E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solbaken: “Danimarka, një favorite



Trajneri i klubit të njohur danez në arenën ndërkombëtare, FC Kopenhagen, Stal Solbaken, e shikon Danimarkën si një favorite të qartë për të qenë në finalet e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Deklarata është bërë në gazetën e njohur sportive daneze “Tipsbladet”.
Danimarka fitoi 3-0 kundër Maltës në ndeshjen e fundit dhe aktualisht ka katër pikë më shumë se Portugalia e Suedia (të dyja nga 6). Suedia e Portugalia barazuan për herë të dytë midis tyre pa gola dhe rezultati shkoi në favor të Danimarkës dhe Hungarisë, që bashkëkryesojnë me nga 10 pikë.
“Danezët do të bënin një gabim trashanik dhe tifozët do të çmendeshin nëse skuadra nuk do të arrinte të luante në Kupën e Botës. Suedia ka humbur pikë me Shqipërinë dhe ka luajtur dy herë kundër Portugalisë, kështu që Danimarka është favorite e qartë e grupit. Me një fitore kundër Suedisë qershorin e ardhshëm, të cilën unë do ta shikoja si të mundshme, besoj se do t’ia dalim”, - citohet Solbaken nga sporten.dk.
Trajneri i Kopenhagenit pohoi se nuk e shihte aspak Portugalinë si kandidate për vendin e parë në grupin 1 kualifikues. Solbaken pohoi se pjesëmarrja e Danimarkës në finalet e Kupës së Botës do të ishte shumë mirë edhe për lojtarët që ai drejton.

“MASKA” JENSEN

Daniel Jensen do të luajë kundër Shqipërisë, duke vendosur një maskë mbrojtëse në fytyrë, kur dy ekipet do të përballen të mërkurën në “Parken Stadium” (ora 20:15). Fitorja ndaj Maltës të shtunën e kaluar e ka çuar një hap më para skuadrën daneze drejt finaleve të Botërorit.
Sipas tij, nëse Danimarka do të marrë tri pikët kundër Shqipërisë të mërkurën, atëherë nuk ka asnjë dyshim se skuadra e tij është në rrugë të mbarë për të qenë midis 32 finalistëve të Kupës së Botës, nisur edhe nga barazimi 0-0 i Portugalisë me Suedinë tri ditë më parë.
“Shumica e ndeshjeve janë luajtur dhe tani mund të flasim e të bëjmë parashikime dhe për ekipin që mund të zërë vendin e parë në grup. Të gjithë e dinë mirë se ne jemi favoritët për të zënë vendin e parë”, - citohet Jensen nga gazeta “Tipsbladet”.
“Në situatat thelbësore, atje edhe ku vendosen ndeshjet, ne kemi qenë fenomenalë e kemi marrë pikët. Fakti që ne kemi munguar në dy kampionatet e fundit, por ato na kanë nxitur më shumë, ne besojmë të njëri-tjetri e jemi përmirësuar shumë”, - përfundoi mesfushori, i cili theksoi se pret vetëm tri pikë të fituara nga Shqipëria.

PARALAJMËRIMI

Edhe pse Danimarka vjen nga një fitore pa shumë mundime, 3-0, kundër Maltës e kryeson grupin tonë, me 10 pikë pas katër ndeshjesh, Federata Daneze e Futbollit paralajmëroi trajnerin Morten Olsen e skuadrën e tij se Shqipëria ka arritur disa rezultate të rëndësishme me ekipet favorite të grupit 1 eliminator të zonës europiane. Në faqen zyrtare shkruhet se, “Shqipëria, ashtu si Portugalia e vendit të tretë e Suedia e vendit të katërt, ka grumbulluar gjashtë pikë, teksa ka marrë barazuar me Suedinë (0-) e Portugalinë (0-0)”.

DËMTIMET

Danimarka ka disa lojtarë të dëmtuar, përfshirë Daniel Jensen, Kristian Pulsen e Lars Jakobsen, por stafi mjekësor është optimist për rikthimin e tyre kundër Shqipërisë. “Daniel pati probleme me tendinën e Akilit, por ne jemi të sigurt se ai do të jetë gati për ndeshjen e së mërkurës. Kristian pati një goditje me bërryl në faqe, por ai do të jetë gjithashtu. Lars Jakobsen thuajse është i rehabilituar nga problemi në gju”, - pohoi mjeku Soren Kalund për faqen zyrare të Federatës daneze. Rasmusen, Kristensen, Vingard e Kristiansen, sipas ndihmëstrajnerit Ebe Sand, do të jenë gati kundër Shqipërisë.

BASTET KUNDËR SHQIPËRISË

Kompania më e madhe e basteve në botë, Bëin, në koeficientët e saj nuk e llogarit aspak si favorite Shqipërinë, duke e konsideruar fitoren e Danimarkës si shumë të lehtë. Fitorja e Danimarkës kuotohet 1.20, barazimi 5.55, ndërsa fitorja e Shqipërisë, 11.00. Kurrë më parë nuk kanë qenë këta tregues në një ndeshje të Kombëtares sonë.

Biletat

Federata Daneze e Futbollit bëri të ditura çmimet e biletave për ndeshjen Danimarkë-Shqipëri. Biletat janë ndarë në katër kategori të ndryshme çmimesh sipas sektorëve të “Parken Stadium”. Më të shtrenjtat, ato të Kategorisë 1, janë 445 kroner danezë, ose rreth 60 euro. Bileta më e lirë, ajo e Kategorisë 4, është 230 kroner ose afërsisht 31 euro. Për tifozët nën moshën 18 vjeç dhe pensionistët, bileta më e shtrenjtë është rreth 32 euro, ndërsa në Kategorinë 2 është rreth 26 euro.

Tifozët shqiptarë

Federata Daneze e Futbollit informoi se për tifozët e Kombëtares shqiptare është rezervuar tribuna B e “Parken Stadium”.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›