E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Largohem nga kreu i PS-së nëse humb zgjedhjet

 

BLEDAR HOTI

Kryetari i Partisë Socialiste gjatë një interviste në emisionin “Ora e debatit” me gazetarin Alfred Peza në “Ora News” u shpreh për herë të parë se nëse PS humbet zgjedhjet ai do të japë dorëheqjen siç sanksionohet dhe në statutin e kësaj partie. Ai u shpreh se listat e kandidatëve për deputetë do të bëhen publike në momentin e duhur ndërkohë që vazhdon konsultimi për to. Rama i konsideroi figura si Fatos Nano, Rexhep Meidani etj., si pjesë të projektit të PS-së. Rama i kërkon votën qytetarëve për të qenë kryeministër i vendit pas zgjedhjeve.
Ju zoti Rama nxirrni figura të reja në televizione dhe shoqëroheni nga figura të vjetra në bazë?
Rrugëtimin tim në Shqipëri nuk do ta quaja vizitë në bazën socialiste. Në bazë kam qenë me njerëz të shumtë. Në debatet tona kanë shkëlqyer Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Valentina Leskaj, Blendi Klosi, Mimi Kodheli etj. Politika e vjetër nuk është moshë e vjetër, politika e re nuk është moshë e re, por është harmonizim i eksperiencave, reflektimi mbi të shkuarën dhe vizioni i ri për të ardhmen. Politika e vjetër është një qasje e caktuar e një historie të caktuar nga duhet të ndahemi.
Mungojnë në këtë listë që ju përmendët Bashkim Fino në këtë listë, Nano, Mejdani?
Nuk jam në pozitën e atij mësuesi që mban një regjistër mungesa dhe kërkon kush është me arsye dhe ato pa arsye, në projektin tonë nuk mungon askush dhe projekti ynë është i hapur për të gjithë. Eshtë një projekt i hartuar bashkë me qytetarët. Sot unë kam krenarinë dhe kënaqësinë që të jem me ta prej 10 ditësh t’u tregoj atyre programin e ri të PS të hartuar bashkë me sugjerimet e tyre.
Kur do të shpallet lista e kandidatëve për deputetë, pasi kanë mbetur dhe 10 ditë?
Lista e kandidatëve për deputetë do të shpallet në momentin e duhur dhe e kam thënë se sot nuk është momenti i duhur.
Ju do jeni në listë?
Edhe kjo do të zgjidhet në momentin e duhur.
Çfarë rruge po ndiqet dhe si do përzgjidhet lista?
Ka një dëgjim shumë të kujdesshëm të së gjitha burimeve të mundshme të informimit dhe sugjerimit të së gjithë personaliteteve të mundshme për t’u përfshirë në listat tona, personalitete të partisë, të shoqërisë. Këtë dëgjim nuk po e bëj unë, por të gjithë anëtarët e kryesisë.
Ju keni kërkuar në 2003 në kongres instalimin e mendimit ndryshe, ndërsa sot nuk e pranoni këtë?
Kjo është një tezë e konsumuar, por jam në gjendje ta trajtoj. PS është e vetmja parti me demokraci funksionale në Shqipëri pasi është një parti e hapur për këdo që aspiron të bëhet pjesë e saj apo për të ngjitur shkallët në hierarkinë e përgjegjësive të saj. Mendimi i shumicës dërrmuese të PS ka qenë ndryshe, ajo tezë e imja e vitit 2003 nuk ka hyrë në fuqi dhe ndërkohë nga ana tjetër unë vetë kam po atë pikëpamje, të cilat kishte shumica në atë kohë kur e refuzoi atë tezë. Pra kam ndryshuar unë, sepse ka mendim ndryshe në PS. Unë i jam nënshtruar shumicës së asaj kohe, që nuk duhet të ekzistojë mendimi ndryshe. Unë jam pajtuar me atë shumicë. Kjo tezë ka qenë në një kohë kur PS funksiononte si han dhe kaosi i mesazheve që jepte ndaj publikut ishte shprehja e mendësisë së një organizate jo serioze. Ne kemi një diskutim intensiv se çfarë duhet të bëjmë me arsimin, shëndetësinë etj. Mendimi ndryshe nuk ka të bëjë me gjatësinë e kryetarit, por se si ne mendojmë një reformë. Sherret e ashtuquajtura demokratike në PS kanë qenë për të marrë pushtet brenda PS. Opinioni publik ka pasur neveri për sherrin në PS. Sot PS është një parti e ndryshuar, e re që ka përgjegjësinë që në më pak se dy muaj do duhet të qeverisë.
Do jepni dorëheqje nëse humbni zgjedhjet?
Po. Kjo është një pyetje që i ka dhënë përgjigje statuti i partisë. Të gjitha këto janë procedura.
Si do të jetë modeli i qeverisjes suaj nëse nisemi nga modeli i Bashkisë së Tiranës?
Në 28 qershor shqiptarët do vendosin për t’i dhënë fund modelit të komisioneve të tilla hetimore. Verdiktin për modelin e bashkisë shqiptarët e kanë dhënë dy vjet më parë. 18 muaj në të gjitha rrugët e Shqipërisë, kam dëgjuar një refren të përsëritur nga njerëz që thonë “E duam Shqipërinë si Tiranën”. Nuk jam për të thënë se Tiranë është Parisi, Londra, por ajo është shprehja që ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë si Tirana. Kërkoj që në këtë kuptim, qytetarët të më votojnë që unë të jem kryeministri i Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›