Shqipëria dhe Mali i Zi: Plani prej gjashtë pikash rrezikon rajonin
Shqipëria dhe Mali i Zi, kundër planit 6 prej pikash të OKB për Kosovën - rrezik për stabilitetin e Ballkanit, mundësi për kthim në konfliktet etnike të së shkuarës.
Tirana dhe Podgorica kanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me planin 6 pikësh te Kombeve te Bashkuara për vendosjen në Kosovë të misionit të BE, të njohur me inicialet EULEX. Të dyja vendet fqinje e shohin atë si “një plan që rrezikon stabilitetin e Ballkanit.”
“Plani prej 6 pikash paraqet probleme shumë serioze. Në disa aspekte ky plan të krijon përshtypjen se favorizonin një lloj ndarjeje të butë të Kosovës, gjë që nuk besoj të jetë qëllimi i Kombeve të Bashkuara dhe i BE. Gjithsesi, një përshtypje e tillë është e rrezikshme”, - tha kryeministri Berisha në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviç.
Nacionalizmi serb në Ballkan, problem
“Ideja e krijimit të një super-pakice në Ballkan dhe kjo qenka vetëm serbe është absolutisht e dëmshme. Së pari për vetë pakicën dhe së dyti për Ballkanin në tërësi, pasi është një rajon i pasur me pakica. Nëse problemi i Ballkanit është gjendja e pakicës serbe në Kosovë apo nacionalizmi serb në Beograd, atëherë kjo e dyta është problemi në Ballkan”, - tha kryeministri Berisha.
Moskonsultimi paraprak i OKB me faktorët lokalë, kosto e lartë për rajonin
“Aktet e destabilizimit kanë një kosto shumë të lartë, prandaj po e ndjekim jo pa shqetësim këtë plan. Gjithsesi, shpresoj se Këshilli i Sigurimit do të marrë parasysh planin me 6 pika dhe atë me 4 pika të Prishtinës dhe do të gjejë një projekt të pajtueshëm. Nuk mund të jetë një projekt i qëndrueshëm, kur pranohet plotësisht nga njëra palë dhe hidhet poshtë nga pala tjetër. Shpresoj të gjendet një zgjidhje në përputhje me qëllimin e këtij plani: stabilitetin e Ballkanit”, - tha kryeministri Berisha.
Milo Gjukanoviç, projekt i varrosur ndarja e Kosovës mbi baza etnike
“Mundësitë e ndarjeve të tilla në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni apo Serbi janë pa baza. Por, nëse ndodh diku, do të shkaktonte një reaksion zinxhir, që mund ta kthente Ballkanin në të shkuarën, në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shpresoj se politikanët e urtë nuk do të lejojnë zhvillimin e situatave të tilla, që i kemi lënë pas dhe kërkojmë t`i harrojmë”, - tha në Tiranë, kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç.
Deklaratat kundërshtuese ndaj planit 6 pikësh të Kombeve të Bashkuara për vendosjen e EULEX në Kosovë u bënë të martën, më 25 nëntor gjatë një vizite zyrtare që kryeministri malazez, Gjukanoviç, zhvilloi në Tiranë. Ai pati bisedime për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal për të përshpejtuar proceset integruese euroatlantike.