E Diel, 1 Nëntor 2026

Frattini: Pa viza në qershor, nëse plotësohen reformat

Nga Armand Maho

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, tha dje në Tiranë se shpreson që liberalizimi i vizave me Shqipërinë të realizohet brenda qershorit të vitit të ardhshëm, kur dhe pritet të përfundojë mandati i kabinetit ekzekutiv të BE. Por, Frattini tha se kjo është në dorë të qeverisë shqiptare, e cila duhet të plotësojë kushtet, të cilat kanë qenë të qarta.

“Rruga drejt liberalizimit të vizave duhet të vazhdojë. Unë besoj se pasardhësit e mi në Bruksel në Komisionin Evropian do mund të realizojnë përpara fundit të mandatit të tyre, qershor 2009, këtë rrugëtim. Vërtet që ky nuk do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Evropën e Bashkuar, por gjithsesi do të ishte një sinjal i jashtëzakonshëm fakti që qytetarët e këtij vendi të kenë të drejtë të hipin në një traget në Durrës për të shkuar në Bari pa pasur një vizë individuale. Është e qartë se këto etapa kërkojnë një vullnet të fortë politik nga ana e qeverisë shqiptare. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë. Gjithashtu duhet të realizohet reforma e sistemit zgjedhor. Unë uroj që kjo të bëhet në marrëveshje me opozitën, pasi kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e përbashkët dhe sigurisht edhe një proces reformash që të prekë magjistraturën. Një reformë në drejtësi që duhet të jetë po aq e gjerë dhe e rëndësishme”, - tha Frattini. I pyetur nga media, se pse e përmend këtë afat, Frattini tha se gjithçka mund të realizohet brenda kësaj periudhe. “Unë përmenda këtë afat, pasi mendoj se është e mundur të arrihet. U largova nga Komisioni Evropian duke vendosur disa parakushte shumë të qarta. Shumë rigoroze për të gjitha vendet që duan të kenë një regjim vizash të liberalizuara. Ndër këto parakushte, ishin edhe dy që unë mendoj se Shqipëria i ka plotësuar tashmë. Ishin ndoshta parakushtet më të rëndësishme. Kushti i parë, siguria lidhur me identifikimin e personave. Parakushti i dytë është një luftë, me rezultate, kundër krimit të organizuar transkufitar, atij kriminaliteti që kalon përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbërrin, për fat të keq, në Bashkimin Evropian”, - u shpreh Frattini.

Sipas tij, tashmë shqiptarët në vendin fqinj kanë një imazh më të mirë. “Sot, ne kemi 400.000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, duke respektuar ligjin, me përjashtime të vogla që ndëshkohen në bashkëpunim të plotë gjyqësor mes dy qeverive tona dhe imazhi, ashtu si dhe ministri Basha kujtoi me të drejtë, është një imazh që në Itali është rritur dhe përmirësuar. Një imazh që sot rrethon popullin shqiptar me një vizion pozitiv. Ja sepse Italia ka bërë mirë dhe do vazhdojë të mbështesë prirjen evropiane dhe atlantike që Shqipëria ka. Ne do të shpiem para Këshillit të Ministrave të Italisë për miratim dhe brenda pak javësh do të kemi miratimin ministror dhe ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Parlamenti italian do ta ratifikojë atë shumë shpejt”, - deklaroi ministri italian.

Frattini zhvilloi takim dhe me kryeministrin, Sali Berisha, gjatë të cilit vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare. Gjatë takimit, përveç temave të tjera u diskutua dhe për Korridorin 8.

“Me ministrin e Jashtëm Frattini diskutuam për Korridorin 8, një vepër madhore që do të transformojë jugun e Ballkanit. Vendet tona presin me kënaqësi të shohin Italianë, lokomotivë të këtij projekti të madh”, - tha Berisha.

Ndërsa në takimin me presidentin, u theksua nevoja e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Duke folur mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, presidenti Topi dhe ministri i Jashtëm italianm Frattinim vunë në dukje se dy vendet tona ndajnë të njëjtin vizion për një rajon të sigurt, të zhvilluar dhe pjesë të Bashkimit Evropian. Presidenti Topi siguroi se Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rol stabilizues në rajon, duke synuar bashkëpunim sa më të ngushtë me vendet e rajonit të Ballkanit në të gjitha drejtimet”, - thuhet në një njoftim të Presidencës.

