E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historike

Nga Le Monde

Vendimi i marrë më 26 shkurt, dhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë (1998-1999), të enjten, nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është historik. Për herë të parë, ajo shpalosi qartë përgjegjësinë e regjimit të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, në këtë konflikt. Dihej, por Gjykata e Hagës e gdhend në mermer, atëherë kur shumëkush nuk ishte i gatshëm ta pranonte në Beograd. Si provë e kësaj, Partia Socialiste serbe, anëtare e koalicionit demokrat në pushtet, e cilësoi këtë vendim të “padrejtë’ ndaj njerëzve që nuk bënin gjë tjetër veç “mbronin vendin e tyre”. Gjykata e Hagës e përshkruan ndryshe këtë “art” të mbrojtjes nga forcat e sigurisë serbe kundër luftëtarëve shqiptarë për pavarësi dhe popullsisë civile: “Ndërmarrje kriminale e përbashkët, me qëllim ndryshimin e ekuilibrit etnik të Kosovës (e populluar në mbi 90% nga shqiptarët)”, “fushatë terrori sistematik me shtrirje të madhe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës duke përfshirë vrasje, shkatërrim të pronës, plaçkitje, dhunë seksuale”, “shpërngulje” të më shumë se 700 mijë njerëzve. Gjithashtu, edhe krime kundër njerëzimit. Për këto fakte, pesë nga përgjegjësit më të lartë të aparatit ushtarako-policor serb të kohës janë dënuar me nga pesëmbëdhjetë deri në njëzetedy vjet burg. A posteriori, verdikti i Gjykatës së Hagës legjitimon fushatën e bombardimeve të NATO-s në 1999. Kjo ndërhyrje qe e paligjshme, sa i takon të drejtës ndërkombëtare, sepse ishte ndërmarrë pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB, por megjithatë e legjitimuar, sepse nuk lejoi të ndaleshin gjithë këto krime. Ky vendim është gjithashtu “postum”-i i Millosheviçit. Zjarrvënësi i Ballkanit gjatë viteve 1990 vdiq më 11 mars 2006 në qelinë e tij të burgut të Gjykatës së Hagës, para fundit të procesit të tij. Të enjten, duke trajtuar vetëm dosjen kosovare, gjyqtarët kanë kujtuar që ushtria dhe policia serbe nuk i përgjigjeshin, vetëm se “komandantit suprem”, Millosheviç. Pra, fajtor.

Kishte një element shqetësues në këtë gjykim: shfajësimi i presidentit serb të kohës, Milan Milutinoviç. Sigurisht ky ishte pikturuar shpesh si marionete, të cilit “Sllobo” i jepte fitilat. Por ai merrte pjesë në mbledhjet ku planifikohej ndërmarrja kriminale në Kosovë. Ai shërbente de jure si autoriteti i policisë, nëse de fakto nuk ishte. Lirimi i tij nuk do të ngelet pa u përdorur në Beograd nga të gjithë ata që refuzojnë të largohen nga hijet e viteve të Millosheviçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›