E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet Poli i Lirisë, Shehi: Ngjela, i mirëpritur

 

ADI SHKEMBI

Poli i Lirisë zyrtarizon marrëveshjen paraelektorale, me dy nga tre iniciatorët e saj. Nard Ndoka i PDK-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së nënshkruan dje dokumentin për të dalë së bashku në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që binte në sy mungesa e Kryetarit të Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Së bashku me këto dy forca politike është bashkuar edhe Partia Bashkimi Demokrat e Ylber Valterit. Mungesa e Ngjelës në nënshkrimin e kësaj marrëveshje është justifikuar me faktin se PLiDr është duke u përqendruar në ngritjen e strukturave në bazë. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi theksoi për mediat se avokati e ka derën e hapur për t’u bërë pjesë e Polit. “Nuk e ka firmosur për faktin e thjeshtë, me pretendimin që do të merret me ngritjen e strukturave të partisë. Ne e mirëkuptojmë, duke qenë partia e fundit që ka vetëm dy javë që është krijuar dhe i ka këto vështirësi. Megjithatë zoti Ngjela është i mirëpritur është një nga protagonistët e “Polit të Lirisë”. Afati përfundimtar që deklarohet para Komisionit Zgjedhorë është 45 ditë përpara zgjedhjeve”, sqaroi Dashamir Shehi kreu i LZHK-së.
Marrëveshja
“Krijimi i këtij koalicioni politik parazgjedhor, vjen në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, në një moment kur forcat e vjetra politike, që kanë qeverisur Shqipërinë këto tetëmbëdhjetë vjet, janë më të vjetra se kurrë dhe kur ne të gjithë së bashku duam të ndahemi nga ky cikël i lodhshëm tranzicioni, nga politika dhe politikanët e vjetër që janë përgjegjës për të gjitha dështimet politike, ekonomike, sociale e kulturore të këtyre viteve”, thuhet në preambulën e marrëveshjes së firmosur prej tre forcave politike. Me nënshkrimin e dokumentit, PDK, LZHK dhe PBD angazhohen në promovimin e vlerave politike, konkurrim të ndershëm brenda koalicionit në përputhje me kodin e ri zgjedhor. “Partitë pjesëmarrëse të këtij koalicioni angazhohen për: fushatë zgjedhore qytetare të drejtë dhe konstruktive të mbështetur në parimet tona politike, në vlerat që ne përfaqësojmë; standarde të larta humane, profesionale, përfaqësuese dhe politike të kandidatëve tanë; barazi të shanseve të secilës parti pjesëmarrëse në koalicion gjatë fushatës elektorale; liri të plotë për qytetarët për të zgjedhur sipas bindjeve personale partitë brenda koalicionit”, thuhet më tej në marrëveshje. Partitë që do të përbëjnë Polin e Lirisë angazhohen gjithashtu për hartimin e një programi të përbashkët politik me parimet e reformave kryesore për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe përmbushjen e standardeve për integrimin në BE. Në të njëjtën kohë ato i kërkojnë forcave të tjera politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit që të kontribuojnë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, për liri dhe hapësira të mediave për të informuar fushatën e Polit si dhe transparencë të plotë rreth financimit të fushatës së secilës parti politike.

Reagon Ngjela: Nuk pranojmë koalicione, kemi pikëpamjet tona

Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela reagon menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Polit të Lirisë. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, avokat Ngjela shprehet se partia që ai drejton për momentin nuk do të nënshkruajë me asnjë forcë politike, duke rrëzuar kështu pretendimin e kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi se PLiDr është duke u marrë me ngritjen e strukturave në rrethe. “Ne nuk pranojmë të hyjmë në koalicion. Kemi pikëpamjet tona, për momentin nuk do të firmosim me partitë e tjera”, theksoi Ngjela pak orë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Nard Ndokës, Dashamir Shehit dhe Ylber Valterit. Ndonëse nuk është pranuar asnjëherë prej tre iniciatorëve të krijimit të Polit të Lirisë, Ndoka e Shehi kanë qenë kundër propozimit të Ngjelës, që Poli të ketë një kryetar. Në një prononcim për gazetën pak ditë më parë, krerët e PDK-së dhe LZHK-së janë shprehur kundër kësaj ideje, teksa ajo është konsideruar si e panevojshme. “Nuk ka asnjë arsye që Poli i Lirisë të ketë kryetar. Këtë nuk e kërkon as Kodi Zgjedhor, pra nuk është një pengesë. Gjithsesi të gjitha modalitetet do të vendosen në ditët e ardhshme, kur të bëhet marrëveshja. Në përgjithësi të gjitha partitë do të bëjnë fushatë më vete, por takimet e rëndësishme, siç mund të jetë për shembull mitingu përmbyllës, do të jetë i përbashkët”, theksoi Ndoka. Ndërsa sipas avokat Ngjelës “jemi ende në bisedime dhe nuk e kemi mbyllur. Akoma nuk bëhet fjalë që të ketë kryetar Poli, por do funksionojmë si parti të veçanta. Ka shumë mundësi që të dalim në një marrëveshje paszgjedhore. Megjithatë shumë shpejt do të dalim në një vendim të përbashkët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›