Zgjerimi, Frattini: Vështirësi më Traktatin e Lisbonës, por besoj se do kalojnë

Dikur nënpresident i Komisionit Evropian, tani ministër i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini pranon se Bashkimi Evropian po has vështirësi për miratimin e Traktatit të Lisbonës, që do i hapte rrugë anëtarësimit të vendeve të reja në BE. Por ai shton se kjo gjë mund të realizohet deri në fund të vitit të ardhshëm dhe kjo do i hapte një perspektivë Shqipërisë për të kërkuar statusin e vendit kandidat.

“Në radhë të parë, lipset të kuptojmë dhe të dimë se kur qeveria shqiptare mendon të diskutojë me Bashkimin Evropian mbi mundësinë e paraqitjes së një kandidature. Ne kemi sot një element kyç që është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që duhet të zbatohet. Ka nisur tashmë zbatimi si i Marrëveshjes së Ndërmjetme, ashtu dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ajo çka unë besoj është se shihet qartë se për anëtarësimin nevojitet realizimi i plotë i planit të reformave, për të cilin Shqipëria po punon, një vullnet i fortë politik, i cili ekziston, duke konfirmuar prirjen evropiane dhe padyshim nevojitet një kuadër institucional. Por ne, siç thashë, parashikojmë të përmbushim këtë proces institucional jo më larg se fundi i vitit 2009. Ju e dini që hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës është njëri prej kushteve për anëtarësimin e vendeve të reja anëtare të Bashkimit Evropian, pasi kështu përcakton Traktati i Nicës. Duhet të bëjmë një hap përpara dhe mendojmë se do të bëhet përpara fundit të vitit 2009. Unë besoj pra se rruga e Shqipërisë është tashmë një rrugë e mbarë. Siç thashë, nevojitet vullnet i fortë politik, një program reformash në vazhdimësi dhe zbatimi i Marrëveshjes që sapo është negociuar dhe ka hyrë në fuqi”, - tha Frattini.

“Mjaft” proteston: Jo racizmit ndaj shqiptarëve në Itali

Lëvizja “Mjaft!” protestoi dje gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm italian në Shqipëri duke i quajtur diskriminuese vendimet e qeverisë italiane për të ndarë që në shkolla fëmijët italianë nga ata emigrantë, si dhe kundër nismave të tjera në Itali që sipas “Mjaft!” ngjajnë me reforma raciste.

Gjatë kohës kur ministri i Jashtëm i Italisë, z. Franco Frattini, po hynte me kortezhin e tij brenda Kryeministrisë në bulevardin historik për Tiranën, aktivistët e lëvizjes “MJAFT!” nxorën një banderolë ku shkruhej në italisht “NO al RAZZISMO!” (Jo Racizmit!).

Një makinë fuoristradë e “Mjaft!” shpërndante me altoparlantë tingujt e “Giovinezza”, himnit të rinisë fashiste që u kompozua nga avokati dhe kompozitori Giuseppe Blanc në vitin 1909 e që u përdor nga regjimi fashist deri në Luftën e Dytë Botërore.

“Ne mirëpresim takimet dypalëshe me fqinjët tanë italianë, por nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndaj politikave të tilla diskriminuese të qeverisë ‘Berlusconi’, ku bën pjesë dhe zoti Frattini, si ndarja e shkollave për italianët e emigrantët, marrja e shenjave të gishtërinjve fëmijëve të emigrantëve apo dhe ndaj nismave të tjera që kanë sjellë një klimë dhe frymë raciste në Itali, që kundërshtohet fuqishëm dhe nga opozita e atij vendi”, - tha një drejtuese e “Mjaft”. “Zoti Basha dhe zoti Berisha e kanë për detyrë jo vetëm të takohen e pastaj të buzëqeshin përzemërsisht në këto takime, por së pari të lobojnë për kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë në Itali”, - nënvizoi Elisa Spiropali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›