën ta shohin duke lënë atdheun dhe duke ikur jashtë shtetit. Prandaj, pyes veten, a kanë të drejtë kryeministrat tanë apo qytetarët shqiptarë me të vërtetë janë llastuar dhe duan t’i kenë të gjitha pa asnjë lloj angazhimi. Ajo që unë di është se, siç thotë fjala popullore, “katundi që shihet kallauz nuk lyp”. Këtu nuk do të bëhet mirë, derisa të bëhet shumë më keq. Kur të mbetemi pa bukë, pa ujë, pa ajër… është e mundur që ky popull i habitur, i përvuajtur dhe i mashtruar të fillojë të mos frikohet nga hija e vet, por edhe nga çdo thatësi pushtetare.