Fushatë programore apo premtime elektoraleNga Sadedin ÇelikuKa disa muaj që ka filluar fushata elektorale de facto. Ajo që bie në sy përveç zhurmës së madhe janë premtimet elektorale për të tërhequr votat e zgjedhësve të pavendosur. Partia në pushte
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Fushatë programore apo premtime elektoraleNga Sadedin ÇelikuKa disa muaj që ka filluar fushata elektorale de facto. Ajo që bie në sy përveç zhurmës së madhe janë premtimet elektorale për të tërhequr votat e zgjedhësve të pavendosur.
Partia në pushtet paraqitet pa program të qartë në këtë fushatë. Kudo që shëtit lideri demokrat premton për rrugë dhe heqje vizash, a thua se vetëm këtë hall kanë shqiptarët. Të njëjtën gjë në bllok bëjnë dhe ndihmësit e tij, duke filluar nga zonja Topalli. Dëgjova z. Berisha në një nga rrethet se “mandatin e dytë” ai do të zhdukë varfërinë.
Çudi, edhe vendet me nivel më të lartë s’e kanë zhdukur atë. Asnjë nuk thotë se do të bëjë këto rrugë apo autostrada dhe ku do t’i gjejë burimet financiare, do ulë papunësinë e reduktojë varfërinë dhe nuk thuhet si do të bëhet. Do rriten pagat e pensionet dhe do dyfishohet ndihma ekonomike dhe nuk na thuhet se si do të realizohet dhe ku do të gjenden këto të ardhura. Do ndërtohen shkolla, ulen taksat, do subvencionohet bujqësia, përsëri veprohet njëlloj sikur ky popull të ishte injorant.
Ajo që duan të dëgjojnë zgjedhësit janë programet, punët dhe përgjegjësitë konkrete që marrin përsipër të bëjnë dhe jo slogane. Partia në pushtet mund dhe duhet të merrte mbështetje, në qoftë se ajo do të kërkonte falje publike për ngjarjen e Gërdecit, për spastrimin e administratës publike, për dinamikën e korrupsionit shtetëror, për privatizimet jotransparente dhe të dyshimta, për zbatimin e ligjit të koncesionit dhe afera të tjera për interesa të ngushta të oborrtarëve. Për mohimin e votës që iu bëhet mijëra njerëzve në votimin e 28 qershorit për shkak të mungesës me qëllim të kartave të identitetit.
Për rritjen e papunësisë e mjaft gjynaheve të tjera që ka kjo qeveri. Atëherë, përse duhet t’u besojë elektorati shqiptar edhe për një mandat të dytë?
Çdo natë në kanalet televizive mbahet radhë dhe shfaqen kandidatë për deputetë tek sfilojnë përpara teleshikuesve premtimet boshe të tyre. Shikoni sa debatojnë. Të nesërmen e debatit fillojnë diskutimet se kush ishte fitimtari dhe më i zoti. Fitues del gjithnjë ai që ngre zërin më shumë ose ai që nuk lë radhë të flasin të tjerët.
Të urtët nuk shfaqen më, se nuk janë në listë. Atyre ndofta do t’u vijë radha më vonë. Këto ditë 27 shtete të Bashkimit Evropian bënë zgjedhjet e tyre për europarlamentarët. Parimi numër një i tyre janë zgjedhjet e lira e të ndershme dhe të pranuara nga palët, kur te ne zgjedhjet janë me rrezik dhe gjithmonë të kontestuara.
Pjesëmarrja e ulët e zgjedhësve në vendet e Bashkimit Evropian shpjegohet me indiferentizmin dhe bindjen e qytetarëve të tyre se BE nuk ka bërë sa duhet për kapërcimin e krizës globale dhe efektet e saj në ekonomi. Pikërisht për shkak të kësaj situate zgjedhësit atje votuan në përgjithësi për opozitat.
Në SHBA aktualisht raportohet një shifër prej 10% papunësie për shkak të efekteve që u shtrinë nga kriza dhe falimenti i gjigantëve atje. Po te ne?
Në Shqipëri, ku ziejnë të gjitha kafenetë non stop, shifrat e papunësisë i raportojmë 13%, kur në fakt është rreth 40%. Puna e zezë, informaliteti kudo dhe mjaft plagë të tjera na serviren si arritje, madje na mbushin mendjen se vërtet “Shqipëria po ndryshon”.
Partitë politike të mos mjaftohen me premtime pa bereqet, në të kundërtën do ndeshen me indiferentizmin e shqiptarëve me ose pa karta identiteti dhe nuk do të shkojnë në kutitë e votimit.
Ata nuk duan pushtet, por duan shpresën e vrarë prej vitesh, punë, siguri, integrim, mirëqenie dhe të jetojnë si të gjithë popujt evropianë, se e meritojnë.