E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopjet e 13 të karbonit të Ramës dhe Berishës

Nga Mero Baze

Një grup të rinjsh, të thirrur nga kolegu Fevziu në një debat mbi shanset e të rinjve në politikë, kanë lënë shije të hidhur te shumë shikues, jo vetëm për mungesën e ideve të tyre politike, por mbi të gjitha për imitimin e shëmtuar të atyre që shpesh vetë këta guxojnë t’i quajnë të vjetër në politikë. Aq shumë duhet t’i kenë irrituar qytetarët këta të rinj, sa në një emision timin televiziv, që filloi sapo mbaroi emisioni i tyre, më vinin sms nga publiku që shanin të rinjtë, ndërkohë që tema e emisionit tim ishte për një politikan të ri shqiptar në Maqedoni që kandidon për president. Në të vërtetë në çdo vend të botës politikanët e vjetër mbahen si simbole të mençurisë dhe vlerave, kurse te ne ka nisur një fushatë agresive ndaj tyre, duke i quajtur pa asnjë vlerë dhe kjo është bërë në emër të të rinjve. E parë si luftë brezash, kjo ka vlerë dhe e çon përpara debatin politik, por e parë si përpjekje për të gjetur punë në politikë për shkak të moshës së re, është dëshpëruese.

Përbërja e të rinjve të thirrur linte për të dëshiruar, pasi ata nuk janë realisht të rinj që kanë hyrë në politikë, por në përgjithësi janë të rinj që kanë hyrë në punë afër politikanëve. Dhe për këtë shkak isha gati të fajësoja kolegun Fevziu, nëse s’do sqarohesha se ia kanë rekomanduar vetë partitë politike përkatëse. Përjashto prej atyre Gerti Bogdanin, që ka bërë një sprovë politike duke kandiduar për një minibashki, gjithë të tjerët nuk kanë asnjë sprovë të futjes në politikë. Zëdhënësja e kryeministrit është thjesht një emigrante e kthyer, e cila, pasi u sorollat dy vjet pa punë, gjeti punë në Kryeministri, dy të rinjtë e Edi Ramës më shumë shquhen si ish-veprimtarë të “Mjaft!”-it (këtu ka merita dhe Bogdani), se sa si politikanë socialistë, ndërsa ajo që përfaqësonte LSI përpiqej të imitonte Monikën, por s’ka asgjë të përbashkët me kontributet që Kryemadhi ka pasur në forumin e FRESH dhe mbajtjen në këmbë të asaj organizate krah një partie të pareformuar, siç ka qenë një kohë të gjatë Partia Socialiste. Pra, ata nuk janë të rinj që kanë hyrë në politikë, janë të rinj që kanë qejf të hyjnë në politikë dhe e kanë këtë shans nga shefat e partive. Por duke mos pasur asnjë ide të tyre origjinale, dhe duke rrezatuar një besnikëri të shumëfishuar ndaj liderëve të partive të tyre, ata ngjanin jo vetëm një kopje e 13 karboni e Ramës dhe Berishës, por shpesh ishin turpërues dhe për vetë veset e tyre.

Ajo për çka të vjen keq në gjithë këtë histori nuk është fati i tyre, por fati ynë dhe vlerat që po prodhon sistemi i ri. Disa nga këta të rinj, kur ishin te “Mjaft!”, kishin idetë e tyre origjinale e ngjanin simpatikë për opinionin publik, pasi ishin vetvetja. Bënin gjeste politike, agresonin kryeministrin, sensibilizonin shoqërinë për ngjarje të dhimbshme apo fenomene të shëmtuara dhe respektoheshin. Të futur në një ombrellë politike, ata duhet të kontribuojnë për ta emancipuar politikën, jo për të bërë garë kush imiton Ramën, Berishën apo Monika Kryemadhin. Ata nuk kanë nevojë të imitohen, se janë liderë të votuar me idetë e tyre dhe fuqinë e tyre politike.

