Pronat, PR bashkon votat me PS-në
BLEDAR HOTI
Republikanët dhe socialistët kontestojnë ashpër nismën e qeverisë për ndryshimin e ligjit “Për kthimin e kompensimin e pronave”. PR si një nga partitë e maxhorancës qeverisëse ka bashkuar votën me PS-në duke votuar kundër ndryshimit ligjor të propozuar nga qeveria. Ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, po përfaqësues i një partie në koalicionin qeverisëse, abstenoi me votën e tij. Sipas ekspertit të Ministrisë së Ekonomisë, Alfred Rushaj bëri të ditur se janë rreth 100 ndërmarrje, ku shteti është bashkaksioner, por trojet nuk janë në pronësi të tyre, por janë të pronarëve. “Për rregullimin e këtyre marrëdhënieve është propozuar që në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të bëhen ndryshime, të cilat parashikojnë që nga sipërfaqja e tokës për dhënie në përdorim, qira apo ndonjë formë tjetër, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjeve të Pronave Publike ka të drejtë t’ia shesë shoqërisë me çmime tregu, ndërsa pjesa tjetër i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar”, theksoi Rushaj. Gjithashtu ai theksoi se: “Nëse firmat janë kundër blerjes së truallit atëherë ajo i jepet pronarit. Nëse pranojnë ta blejnë atë, shuma që përfitohet kalon në llogari të fondit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara”. Kreu i grupit parlamentar Arjan Madhi e kontestoi një nismë të tillë, duke theksuar se: “Kjo është në disfavorin e pronarëve”. “Ky projektligj nuk është hartuar mbi bazën e diskutimeve të grupeve të interesit, me shoqatën “Pronësi me Drejtësi”. Pronat e marra në kontratë u është lënë që të vendosë Drejtoria e Administrimit të Pronave, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Kjo është një mangësi e madhe, s’ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë”, deklaroi Madhi. Ndërsa deputeti i PS-së, Besnik Dervishi deklaroi se “një nismë e tillë ndërmerret për të mbyllur disa favore të caktuara”. “Kërkohet që të fitojnë me tokën që do të blejnë për të ndërtuar më pas pallate. Në një kohë që shifra 100 më duket jo e drejtë, pasi ka disa firma fantazmë që nuk dihet se veprojnë. Nëse e vendosim në këtë humbet totalisht efekti i ligjit”, theksoi Dervishi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho u shpreh se një ligj i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën. Debati më i madh është bërë ndërmjet kryekomisionerit Rusmali dhe socialistit Pandeli Majko. “Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se ky ligj ka si objekt të ndreqë atë, që u bë mbrapsht në 50 vite komunizëm. Por do ta ndreqë duke mos lejuar që litari i diktaturës të rrijë ende jashtë. Do ta presim të gjithë me vendosmëri. Tani litari pritet jo duke mbajtur anë, jo duke vendosur në platformë politike, model politik, mbajtjen e pozicionit partizan. Litari pritet nëse ne gjejmë të mesmen e artë, nëse kënaqim mjaftueshmërisht çdo interes të njërës palë pa dëmtuar interesat e palës tjetër”, deklaroi Rusmali. Ndërsa Majko iu kundërpërgjigj se: “Më pëlqeu shumë kjo thënie e Ilirit, për litarin, për atë që ne po rregullojmë në ligj për atë që ka lënë regjimi i partisë time të vjetër, të reflektoni se do votoni edhe në Parlament. Jam kundër se shkel Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Ju me këtë votë, pro po votoni për shpronësimet për interes të qiramarrësve”.