E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra: Dështimi i ligjit antiduhan duhet të ketë përgjegjës

Nga Xhovani Shyti

Z. kryeministër!

Jam vërtetë i befasuar nga “fati i mbrapshtë” i ligjit me nr. 9636, “Për ruajtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i hartuar, i dërguar me përparësi në sallën e parlamentit, miratuar nga ky i fundit, me 100 % të votave, në dt. 06 nëntor 2006, dhe hyrë në fuqi më 26 majin e vitit 2007.

Ky befasim më vjen nga fakti se gjithë kalvari i sipërpërmendur, deri në miratimin e ligjit, u krye me këmbënguljen Tuaj, kurse janë struktura zyrtare, brenda kuadrit administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, - pjesë e kabinetit që Ju drejtoni, - ato që, me koshiencë (për diskreditim politik apo lidhje politiko-klanore), për çdo ditë që kalon e stimulojnë këtë fat fatal, jo vetëm për shëndetin e shqiptarëve, por edhe për seriozitetin e prodhimit e të zbatimit të ligjeve në vendin tonë.

Për t'Ju argumentuar gjithë sa shpreha më sipër, po Ju sqaroj:

Pas një vit dështimi në implementimin e këtij ligji nga struktura përgjegjëse e kabinetit Ndoka, me emërimin e ministres së re, Anila Godo, ne arritëm të realizonim një takim me këtë të fundit. Takimi u bë në dt. 18 gusht 2008, në zyrën e saj ministrore, ku i paraqitëm idenë tonë për një rifillim të ri të betejës për zbatimin e ligjit antiduhan. Në këtë kuadër propozuam mbajtjen e një tryeze të rrumbullakët, ku të ishin të ftuar të gjithë aktorët zyrtarë, të cilët ligji i ngarkon me përgjegjësi për moszbatimin e tij. Këtë propozim ministres Godo ia parashtruam, pasi më parë kishim marrë miratimin nga OBSH, e cila u tregua e gatshme ta sponsorizonte aktivitetin.

Në takimin me zonjën Godo u vendos që kjo tryezë të realizohej dhe mbajtja e saj u bë në dt. 11 shtator 2008, duke u anunçuar si një aktivitet i përbashkët i MSH-OBSH dhe shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”... Duke gjykuar se hollësitë e zhvillimit të asaj tryeze janë të panevojshme, po Ju përmend se në esencë me gjithë këmbënguljen e shoqatës që në këtë sipërmarrje të re të ndryshoheshin prijësit e betejës së humbur, me të rinj, dhe të futej në të edhe shoqëria civile, - kjo ide u mbështet në parim, kurse në përfundim, pas këmbënguljes dhe retorikës demagogjike të drejtuesit të ISHP, Alban Ylli, gjithçka iu la në dorë po Institutit të Shëndetit Publik, më saktë drejtorit të tij, Alban Ylli, pra njeriut nën drejtimin institucional të të cilit, gjatë edicionit maj 2007 - gusht 2008, ligji pati “fatin e mbrapshtë” të dështimit.

Edhe në atë tryezë të 11 shtatorit z. Ylli këmbënguli ta rimerrte edhe njëherë përsipër aksionin e promocionit antiduhan, duke u zotuar bujshëm për arritjen e suksesit, por, nga sa jam informuar, pa sjellë asnjë ndryshim pozitiv, krahasuar me periudhën e dështimit të parë të ligjit. Një dështim i pritshëm nga ana e shoqatës sonë ky për vetë faktin se struktura administrative përgjegjëse vazhdon ta mbështesë strategjinë e implementimit të ligjit antiduhan në demagogji dhe jo në punën konkrete, pra në po të njëjtën metodologji që solli moszbatimin e këtij ligji dhe aspak në një strategji të re, sikurse u zotua z. Ylli. Sepse, nëse do të ishte ndryshe, puna për riimplementimin e ligjit duhej të niste me mbledhjen e Komitetit Ndërsektorial “Për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit”, kësaj strukture që, sikurse përcaktohet në nenin 18 të ligjit 9636: “Përgjigjet për orientimin e politikave dhe strategjisë së mbrojtjes së shëndetit të publikut nga produktet e duhanit..., për rishikimin e akteve në fuqi dhe propozimin për përmirësimin e ligjit..., për propozimin e programeve dhe të projekteve...., për orientimin e burimeve drejt programeve.., për sigurimin e bashkëpunimit me institucionet qeveritare etj”. Shkurt, po nuk filloi të vërtitet rrota e këtij Komiteti, as që mund të bëhet fjalë për rifillim dhe ecuri të mbarë të ligjit. Mirëpo ka ndodhur që ndërsa në VKM me nr. 113, dt. 17.02.2007, të firmosur prej Jush, përcaktohet detyrimi që ky Komitet duhet të mblidhet 4 herë në vit, nga muaji shkurt i vitit 2008 deri më sot ai nuk është mbledhur asnjëherë. Që do të thotë asnjë takim tjetër për më shumë se një vit, dhe kjo për mangësi organizative po të z. Ylli, i cili, duke qenë drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, sipas VKM, mban edhe postin e Sekretarit të Komitetit Ndërsektorial. Aq më tepër bëhej e domosdoshme mbledhja e Komitetit Ndërsektorial, sipas detyrimit ligjor, pas tryezës së 11 shtatorit, nga e cila dolën detyra që janë kompetencë vendimmarrjeje vetëm e tij. Një veprim ky që ka sjellë si pasojë mosinformimin e drejtë as të strukturës përgjegjëse të kabinetit të ministres Godo.

Z. kryeministër! Ju drejtohemi Ju, jo vetëm sepse gjykojmë se i kemi konsumuar pa sukses të gjitha mundësitë e bashkëbisedimit me instancën drejtuese të ISHP, jo vetëm, sepse vlerësojmë kontributin Tuaj të paçmuar në përpjekjen për kontrollin e duhanpirjes në vendin tonë, por edhe për t’Ju lypur ndihmë konkrete në këtë betejë humane, deri më sot të humbur për shkak të sabotimit nga struktura zyrtare. Diçka absurde kjo për konceptin e një qeverisjeje normale...

*Kryetar i shoqatës “Për Shqipëri pa duhan”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›