Pará të dyshimta nga Azerbajxhani po bëjnë Rezart Taçin pronar të një banke islamike në Tiranë
Pronarët e rinj të kompanisë ARMO janë duke blerë së fundmi një bankë që ka qenë më parë pronë e grupit Al Kharafi. Rezart Taçi pretendon se tashmë është bërë pronar i kësaj banke në falimentim në Shqipëri vetëm për efekt licence. Megjithëse në një gjendje të keqe financiare dhe me pamundësi për të paguar dhe rrogat e mësuesve në shkollën “Nobel”, ku ka marrë kredi me mashtrim, Rezart Taçi ka nisur një aventurë të rrezikshme, që mund të na çojë te pastrimi i parave në Shqipëri nga mafia ruse.
Burime të besuara nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se Rezart Taçi dhe grupi i tij nuk kanë aftësi paguese dhe nuk janë në gjendje që të blejnë një bankë, por ata kanë përdorur të ardhura nga qarqe të dyshimta që pastrojnë paratë nga Azerbajxhani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duhet të japë sqarime publike për këtë ngjarje, e cila ngre dyshime të besueshme se përmes këtij kanali të dyshimtë bankar do të pastrohen pará prej Azerbajxhani. Kësti i parë prej 10 milionë eurosh, ardhur në vjeshtën e vitit të kaluar, ishte nga Azerbajxhani në adresë të partneres së Taçit, “Anika Enterprise”.
Sqarimi i burimit të parave të pretenduara, me të cilat ka paguar garancinë, sipas tij, për ARMO-n, duhet të verifikohet urgjent, si dhe të bëhen publike transaksionet e kësaj banke islamike në Shqipëri.
Ky është një veprim që shteti dhe Ministria e Ekonomisë duhet ta sqarojë, pasi po bëhet një formë kriminale e pastrimit te parave.
Burime nga aeroporti i Rinasit bëjnë të ditur se muajin e kaluar ka ardhur një avion charter nga Azerbajxhani me individë që janë pritur nga Rezart Taçi në sallën VIP, të cilët po marrin në dorë pasuri të Shqipërisë duke mos ditur nga vijnë të ardhurat e tyre. Gjithashtu, duhet të verifikohet dokumentacioni i blerësve të ARMO-s, pasi Azerbajxhani realisht ka tërësisht nën kontroll Rezart Taçin.
Prokuroria duhet të administrojë gjithë skemën e lidhjes skandaloze të kontratave pa u marrë në dorëzim ende ARMO nga Taçi me subjektet e bitumit, të cilat parapaguan “Taçi Oil” dhe këto pará Taçi i përdori për interesat e veta. Është e sigurt se shitja e D2 pa u faturuar dhe ngarkimi i vagonëve që dolën nga rafineria pa u deklaruar, muaj më parë, ka përfunduar në xhepat e Taçit në mënyrë informale.