“Zonë e Ndaluar” bëhet zonë e ndaluar Nga Fatos LubonjaLetër publike kryeministrit në prag të zgjedhjeve Tashmë u bënë dhjetëra fushata zgjedhore dhe ju, zoti kryeministër, i keni shkelur me dhjetëra herë sheshet e sallat anekënd Shqipërisë. Asnjë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Zonë e Ndaluar” bëhet zonë e ndaluar Nga Fatos LubonjaLetër publike kryeministrit në prag të zgjedhjeve
Tashmë u bënë dhjetëra fushata zgjedhore dhe ju, zoti kryeministër, i keni shkelur me dhjetëra herë sheshet e sallat anekënd Shqipërisë. Asnjëherë nuk keni mbetur pa u folur e pa u paranjoftuar fitoren turmave që janë mbledhur t’ju dëgjojnë. Pa pikë besimi te mikrofonat dhe përforcuesit, ju keni mbushur sheshet, honet, luginat me zërin tuaj, që pas tri katër mitingjeve të para ju ka lënë në baltë, nga ngjirja. Duket sikur që prej 18 vjetësh, ju akoma nuk po ju vënë në dijeni që mikrofonat jua hapin me kapacitet të plotë.
Ngjirja nuk është e bukur. Me lejen tuaj do të thosha se është e shëmtuar. Ajo i bën të pakëndshme fjalët, edhe sikur ato t’jua kishte shkruar Lasgushi.
Por, pas kaq vitesh, ju mund të reflektoni, mund ta lexoni këtë letër me qetësi dhe ta kuptoni, se këto këshilla të paktën në të mirën tuaj janë.
Ju, për herë të parë, i keni të gjitha arsyet që ta ruani zërin. Ish-kolegët tuaj - nuk flas për presidentët, por për mjekët - otorinolaringologët, kanë një listë shkencërisht të provuar me zanoret që godasin më shumë dhe dëmtojnë pejzat e fytit. Nga ato zanore, o-ja është e para, në krye të listës. Ju e përdorni shumë atë: “Ju sigurooooj” “Ju garantoooooj”, - thoni ju, sa herë merrni fjalën. Eliminojini gjithë ato o-ra, tok me fjalët që garantojnë dhe sigurojnë! Aq më tepër që këto tetëmbëdhjetë vjet treguan se ju as siguroni dhe as garantoni gjë. Të paktën, garantoni zërin tuaj!
Ju këtë herë nuk keni përse të ngjireni edhe për një arsye tjetër: nuk keni asgjë të re për të thënë. Të gjitha i keni thënë. Jehonën e fjalimeve tuaja të ngjirura e kanë të regjistruar tërë sheshet, sallat dhe faqet e maleve. Unë mendoj se sot nuk ka shqiptar të mos dijë përmendësh se çfarë do të thoni ju. Për më tepër sheshet dhe sallat tani jua mbush turma ambulante që ju ndjek pas që nga Tirana. Militantët shoqërues janë gati t’ua suflojnë, po të harroni ndonjë fjalë nga ato që sapo jua kanë dëgjuar në mitingjet e po asaj dite.
Ju duhet të kujdeseni për laringun tuaj edhe po të keni ndonjë gjë të pathënë kurrë më parë. Mos e harxhoni zërin, se, jo unë, por ju vetë, u keni thënë publikisht tifozëve dhe kundërshtarëve tuaj, se nëpër fushata elektorale nuk thoni asgjë të vërtetë e se ato i thoni vetëm nga nevoja për fitore. Kështu që gënjeshtrat e kësaj radhe nuk e vlejnë t’u bësh fli zërin. Ju katër vjet më parë patët kërkuar votën e patët paralajmëruar ndëshkime për hajdutët. Shpallët me shifra vjedhjet, kontrabandat e trafiqet dhe pastaj njoftuat votantët të mos prisnin asgjë nga ato që premtuat, pasi i keni pasur që të gjitha gënjeshtra. Dhe duhet të jenë nga të vetmet gënjeshtra të ngjirura, që janë dëgjuar nëpër altoparlantët e rruzullit!
Në kuadër të kursimeve të zërit… Kur inauguroni çezma, puse, lyerje shkollash, trotuare, gurë kilometrazhi dhe tabela që kufizojnë shpejtësinë, mos flisni vetëm ju. Lërini të flasin për ngjarjen e madhe edhe bashkëpunëtorët tuaj. Është më mirë kur qesharak nuk bëhet vetëm një njeri.
