Pushojnë reshjet, veriu i vendit sërish në izolim
Pavarësisht pushimit të reshjeve të borës, situata në akset rrugore në veri të vendit vazhdon të jetë e rënduar. Akset nacionale janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa segmentet rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara, çka ka bërë që pothuajse gjithë fshatrat në veri të jenë të izoluara. Përveç izolimit nga bora, në disa prej fshatrave mësohet se mungon edhe energjia elektrike. Sakaq, sipas Ministrisë së Brendshme, situata e rrugëve të bllokuara si pasojë e borës së rënë është përmirësuar.
Izolimi
Edhe pse reshjet e borës kanë pushuar, qarkullimi në akset rrugore në veri, verilindje dhe juglindje të vendit paraqet vështirësi. Mësohet se në akset nacionale mund të lëvizet me vështirësi me anë të zinxhirëve, ndërsa rrugët rurale që lidhin fshatrat e këtyre zonave me qytetet janë të bllokuara. Për pasojë, banorët e këtyre fshatrave vazhdojnë prej disa ditësh të jenë të izoluar, ndërsa në disa prej fshatrave mësohet se mungon dhe energjia elektrike. Kështu, në rrethin e Pukës situata paraqitet e vështirë, ku Qelëza dhe Iballa vazhdojnë të jenë të bllokuara në borë, ndërkohë që shumë banorë nuk kanë mundur të dalin nga banesat e tyre. Aksi Qafë Mali-Fierzë është i kalueshëm në një sens dhe vetëm me zinxhirë, teksa policia rrugore ka thënë se vazhdon të jetë e vështirë lëvizja e automjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa iu ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të lëvizin me zinxhirë. Sipas policisë, firmat e mirëmbajtjes së rrugëve në këto zona po punojnë me borëpastruese, ndërsa kanë hedhur skorie dhe kripë për t’i ardhur në ndihmë lëvizjes së automjeteve. Të bllokuar dje kanë qenë edhe Vermoshi dhe Kelmendi, teksa situata më e vështirë paraqitet në zonat rurale, pasi rrugët që të shpien në këto zona dhe bëjnë lidhjen e banorëve me qytetet janë të pakalueshme. Në qarkun e Dibrës, 29 komuna janë të bllokuara, ndërkohë që në shumë prej tyre ka mungesë të energjisë elektrike. Edhe në Kukës, pavarësisht pushimit të rënies së borës, komunat Arrën, Grykcaj, Shishtavec, Zapod, Topojan, janë ende të bllokuara. Firmat e mirëmbajtjes dhe forca të ushtrisë po punojnë për zhbllokimin e akseve që lidhin këto zona të vendit me qendrën, por situata është e vështirë për shkak të ortekëve. Sipas burimeve, në aksin Kukës-Krumë kalohet vetëm me zinxhirë, ndërsa për në Qafë-Prush rruga është e bllokuar. Ndërkaq, në të gjitha këto akse rrugore shërbimet e policisë rrugore janë duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me zinxhirë, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë. “Policia e Shtetit iu rekomandon drejtuesve të automjeteve që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku dëbora dhe ngricat janë të pranishme. Shërbimet e policisë rrugore që janë të pranishëm në të gjitha akset problematike do të bllokojnë lëvizjen e automjeteve që nuk kanë vendosur zinxhirë”, - bënë të ditur burime pranë Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale, policia iu ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë normat e shpejtësisë dhe të evitojnë përdorimin e pijeve alkoolike gjatë udhëtimit.
Situata
E ndërsa situata në akset rrugore në veri të vendit paraqitet e vështirë, Ministria e Brendshme mendon ndryshe. Sipas saj, situata është përmirësuar. Në një komunikatë për shtyp të kësaj ministrie, thuhet se, “situata e krijuar nga reshjet e dëborës në disa zona të vendit tashmë paraqitet me e përmirësuar, falë edhe një përmirësimi të lehtë të kushteve të motit, e gjithashtu punës së kryer nga shtabet e emergjencës që po funksionojnë me efikasitet të plotë në të gjitha qarqet që u përballën me këtë situatë”. Sipas Ministrisë së Brendshme, të gjitha rrugët nacionale janë të lira e të kalueshme pa probleme, me përjashtim të disa segmenteve, ku është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve. Ndryshe paraqitet situata në komunat dhe fshatrat e rretheve të përfshira nga reshjet e dëborës, të cilat janë bllokuar. Për këtë, ministria u shpreh se, forcat e organizuara nga shtabet e emergjencës, nën drejtimin e prefektëve të qarqeve, po punojnë intensivisht për zhbllokimin e komunave të bllokuara gjatë këtyre ditëve. Si rezultat i kësaj pune, Ministria e Brendshme tha se janë zhbllokuar komunat Shtiqen, Tërthore dhe Surroj në qarkun e Kukësit, si dhe dy komuna në qarkun e Dibrës. Megjithatë, numri i komunave të bllokuara është shumë i lartë. Kështu, mësohet se në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Kalis, Ujmisht, Bushtricë, Grykë Çajë, Arrën, dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës. Në qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh, në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit. Sakaq, policia iu ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të marrin masa për pajisje me zinxhirë, për shkak të terrenit të rënduar nga reshjet e dëborës. Ndërkohë, sipas komunikatës për shtyp, në qarkun e Korçës nuk ka komuna të bllokuara, përveç komunës Velçan në rrethin e Pogradecit, ndërsa në qarkun Elbasan janë të bllokuara komunat e Librazhdit, Stërblevë dhe Stravaj, kurse komuna e Lunikut është zhbllokuar. Moti i keq dhe mjegulla e dendur që mbuloi vendin, bëri që të pezullohen edhe fluturimet në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Të gjitha fluturimet në ulje dhe ngritje u ndalën në orën 1:00 të mëngjesit të djeshëm, për shkak të dendësisë së mjegullës dhe vizibilitetit të dobët. Ndërkohë, me hapjen e kohës, nisën edhe fluturimet drejt destinacioneve të parashikuara.
Parashikimet, mot i keq edhe në ditët në vijim
Parashikimet e sinoptikanëve thonë se moti do të jetë i keq edhe së paku për tri ditët në vijim. Sipas tyre, vendi ynë do të vijojë edhe në tri ditët në vijim me një mot të paqëndrueshëm, me erë, mjegull dhe me temperatura kryesisht të ulëta. Kështu, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë ditës së sotme do të vijojë një mot i paqëndrueshëm, por me tendencë termike në rritje, ku temperaturat minimale do të luhaten nga -7 deri në 2 gradë Celsius dhe ato maksimale, nga -2 deri në 10 gradë Celsius. Ditën e mërkurë, moti do të karakterizohet nga vranësira dhe erë, e cila do të jetë me shpejtësi deri në 10 m/sek, ndërsa temperaturat minimale do të jenë nga -4 deri në 5 gradë Celsius dhe ato maksimale nga 0 deri në 10 gradë Celsius