Hetimi për pasurinë, kryeprokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, jep dorëheqjen
Kryeprokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, pas hetimeve të nisura nga ana e prokurorisë së kryeqytetit në lidhje me pasurinë e tij, ka deklaruar dje dorëheqjen nga detyra. Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme, Ndoja bëri të ditur se i ka paraqitur Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dorëheqjen e tij. “Regjistrimi i këtij procedimi nga ana e prokurorisë së kryeqytetit është në bazë të ligjit për prokurorinë dhe më jep të drejtë mua të jap dorëheqjen. Kjo nuk është shenjë dobësie, por është shenjë e karakterit personal dhe kurajë civile dhe qytetare. Dorëheqja është pjesë e një transparence të plotë, pasi unë kam menduar se kallëzimi penal në adresën time nuk ka bazë ligjore”, - tha Ndoja. Ndërkohë, në lidhje me kallëzimin ndaj tij, Ndoja ka deklaruar se do të shprehet më vonë, pas marrjes së vendimit nga prokuroria. Por, ai nuk ka nguruar të theksojë gatishmërinë për t’u përballur ligjërisht edhe me dokumentacionet përkatëse. “Gjithë qëllimi i kësaj skeme plotësohet me realizmin e dorëheqjes sime”, - ka përfunduar deklaratën Ndoja. Kallëzimi për ndjekje penale ndaj kryeprokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, u bë pak ditë më parë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kjo, për shkak të mosverifikimit të burimit të një shume prej 86 mijë eurosh, të cilat Ndoja pretendon se i ka fituar gjatë punës si avokat në vitet 2004-2008.
Dyshimet
Gjatë deklarimit të pasurisë, Ndoja i ka paraqitur inspektorëve të ILDKP 18 fatura, me anë të të cilave ka dokumentuar marrjen e të hollave nga disa klientë, të cilët ai i ka mbrojtur juridikisht në seancat e ndryshme gjyqësore. Por, nga mbledhja e këtyre faturave, është konstatuar se shuma financiare në total e tyre kap shifrën e 657.000 eurosh, ndërsa prokurori i Durrësit ka deklaruar se ka fituar nga puna e vet si avokat 743 mijë euro. Nisur nga kjo shifër, konstatohet e pambuluar me fatura justifikuese, shuma prej 86.000 eurosh. Për këtë arsye Ndoja u denoncua pak ditë më parë nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, çka bëri që prokuroria e kryeqytetit të nisë edhe hetimet. Arjan Ndoja akuzohet se ka vënë pasurinë e tij prej 743 mijë eurosh, duke mos depozituar në arkën e shtetit asnjë tatim-taksë për aktivitetin që ushtronte. “Në deklaratën e pasurisë, datë 05.03.2008, Arjan Ndoja ka deklaruar se për periudhën qershor 2004 - janar 2008, kohë gjatë së cilës ka ushtruar profesionin e avokatit si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, ka përfituar pasuri në shumën 743.000 euro (shtatëqind e dyzetë e tre mijë euro). Ai ka deklaruar se për periudhën kohore qershor 2004 - janar 2008, ka fituar të ardhura nga ushtrimi i aktivitetit të avokatisë, në shumën prej 743.000 eurosh, ndërkohë që, siç rezulton nga përgjigjet e organeve kompetente shtetërore, ai është regjistruar pranë QKR si person fizik, më datë 19.09.2007 dhe pranë organeve tatimore më datë 02.10.2007 dhe nuk ka paguar asnjë detyrim tatimor për aktivitetin që ushtronte”, - thuhet në raportin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Sipas tyre, të dhënat e mësipërme të krijojnë dyshime të arsyeshme se, pasuritë e fituara nga subjekti Arian Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, ndër të tjera, janë rrjedhojë dhe e fshehjes së detyrimeve fiskale, konstatim për të cilin ILDKP ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim marrjen e masave fiskale ndëshkuese ndaj këtij subjekti.