Këtë herë, zotëria juaj, e sheh se keni më pak e më pak njerëz përpara vetes. Me dhimbje (tuajën!) ju them se askush nuk vrapon më të vijë e t’ju dëgjojë. Shoqatat me prirje të pastra antikomuniste, që ju i shpërfillët në këto dekada, kanë shpallur largimin nga ju dhe po i përkëdhelin shpresat në mitingje të tjerë. E kuptuan më së fundi që ju i keni mashtruar egërsisht ata. Dhe largimi nuk është punë shoqatash, se shoqatat edhe manipulohen (dhe ju e keni bërë gjithnjë mirë këtë). Më e keqja është se këtë radhë, logjikisht, ju kanë kthyer kurrizin masat e të përndjekurve. Ju e keni ditur me kohë që do të vinte kjo ditë, kur do të hapeshin tamam sytë e do të shihej qartë se ju vetëm i shfrytëzuat ata.
Gjithçka ndodhi si në atë përrallën e famshme, ku për të bindur kecat që t’i hapnin portën, ujku u shtir se ishte dhi dhe leu këmbën me miell që kecat ta besonin. Të përndjekurit e regjimit komunist, zoti Berisha, ishin mielli juaj, me të cilin ju lyet dhe zgjatët këmbën në pragun e Shtëpisë së Bardhë. Ai miell ju bëri goxha punë atëherë, porta ju hap e tani vjen zgjimi.
Sot nuk u drejtoheni dot më atyre, por ama, keni rast të kurseni kordat vokale.
Në fakt, ju i urreni ata që vuajtën regjimin e Enverit. Cinizmi juaj ndaj tyre është i papërmbajtshëm. Një vit të tërë parazgjedhor u krijuat një iluzion shpagimi dhe i vutë të rendin për dokumentet e plagëve. I vutë në rreshta para Ministrisë së Drejtësisë, para Gjykatave, para Drejtorisë së Burgjeve, para Gjendjeve Civile e Postave që të merrnin vërtetime persekutimi e t’ua paraqisnin prapë …Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe Gjykatave!.. Nuk ish veçse një rrotullame burokratike, që u shndërrua në një paradë të këtyre njerëzve të vuajtur, plot paraliza e brazda të thella në fytyrë, me flokë e dhëmbë të rënë. Krijuat me ta tablo piktoreske para zyrave, tablo mjerimi, që u shijuan mjaft nga hetuesit e tyre të dikurshëm, të transformuar tani në noterë, avoketër dhe nëpunës të administratës suaj. Me tërë lëvizjet tuaja kundër tyre u treguat hallemëdhenjve, se ju paskëshin besuar kot, se me Berishën e paskëshin ngrënë sapunin për djathë. U tallët me besimin e tyre iluzor pas përmbysjes, se ju do t’u hiqnit udhën në ndreqjen e padrejtësive komuniste. Kështu e pat dërguar njëherë e një kohë Sigurimi i Hoxhës Pal Mëlyshin në radhët e rebelëve antikomunistë nëpër male. Ju u bëtë Pal Mëlyshi i Demokracisë. Në platformën që ju parashutoi mes tyre, ju së pari u kujdesët që të shpëtonit vrasësit dhe jo të ngrinit nga harrimi të vrarët. E deklaruat se “ishim të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”! Pastaj, në një prag zgjedhjesh si këto, “bashkëvuajtësin” tonë, Aranit Çelën, e dërguat para togës së pushkatimit. Në një prag tjetër zgjedhjesh si këto, e falët me amnisti dhe tani i jepni atij të tëra llojet e pensioneve: të luftës së ndershme, të punës së përkushtuar dhe të pleqërisë së nderuar! Me kalimin e kohës, moton që jua sugjeroi Komiteti Qendror e katandisët në “Të gjithë bashkëfajtorë dhe të gjithë bashkëvuajtës… me përjashtim të Zamir Shtyllës!”
