Meta në Skrapar: LANÇ, në themelet e integrimit të vendit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në festimet e 65-vjetorit të krijimit të Brigadës VII sulmuese në Skrapar. Duke përshëndetur veteranët dhe të pranishmit në këtë festë, Meta e cilësoi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si themelet e integrimit të Shqipërisë. Duke vlerësuar sakrificat e mëdha, jo vetëm të kësaj brigade, por edhe të gjithë partizanëve dhe partizaneve në këtë luftë, Meta shprehu mbështetjen e tij të plotë për kontributin që ata dhanë në çlirimin e vendit. “Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem i pranishëm në 65-vjetorin e krijimit të një prej brigadave më heroike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, atë të krijimit të Brigadës së VII sulmuese”, u shpreh Meta. Ai shprehu besimin e tij, se në të ardhmen, kjo festë do të përkujtohet po me kaq madhështi edhe në 100-vjetorin e krijimit të saj. Gjithashtu ish-kryeministri Meta shprehu pakënaqësinë e tij për mungesën e përfaqësuesve nga ana e Qeverisë apo të Ministrisë së Mbrojtjes. Sepse sikurse e tha ai vetë, është për të ardhur keq që në këtë festë mungojnë përfaqësuesit e qeverisë. Në këtë festë nuk përshëndet askush nga Ministria e Mbrojtjes, sepse ata nuk e kanë kuptuar akoma që në themelet e integrimit të Shqipërisë në NATO qëndron pikërisht angazhimi dhe rreshtimi i drejtë i partizanëve në LANÇ, në krahun që e fitoi betejën kundër nazi-fashizmit. Megjithatë, theksoi Meta, pavarësisht nga kjo sjellje, e cila nuk është e re për gjithë ju që keni dhënë kaq kontribute për këtë vend, pavarësisht përpjekjeve të tjera që bëhen për të sfumuar kontributin tuaj, nuk mund të sfidojnë dhe të hedhin poshtë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, sikurse ishte dhe rasti i shëmtuar kur Qeveria dhe pushteti vendor në Shkodër hoqën pesë heronjtë e Vigut nga sheshi kryesor i këtij qyteti, duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhvlerësojnë luftën tuaj. Në këto festime Meta shoqërohej nga kandidati i LSI-së për deputet në Skrapar, Nasip Naço dhe nga deputeti Spartak Braho. Gjatë këtij aktiviteti lideri i LSI-së ka zhvilluar takime të ngrohta me qindra veteranë, ish-anëtarë të kësaj Brigade.