Maqo Lakrori: Ribashkim i PS përmes një kongresi të saj
Ish-sekretari socialist Maqo Lakrori dha dy propozime të rëndësishme dje në Asamblenë Kombëtare të socialistëve. Një nga themeluesit e Partisë Socialiste të qershorit 1991, Lakrori kërkoi që kjo parti të jetë e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2009. “Asambleja Kombëtare të nisë një proces bashkimi të socialistëve duke e finalizuar këtë proces me një kongres, i cili do t’i përfshijë të gjithë”, mësohet t’i jetë drejtuar Lakrori asamblesë. Sipas tij, socialistët nuk janë të çarë, por aktualisht janë të shpërndarë dhe për këtë kërkohet një proces konsultimi dhe gjithëpërfshirje për t’i bërë të gjithë, të vjetër dhe të rinj në këtë parti, pjesë të një procesi që do ndihmojë në fitoren e së majtës. Gjithashtu, ish-ministri socialist dhe për një kohë të gjatë sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PS, kërkoi një proces ballafaqimi me anëtarësinë dhe simpatizantët e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Duke iu referuar zgjedhjeve në Amerikë, ballafaqimeve dhe garave brenda partive, Lakrori u shpreh se kandidatët duhet të përcaktohen nga vetë ata që do votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa kandidatët do të paraqesin në elektorat platformat e tyre. Kjo sipas Lakrorit do të garantojë fitoren e PS, pasi kandidaturat e saj do kenë kaluar më parë në filtrin e anëtarësisë dhe më gjerë, ndërsa do lehtësonte dhe mekanizimin e përzgjedhjes së tyre nga forumet e larta në PS. Ndryshe nga herët e tjera, propozimet e Lakrorit nuk janë kundërshtuar. Kreu socialist është shprehur i hapur të diskutojë të gjitha propozimet që vijnë nga anëtarët e forumeve të PS-së, ndërsa kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, kërkoi që këto dy çështje të hidhen për diskutim në mbledhjen e ardhshme të këtij forumi. Por propozimet e Maqo Lakrorit janë mbështetur edhe nga një tjetër themelues, Ilir Zela, themelues i Forumit Eurosocialist në vitin 1991. Zela i ka konsideruar të goditura dhe ka kërkuar diskutimin e tyre në këtë forum. Mësohet se edhe anëtarë të tjerë të asamblesë, edhe pse nuk u ngritën dje për të folur rreth këtyre propozimeve, nën zë i kanë përkrahur ato si mekanizma, që garantojnë fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme.
Rama
Kreu i Partisë Socialiste gjatë fjalës së tij në Asamblenë kombëtare, paralajmëroi se PS nuk do të japë konsensus për Reformën në Drejtësi. Rama tha se Kryeministri Berisha ka konflikt me drejtësinë shqiptare. Ndërsa siguroi angazhimin serioz të Partisë Socialiste për zbatimin e Kodit të ri Zgjedhor përpara anëtarëve të Asamblesë kombëtare, Rama paralajmëroi se PS-ja nuk do të japë konsensus për Reformën në Drejtësi. Arsyeja e vetme sipas Ramës, lidhet me tragjedinë e Gërdecit dhe lidhjen direkte që kryeministri Berisha ka me korrupsionin dhe konfliktin e interesit me drejtësinë shqiptare. “Në rastin e Reformës në Drejtësi, nuk ka interes reciprok, për shkak se ne jemi të interesuar t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një reformë, e cila të garantojë më shumë pavarësi dhe më shumë efektshmëri të sistemit gjyqësor, ndërkohë që Sali Berisha është i interesuar kundër pavarësisë dhe efektshmërisë së sistemit gjyqësor, me të cilin Kryeministri i Shqipërisë, klani i tij, qeveria e tij kanë një konflikt të hapur interesi”, përfundoi kryesocialisti Rama.