Ligji juaj i fundit në dënim të komunizmit të këpuste nga brinjët me të qeshurat që të shkaktonte. Aty kategoria e “bashkëvuajtësve” tanë kriminelë nuk prekej hiç. Mjaft që ata të mos shfaqnin dëshirën për t’u zgjedhur ministra e deputetë. Dëshirën për deputet nuk e shfaq as xha Musai, një fshatari im, që e kaloi jetën pranë kënetave të Myzeqesë e duket sikur edhe ai ka kufizime nga ligji juaj! Barazi demokratike e klasit të parë, zoti kryeministër! Në vend që sot të dilte për ajrosje në oborret e burgjeve, Ramiz Alia del në pritje zyrtare me statusin e ish-presidentit reformator, në një kohë që nëpër Evropë, presidentë komunistë, aspak të ngarkuar me krime sa ky i yni, rrinë prej 20 vjetësh nëpër burgje dhe arreste shtëpie. Anëtarë të KQ, ju, personalisht, i emëroni ambasadorë nëpër Evropë. E quani dënim të komunizmit ju, krerët e shtetit, kur ekspozoni trupin pajetë të drejtorit famëkeq, Thanas Nanos, në hollin e Televizionit Publik Shqiptar dhe shkoni rrini aty gatitu në roje nderi?! Për ç’merita të atij të vdekuri, Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë pasdiktatoriale nusëruan me pikëllim bri atij arkivoli, kur dihej se ç’propagandë radiotelevizive bëri ai e çfarë shturmfyhreri ishte Nanoja plak, që dërgohej me ngut sa herë televizioni dilte nga binarët?
Ruajeni zërin, zoti kryeministër, se me këtë ashpërsi që po e dënoni komunizmin, të përndjekurit nuk vijnë t’ju dëgjojnë e ca më pak të votojnë për ju.
Do t’ju votojë vetëm ndonjëri prej tyre që ka interesa t’ju ketë akoma në fuqi. Atyre ua miratoj votën. Nuk kanë faj. Nuk mund të jenë të gjithë idealistë. Por të tjerët, të tallurit, të gënjyerit, të përbuzurit tuaj, nuk do t’jua japin votën. Ju, për ta, jeni aq i papranueshëm, sa ç’është i pabesi. Akoma në viset tona i pabesi quhet edhe më i urryer se hasmi.
Ju keni rast të kurseni zërin, se as pronarët nuk po vijnë t’ju dëgjojnë! Sot në Shqipëri nuk gjen dot kategori më antikomuniste se pronarët. Nuk do të vijnë më kurrë t’ju dëgjojnë ata, zoti kryeministër! Urrejtja reciproke me ta tashmë është e hapur. Ju i vërtitët kartat në mënyrë t’atillë, saqë tani në truallin tënë, nuk merr vesh qeni të zo(t)në. Me legalizimet ju keni mbjellë një bimë sociale, që kokrrat e hidhura do t’i japë më vonë. Shoqëria shqiptare rrezikon të jetë më qesharakja mbi faqe të globit. Shqipëria është i vetmi vend, ku të ndërtosh pa leje, shteti të dënon duke ta legalizuar ndërtimin e duke të dhënë tapinë! Të të zënë aty në përplasje me një veturë pa leje, në vend të burgosjes, të pajisin me patentë!
Edhe fjala NATO ka një o, që ju e zgjatni shumë për nevoja të fitores dhe otorinolaringologët, ju a çkëshillojnë. Vlerat e futjes në NATO ju i shpjegoni, por dëgjuesit nuk ju kuptojnë, po qe se ju nuk i forconi mirë klasat e shkollës fillore. Ata brohorasin, kur brohorisni ju, por kthehen nëpër shtëpira pa e marrë vesh se ç’u ka sjellë kjo fitore e bujshme historike. Ju nuk u shpjegoni dot atyre të vetmen vlerë që ka realisht qenia në NATO dhe që është një kontroll më shumë mbi politikanët e babëzitur shqiptarë të tranzicionit. Dhe ju këtë dobi të vetme nuk e zini në gojë! Por tundni e shkundni lirinë! Cilën liri?! Ne, për gjysmë shekulli kemi qenë larg dhe në armiqësi me dy superfuqitë e nuk na pushtoi kush. Kush e kërcënon lirinë e Shqipërisë, që më së fundi futja në NATO na e garantoi? Askush. E ju këtë nuk e thoni. Pavarësisht se nën peshën e dhunës së Enverit, atëherë ne nuk mendonim kurrë se dikush do ta pushtonte Shqipërinë. Mund të tingëllojë antipatriotike dhe etiketojeni qysh të doni, por ishin qindra-mijëra që e ëndërronin një pushtim atëherë. Dhe ju nuk e kuptoni dot këtë, pasi atë të atëhershmen ju vazhdoni ta quani liri dhe pushtimin enverian nuk ua bën zemra ta quani historikisht më të egrin që ka parë Shqipëria! (Keni të drejtë, se ju ishit me pushtuesin ato kohëra!) Ai pushtim ish më i rëndë se ai i osmanëve, se ai italian dhe se ai gjerman bashkë. Se asnjë nga ato pushtime nuk pat qenë më i dhunshëm, asnjë nga ato nuk i mbylli kufijtë. Njerëzit që nuk duronin zgjedhën e huaj, të paktën kishin liri të iknin, të blinin navllon, biletën e avionit, të furnizonin veturën dhe t’ia mbathin. Kurbetlinjtë i favorizonte Turqia, Italia dhe Gjermania. Kurse Enveri të shtypte, të linte pa ngrënë, mbushte burgjet dhe kampet e internimit, ta bënte jetën skëterrë dhe të vriste, po t’i ikje nga fusha e tij e shtypjes.