Debati mes të rinjve ishte po ashtu vulgar, pasi askush nuk debatonte për ato çfarë mendon dhe çfarë ka bërë vetë, por për atë çfarë ata kanë përcjellë në opinion si zëdhënës të të vjetërve. Për shembull, agresioni ndaj Gerti Bogdanit si zëdhënës i PD është i kotë, pasi Gerti Bogdani flet aty në emër të Sali Berishës. Ai nuk thotë aty as ide, as fakte. Thjesht lexon. Po kështu dhe Meçani si zëdhënëse e tij në qeveri. Ata nuk i shtojnë si zëdhënës asgjë idiotësive që iu vënë para për të lexuar. Ata thjesht mund të gjykohen profesionalisht se si e bëjnë ata rolin si kurues të imazhit të PD apo qeverisë, cilat janë raportet e tyre reale me medien, si arrijnë ata të depërtojnë idetë e qeverisë në media. Ky është një debat profesional që mund të zhvillohej me ta, nëse ata do të ishin vërtet zëdhënës apo këshilltarë për shtypin. Por ata s’janë të tillë, por janë thjesht spikerë që lexojnë deklarata që ua shkruajnë. Marrëdhëniet e tyre me shtypin janë katastrofike, pasi ata janë të detyruar t’i shajnë gazetarët me “listë shtëpie”, pasi nxehet shefi i tyre. Kështu që ata s’ke si i gjykon as për ndonjë profesion, se nuk kanë, as si politikanë, se nuk janë. Pra, janë thjesht njerëz të marrë gabim në punë dhe gabim në debat. Në PD ka njerëz të rinj që tentojnë të futen në politikë, edhe pse nuk gjejnë hapësirë. Gjergj Bojaxhiu për shembull ka një vit që bën sprova serioze profesionale për t’u promovuar si i tillë, edhe pse në fund e shikon se rezultati nuk varet nga të bërit gjimnastikë, por nga nevojat e kryeministrit për figura të klonuara. Të rinj me idetë e tyre për të bërë diçka në PD ishin dhe disa figura të KOP, si Basha e Bregu, që nëse i sheh tani janë të tërhequr dhe nuk përfshihen në debatin publik, pasi duan të ruajnë profilin që ata formuan kur u prezantuan si figura që do të ndryshonin PD. Një prej tyre është dhe Lulzim Basha, me gjithë rezervat që kam si ministër i dyshimtë, i përfshirë në afera korruptive. Politikisht ai qëndron korrekt, nuk imiton Berishën, edhe pse është beniamin i tij dhe nuk konsumohet, siç bëjnë disa të rinj tradicionalë në PD që kërkojnë të bëjnë skifterin aty ku s’ka nevojë dhe ku nuk ua kërkon njeri. Po ashtu një figurë që ka dëshmuar stabilitet politik që ka kaluar provat elektorale, dhe atë të jetës publike, është Majlinda Bregu. Pra, të rinj të tillë në politikë janë vërtet të rinj që duan të kontribuojnë me profilin e tyre pa imituar shefat. Ata kanë dhënë prova në zgjedhje ose në administrim, siç është rasti i Bojaxhiut, por nuk kanë bërë shfaqje të shëmtuara servilizmi dhe kokëboshësie si të rinjtë e ftuar në show-n e Fevziut.

Po ashtu në PS është një galeri përvojash të kontributit të të rinjve. Ajo është partia që ka pasur kryeministra 28 dhe 30-vjeçarë, partia që kaloi nga Ramiz Alia tek i riu Fatos Nano, apo nga Fatos Nano tek Edi Rama. Të gjithë këta të rinj, dhe ish-të rinj, që nga Fatos Nano tek Ilir Meta, Pandeli Majko apo Edi Rama, nuk i emëroi dikush, por e fituan me beteja emrin e tyre dhe vendin në atë parti. Ideja se këta janë tani të rinjtë që do jenë e ardhmja është dëshpëruese dhe shumë ndëshkuese njëkohësisht për fatin e partive, nëse është e vërtetë. Të rinjtë e rinj të afruar nga Edi Rama janë një listë e madhe djemsh e vajzash të shkolluar, ndoshta shumë të mirë për të punuar në zyrat e tij, por sprovat e tyre politike duhet t’i gjykojë publiku. Nëse Veliaj për shembull do të ishte një emër i ri në PS, do ishte origjinal dhe shumë i pranueshëm të thuhej emër i ri në politikë, se ka bërë diçka. Po ashtu veprimtarët e tij në G99, si Xhaçka apo të tjerë, janë shumë më politikë se disa të rinj që kanë gjetur punë në PS dhe PD dhe mendojnë se tani janë politikanë të rinj. Politika, ashtu si dhe ekrani, janë shumë të rrezikshëm për ata që s’i dalin dot zot, se po dole aty, nuk të mbron dot më as shefi, as kartëvizita që të ka dhënë ai. Aty duhet të të mbrojë publiku dhe shfaqja e shëmtuar që ata kanë bërë në një emision të tillë si ai i Fevziut, mjafton që të mos merren më me politikë.

Së fundmi, ky është një alarm që duhet të kemi dhe për sistemin e ri politik që ndërtuam me ndryshimet kushtetuese. Fuqia e madhe që morën liderët politikë në formimin e elitave të reja, dhe nevoja që ata kanë për klounë në të ardhmen, do të shtojë shumë këtë racë në politikë, duke na bërë gjithnjë e më tepër të na marrë malli për çdo të vjetër në politikën e këtij vendi, pas Ramiz Alisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›