E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori: Vartësit e Bashës na e lanë dosjen me akuzat në shkallët e prokurorisë

Nga Bledar Lumani

“Vartësit e ministrit Basha e hodhën dosjen me akuzat ndaj tij para dyerve të prokurorisë”. Ka qenë kjo përgjigjja e prokurorisë ndaj të akuzuarit të dosjes Durrës-Kukës, Lulzim Basha, i cili gjatë seancës së djeshme gjyqësore deklaroi se nuk ishte njohur me dosjen. Për këtë arsye, ministri i Jashtëm ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që të pushojë gjykimin ndaj tij, kërkesë e cila pritet të shqyrtohet më 16 mars. Kërkesa e Bashës është bazuar dhe në vendimit e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Dytë në kryeqytet, të cilat i vlerësuan të paligjshme veprimet e prokurorisë pas skadimit zyrtar të hetimeve.

Pretendimi

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili ka qenë i pranishëm dje në Gjykatën e Lartë, pasi akuzohet për abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ka pretenduar se prokuroria nuk i ka vënë në dispozicion dosjen me akuzat ndaj tij. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga ana e gjykatës pushimin e çështjes në ngarkim të tij. Por, pretendimi i tij është hedhur poshtë nga ana e prokurorit, Arben Kraja, i cili i bëri të ditur ministrit se dosjet hetimore ia ka dërguar me anë të postës. Por, në të njëjtën ditë që dosjet kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme, vartësit e Bashës i kanë kthyer pas ato, duke i lënë ato në shkallët e prokurorisë. “Dosjet janë dërguar me postë, por persona nga ministria e Jashtme i kanë hedhur sërish ato para dyerve të prokurorisë”, - bëri të ditur prokurori Kraja. Ndërkohë, Basha u shpreh se këto janë fabula të prokurorisë dhe nuk ka ndërmend të merret me to, por do të presë vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin ose jo të çështjes. Sakaq, kërkesa e Bashës për pushimin e çështjes në ngarkim të tij është bazuar edhe në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në kryeqytet, që i kanë cilësuar si të paligjshme veprimet e prokurorisë pas datës 6 nëntor, datë në të cilën përfundonin zyrtarisht hetimet për dosjen Durrës-Kukës.

Avokati i ish-ministrit të Transporteve, Zef Nikaj, tha se, dërgimi i fletëthirrjes, komunikimi i akuzës Lulzim Bashës, kërkesa për gjykim dhe çdo akt tjetër i shpallur pas datës 6 nëntor 2008, janë të pavlefshme. Për këtë arsye, ai kërkoi që klienti i tij të mos konsiderohet i pandehur, si dhe të pushohet çështja. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të Bashës dhe mbrojtësit të tij, vendimet e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Dytë në kryeqytet nuk mund të kenë fuqi, pasi Lulzim Basha është anëtar i Këshillit të Ministrave dhe parlamentit. Për këtë arsye, sipas ligjit, e vetmja gjykatë që mund të shprehet në lidhje me këtë çështje është vetëm Gjykata e Lartë. Tashmë do të jetë data 16 mars, në të cilën Kolegji Penal do të vendosë, nëse do të hapet procesi gjyqësor ndaj Lulzim Bashës apo do të pranojë kërkesën e avokatit të tij për pavlefshmëri të veprimeve të prokurorisë. Sipas kërkesës për gjykim, Prokuroria e Përgjithshme, më datë 5 dhjetor të 2008 vendosi të mbyllë fazën hetimore dhe të dorëzojë dosjen penale për gjykim pranë Gjykatës së Lartë ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, dhe ish-vartësin e ministrit, Andi Toma, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Sipas akuzës, dy të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tender apo ankand publik”, duke i sjellë dëm shtetit shqiptar në një shifër rreth 230 milionë euro. Këto vepra penale janë konstatuar gjatë hetimit të përgatitjes së tenderimit dhe shpalljes fitues të firmës që po ndërton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e financuar nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›