Lëreni pra NATO-n, se nuk është ndonjë fitore kushediçë dhe ruajeni zërin!
Marr leje të zbuloj diçka që qarkullon këtejpari dhe që askush nuk do t’jua thotë: Për ju, zoti kryeministër, njerëzit kanë krijuar bindjen se, po të ishit sportist, do të ishit i vetmi në historinë botërore të sporteve, që, sa herë në olimpiada të zinit vendin e fundit, do të na shtrëngonit të brohorisnim! Dhe atë vendin tuaj të fundit në finish, ju do ta shpallnit festë kombëtare! Kështu po ndodh edhe në jetën tuaj politike: i fundit në përmbysjen e komunizmit; i fundit në dënimin e diktaturës; i fundit në reforma; i fundit në NATO; i fundit në anëtarësimin në BE; i fundit në lëvizjen e lirë tej kufijve…
Dhe ju, nuk e hiqni, që nuk e hiqni triumfin nga fytyra e lumturuar!
E pranoj më së fundi që kjo letër më shumë se këshilla për zërin tuaj, ka shpjegimin e votës time, që natyrisht është kundër jush.
Sa herë afroheshin votimet në atdhe, mua gjithnjë më vinte përfytyrimi i një skene nga filmi i Uudi Allenit, kur në një bankë dy banda, pa marrëveshje me njëra-tjetrën, befas nxjerrin njëkohësisht armët dhe urdhërojnë arkëtarët “Duart lart e nxirrni paratë!” Dhe këtë e bënin aq sinkron, sa krijohej një gjendje e nderë. Arkëtarët syçapëlyer e duarpërpjetë ndiqnin debatin se cilës bandë grabitëse duhet t’i dorëzonin paratë. Dhe në film, ashtu si në vendin tonë paskomunist, problemi u zgjidh me votime. U pyetën nëpunësit e bankës se nga cila bandë preferonin të vidheshin…
Është ekzaktësisht e njëjta pyetje që i është shtruar në tërë këto vite zgjedhësit shqiptar!
Unë gjithnjë kam qenë për bojkotin e plotë të votimeve, por ende ai pak patriotizëm më ka shtytur të mos e humb besimin se gjendja e këtyre dy dekadave do të marrë fund. Miqve të mi e farefisit tim u kam këshilluar të votojnë për Spartak Ngjelën. Do të ishte një humbje e madhe mungesa në kuvendin e ri e gojëtarisë dhe e karizmës së Ngjelës, urtësia e Zogajt, Gilman Bakallit, Mustafajt, Petro Koçit, Biberajt dhe gjithë atyre që në kundërshtim me perspektivat që mund t’ua bënin me sy, kundërshtuan diktatin, urdhrat ushtarake nga partia dhe marrëveshjet e dyshimta paraelektorale mes socialistëve dhe demokratëve. Ata u dhanë jetë të paktave ngjarje shpresëdhënëse që gjeneroi Kuvendi hileqar që sapo e mbylli siparin.
Por, në analizë të fundit, duke iu kthyer temës patriotike, pa vrer e urrejtje, shpreh bindjen se të flakësh tej Sali Berishën nga menaxhimi i halleve të Shqipërisë, do të jetë patriotizmi më i lartë i shqiptarëve. Dhe jo se kam besim se punët, pa të, do të rregullohen sa hap e mbyll sytë. Por dëbimi i Pal Mëlyshit të Demokracisë nga historia është hap i madh drejt mbarësisë.