E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri ngatërron Tërthoren me Shëmrin në KukësNga Antena brenda familjesFlamuri ishte dje në fushatë në zonën e tij. U bënë plot dy javë dhe ai nuk kishte shkuar asnjë ditë në fushatë. Më në fund vendosi të shkonte në disa fshatra të zonës. Kryetari

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri ngatërron Tërthoren me Shëmrin në KukësNga Antena brenda familjes

Flamuri ishte dje në fushatë në zonën e tij. U bënë plot dy javë dhe ai nuk kishte shkuar asnjë ditë në fushatë. Më në fund vendosi të shkonte në disa fshatra të zonës. Kryetari i DP së Kukësit i rekomandoi komunën Shëmri dhe Tërthore. “Në rregull, - i tha Flamuri, - vetëm nga ana ime mos të jenë.”

Në Tërthore takimi ishte i vogël. Ishin rreth 30 vetë, me gjithë makinat që shoqëronin Flamurin nga Kukësi.

- Çfarë t’u them unë, - tha Flamuri, - ndonjë të veçantë?

- I ke gati, - i tha kryetari i PD, - t’i kam përgatit premtimet me shkrim. Ja ku i ke.

Flamuri mori fjalën.

- Sapo shkela në fshat, vendosa të mos mbaj fjalimin që kisha bërë gati, - tha. - Vendosa ta bëj këtë, pasi pashë fitoren në sytë tuaj. Këta njerëz nuk kanë nevojë t’u flasësh dhe as t’u kërkosh votë, thashë. Fitorja lexohej në sy….

Plasi një duartrokitje nga njerëzit rrotull tij.

- Të lumt goja or taj! - bërtiti një person.

- Tani dua vetëm t’u them ku është përparësia jonë, - tha Flamuri. - Përparësia jonë e madhe është se ne kemi kryetar Sali Berishën, ata kanë kryetar Edi Ramën. Si mund të krahasohen këta dy udhëheqës?! Njëri është simbol i kombit, tjetri është armik i kombit… armik i rrugës, armiku juaj.

- Të lumt goja or taj! - bërtiste vazhdimisht i njëjti person.

- Tani dua t’u them disa premtime, - tha Flamuri. - Premtimi i parë është se komuna Tërthore brenda vitit do lidhet me rrugë të asfaltuara me autostradën, premtimi i dytë është se çdo shtëpi do ketë ujë të pijshëm brenda, premtimi i tretë është se do rikonstruktojmë këtë shkollën e mesme këtu….

- Të lumt goja or taj! - bërtiti sërish i njëjti person.

Ndërkohë, kryetari i PD vrapoi te podiumi dhe e kapi Flamurin nga xhaketa.

- Na fike or taj, - tha, - po lexon premtimet për Shëmri, këtu jemi në Tërthore, as kanë shkollë të mesme, as janë afër autostradës. Ene ujë të pijshëm kan plot, se vjen prej Bjeshke.

- Mos, e paskam ngatërruar, - tha Flamuri.

Pasi u qetësua pak, e mori prapë fjalën.

- Siç ju thashë, epërsia jonë e madhe qëndron te Sali Berisha dhe fakti që ai është në krye të listës së qeverisë së re. Siç e thashë më lart, sapo erdha këtu në Tërthore, e pashë fitoren në sytë tuaj dhe thashë, nuk ka nevojë për premtime. Dhe ato premtime që bëra, nuk janë për ju, se ju nuk keni nevojë, por janë për fshatin Shëmri, të cilin do ta ndihmojmë të arrijë nivelin e fshatit Tërthore.

- Të lumt goja or taj! - vazhdoi përsëri i njëjti person.

Pasi mbaroi Flamuri, e mori përsëri fjalën kryetari i PD.

- Me thënë të drejtën, - tha, - katër vjet më parë, kur Berisha premtonte kaq shumë gjëna, s’e kena besu, por tani që i ka bë realitet, jemi të detyruar me i besu gjithë çka thotë.

Një plak i heshtur, që po rrinte i ulur përballë tribunës së improvizuar, iu drejtua kryetarit.

- Të drejt ke mixhë. Kan pas zbrit do të Hasit në pazar të Kukësit, ene i kanë pas pyet më 2001:

- Sa kushton qengji që po e shet?

- Sa tri lumjan, - është përgjigj hasiani.

- Pse bre sa tre lumjan? Sa kushton nji lumjan? - e ka pyet tjetri.

- Me 20 mijë lek të vjetra i kan ble për votime, - i tha hasiani.

Tash ka ndërru puna, e këtë javë pazari kish ndryshu çmimin. E kan pyet këtë të diel:

- Sa kushton një qengj?

- Sa tridhjetë lumjan, - i është përgjigjur ai që e shiste.

- Pse bre, sa paska rënë çmimi i lumjanëve? - e pyeti blerësi.

- Po 2 mij lek të vjetra ka shku, - tha ai që shiste. - Vjen ai Flamuri, u jep nga një tollon për kart identiteti dhe nuk ua kërkon votën, se e hedh vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›